Juventusi do të kërkojë ta sigurojë pozitën e parë në Grupin H të Ligës së Kampionëve përmes fitores kundër Manchester Unitedit, në ndeshjen e cila do të zhvillohet sonte nga ora 21:00 në stadiumin Allianz.

Në xhiron e kaluar të Ligës së Kampionëve, këto dy klube u ndeshen ndërmjet vete në Old Trafford, ndeshje kjo të cilën e fitoi Juventusi, përmes golit të shënuar nga Paulo Dybala, transmeton Gazeta Express.

Skuadra e Massimiliano Allegrit mbetet e pamposhtur këtë sezon dhe ata vazhdojnë të  duken në formë të mirë. Edhe nëse Juventusi pëson disfatë në këtë ndeshje, ky rezultat nuk do të kishte shumë ndikim, pasi që ata do të mbesin përsëri në krye të grupit.

Ndërsa, “Djajtë e kuq” do ta pranojnë edhe një barazim në këtë ndeshje, pasi që kjo do t’i rriste gjasat e klubit për t’u kualifikuar për fazën e radhës në Ligën e Kampionëve dhe për shkak të paraqitjeve jo edhe aq të mira në ndeshjet e fundit, Jose Mourinho nuk do të ishte i zhgënjyer çfarëdo rezultati përpos një disfate.

Juventusi është në krye të grupit me gjithsej tre fitore dhe nëntë pikë nga tri ndeshje të zhvilluara. Barazimi do t’ia siguronte Juventusit kualifikimin në fazën e radhës, ndërsa fitorja do t’ia siguronte vendin e parë në Grupin H.

Manchester Unitedi pozicionohet në vendin e dytë në tabelën e këtij grupi, me gjithsej katër pikë. Ata janë në epërsi ndaj Valencias për dy pikë dhe ndaj Young Boys për një pikë.

Formacionet e mundshme të të dy skuadrave:

Juventus (4-3-3): Szczensy; Cancelo, Chiellini, Bonucci, Sandro; Pjanic, Matuidi, Bentancur; Cuadrado Dybala, Ronaldo

Manchester United (4-3-3): De Gea; Young, Smalling, Lindelof, Shaw; Matic, Herrera, Pogba; Rashford, Sanchez, Martial

 

Loading...