Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, deklaroi sot se është e nevojshme përkrahja e institucioneve të Shqipërisë për Kosovën në lobim më të madh për shtimin e numrit të njohjeve dhe për anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi sot në Tiranë me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në të dy vendet.

Haradinaj me këtë rast shprehu falënderimin e tij dhe të popullit të Kosovës, për ndihmën e pakursyer që kanë dhënë institucionet e Shqipërisë në të gjitha periudhat për Kosovën.

“U jemi mirënjohës për kontributin tuaj dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e vështira, dhe tani në procesin e integrimeve evropiane si proces i domosdoshëm dhe për të cilën Republika e Kosovës ka nevojë më shumë se kurrë për përkrahjen e gjithanshme”, tha ai.

Duke folur rreth bashkëpunimit bilateral ndërmjet të dy vendeve dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan që të ketë një dinamikë të shtuar në këtë drejtim.

Ndërsa, presidenti Ilir Meta shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që udhëheq për përkrahjen e Kosovës në të gjitha proceset, me theks për rrugën euroatlantike të saj.

Loading...