Në ditën e trashëgimisë kulturore muzikologu Vaso Tole për herë të parë në një botim të plotë “100 vjet Këngë patriotike shqiptare”, me zë në CD, me transkriptime muzikore, me poezitë e këngëve dhe me studimin e tyre. “Ishte një kërkesë e vazhdueshme e dhjetëra e qindra miqve, shqiptarë e të huaj, të cilët dëshironin që t’i kishin të përmbledhura në një të vetme, këtë trashëgimi shpirtërore të rrallë, e cila u bë pjesë e pandarë e Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve, pjesë e trashëgimise sonë kulturore shpirtërore”, thotë Tole në intervistën për “Mapo”

Intervistoi: Violeta Murati

Një album që sjell 100 vjet këngë patriotike shqiptare, shoqëruar me një studim të realizuar nga ju. A mund të na thoni si erdhi kjo ide, kur tani duken si “jashtë mode” për t’u kënduar, e aq më tepër për t’u shitur në treg?

Si asnjë fushë tjetër të artit, muzika patriotike ka mbajtur më së miri në notat dhe pentagramet e saj, frymën liridashëse të shqiptarëve dhe aspiratat e tyre legjitime për të qenë si të gjitha kombet e tjera të Europës. Ato janë njëkohësisht edhe prova më e mirë e faktit se shqiptarët e arritën lirinë e tyre sa përmes rilindjes kulturore e po aq edhe të luftës së armatosur, shprehur aq qartë tek fjalia “Me pushkë dhe penë për mëmëdhenë”! Siç ka pohuar Ismail Qemali: … mbajtja e fjalës së dhënë dhe feja e atdhedashurisë, nga buron edhe etja për pavarësi janë dy virtytet që vazhdimisht i kanë udhëhequr shqiptarët në të gjitha travajat e jetës së vendit. Për këtë arsye këto këngë janë një nga format unikale të trashëgimisë sonë kulturore, bartëse të këtij shpirti shqiptar, për të cilin shkruan edhe Asdreni në poezinë e tij.

Regjistroni 18 këngë, që në pamje të parë duket sikur këngë patriotike mund të jenë ato që u kënduan vetëm në mal, nga partizanët që diktatura ua imponoi popullit këndimin…çfarë filtrimi dhe hulumtimi arkivor keni bërë mbi to? Kujt periudhe i përkasin?

Krijimi i këngëve dhe marsheve patriotike të Rilindjes sonë Kombëtare dhe Pavarësisë është i lidhur dhe i pashkëputur nga lindja dhe veprimtaria e shoqërive dhe bandave muzikore në mbarë territorin e Shqipërisë. Në një vështrim të shpejtë mbi situatën muzikore të fillimit të shek. XX, gjëja e parë që do të të bëjë përshtypje, krahas Rilindjes së përgjithshme kombëtare, padyshim që është e lidhur me krijimin e shoqërive artistike dhe muzikore, si dhe përgjithësisht krijimin e ansambleve muzikore. Mund të themi se kjo panoramë i përngjasonte një yllësie, pasi zinxhiri i këtyre organizmave emancipues në jetën e atëhershme shqiptare qerthulloi gati pothuajse gjithë Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën dhe diasporën shqiptare në Rumani, Bullgari, Egjipt, Turqi, Amerikë etj. Dukej se një forcë e fshehtë, gati e padukshme kishte përqendruar në këto shoqëri dhe ansamble interpretuesish bërthamën që do të lindte më pas fenomenin e artit muzikor profesionist.

Çfarë kanë mbetur jashtë politizimit nga “patriotiket e kënduara”, që  mund të konsiderohen trashëgimi?

Asgjë dhe asnjë prej prej tyre nuk është e politizuar. Për fat të mirë. Kjo tregon largpamësinë e krijuesve të këngëve të cilët realizuan përmes kësaj krijimtarie një model lirie për shqiptarët, pa cënuar lirinë e të tjerëve.

Studimi juaj mbi këto këngë ku konsiston?

Në evidentimin e rolit të muzikës dhe të “këngëve kombiare”  për ҫlirimin kombëtar të shqiptarëve. Në Shqipërinë e atyre viteve do të shohim fenomenin e Rilindjes Kombëtare përmes muzikës. Ky është një moment shumë i rëndësishëm që lidhet me zgjimin kombëtar të shqiptarëve, pasi gjatë periudhës 1878-1912 kemi lindjen, kultivimin dhe konsolidimin e shumicës së “këngëve kombiare” siç i quante populli, ose të “këngëve kombëtare”, më pas të quajtura edhe “këngë patriotike”, si një gjini e re e muzikës qytetare shqiptare të angazhuar politikisht. Ato i gjejmë edhe me përcaktimin “këngë shqipe mëmëdhetare”, që në fakt është e njëjta gjë. Patrioti i pushkës dhe i penës Mihal Grameno (1871-1931), i ngjashëm me sivllezërit e tij poetë, rumunin Mihal Eminesku (1850-1889) dhe bullgarin Kristo Botev (1848-1876), të cilët luftuan me armë e penë kundër pushtimit osman, konstatoi publikisht se: …kombi shqipëtar e kuptojti që këngët janë vegla që zgjojnë ndjenjat kombiare…,çka spjegon popullaritetin në rritje të vetë këngëve dhe të autorëve të tyreNë qendër të “këngëve kombiare” ishte artikulimi dhe qëndrimi i ri ndaj fjalës komb. Shqiptarët anë e mbanë kishin zgjedhur fjalën e bukur shqipe komp-komb për të përcaktuar përmes tij edhe identitetin e tyre, kjo në vend të konceptit nation-nacionalitet, sa i veçantë por dhe deri diku i ngjashëm me të tjerët.

Me pak fjalë, tek “këngët kombiare” shqiptarët projektuan hartën e lirisë dhe në qendër të saj strukturuan “ndërtesën” e kombit shqiptar. Kjo trashëgimi e re e Rilindjes sonë Kombëtare që lidhej me muzikën erdhi në momentin e duhur, pikërisht atëhere kur zgjimi kulturor dhe bashkimi politik i shqiptarëve në kushtet e pushtimit dhe presionit osman kërkonte mjete të reja (përveç atyre tradicionale si shkrim-këndimi dhe popullarizimi përmes botimeve i veprave të ideologëve tanë të Rilindjes), siç qe krijimi në Stamboll i “Shoqërisë së zezë për shpëtim” -1878 ose botimi i manifestit të Sami Frashërit (1850-1904) “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet” në Bukuresht, në vitin 1899. Me të drejtë shekulli i XIX-të konsiderohej si shekulli që zbuloi kombin duke u mbiquajtur nga Napoleoni III edhe si “shekulli i nacionalizmës”!

Nisur prej himnit kombëtar, kur dihet se ka pasur një konkurs që nuk është deklaruar nga koha e diktaturës, si vjen kjo këngë, në cilin version të kënduar?

Janë disa versione të regjistruara të këndimit dhe interpretimit të Himnit Kombëtar. Më të vjetrit syresh janë ato të regjistruara në Amerikë në disqe. Njëri prej tyre, ai i vitit 1918 i përket Spiridon Ilos dhe Xhuzepe Mauros, ndërsa tjetri është i vitit 1920, një version orkestral i interpretuar nga Banda Vatra nën drejtimin e Thoma Nasit.

Në këngët patriotike që shohim të listuar, duket sikur “sundon” gjeografikisht nga jugu, dhe kemi në pjesën tjetër të Shqipërisë, përfaqësimin me tekstin e Fishtës, e muzikën e Martin Gjokës…pse kjo ndjeshmëri, dhe më pak “kontribute” në patriotizëm…një arsye historike?

Nuk më duket se është e saktë kjo që ju thoni, për prioritet të Jugut në këtë çështje. Qytete si Shkodra dhe Korҫa kanë pasur rol udhëheqës në këtë proces. Për këtë ju mjafton të shihni vetëm shoqëritë muzikore dhe bandat muzikore të krijuara të cilat i përkasin qyteteve më kryesore të Shqipërisë, nga Jugu në Veri të vendit. Kjo ishte lëvizje kulturore emancipuese mbarëshqiptare. I theksojmë këto fakte, pasi krijimi i shoqërivë muzikore dhe i formacioneve të tyre muzikore, krahas emancipimit të shoqërisë shqiptare të atyre viteve, solli ndër të tjera edhe vendosjen e paraleleve të drejtpërdrejta të auditorit muzikor shqiptar me kulturën muzikore perëndimore dhe me muzikën e kompozuar nga Bah, Hendel, Hajden, Mozart, Bethoven, Verdi, Pucini, Bize, Vagner etj. Në kushtet e Shqipërisë ku mungonin institucionet e mirëfillta artistike dhe muzikore, kur shteti nuk jepte mbështetje të drejtpërdrejtë për kulturë, ishin pikërisht këto shoqëri muzikore brenda të cilave u krijua dhe u interpretua edhe muzika shqiptare e atyre viteve. Emrat e kompozitorëve si Martin Gjoka, Palok dhe Lec Kurti, Frano Ndoja, Thoma Nasi, Kristo Kono, Dom Mikel Koliqi, Sotir Kozmo, Krist Maloku, Murat Shehu u lidhën pazgjidhshmërisht me këto organizma, pasi në fakt ato ishin edhe si institucionet e para të artit të kultivuar. Kjo tendencë emancipuese muzikore, gjatë muajve të qeverisjes së Imzot Fan Nolit si kryeministër i shqipërisë në vitin 1924, siç e përmendëm më sipër do të sillte edhe idenë që në Tiranë të ngrihej një orkestër simfonike dhe të hapej me ndihmën e muziktarëve italiane dhe atyre shqiptarë një konservator muzike.

Çfarë kemi të re në këtë album, të panjohur, zbulim?

Kalendarin më të plotë deri më tani të krijimit të këngëve patriotike të shoqëruara me të dhëna më të plota për autorët e tyre të cilin po e botojmë më poshtë.

Ka ndonjë strategji për t’u vitalizuar, apo thjesht do t’i kemi si muzeume shpirtërore dhe këtë pjesë?

Besoj se ishte një detyrim, botimi  në këtë formë i kësaj trashëgimie shpirtërore. Asnjëherë nuk ka pasur një botim të ngjashëm i cili të përfshijë në një të vetëm, zërin, notat, poezinë dhe studimin muzikologjik të kësaj krijimtarie. Kështu që si fazë e parë, ky botim plotëson një boshllëk të ndjeshëm në këtë fushë. Ai vjen si ndihmesë për të gjithë të interesuarit, brenda e jashtë vendit, për profesionistët e qytetarët, turistët, e posaçërisht për nxënësit e studentët që i mësojnë këto këngë dhe studiojnë periudhën kur këto këngë lindën nëpër shkolla.

Janë 18 këngë, a janë pak apo mjaftueshëm si pasuri?

Këto këngë përfaqësojnë Majat e “Vargmaleve” të këngëve tona patriotike. Janë mjaftueshëm për të kuptuar frymën e asaj kohe lirie për shqiptarët.

Fragment nga studimi:

Cilët ishin “kompozitorët” e këtyre këngëve?

Më poshtë kemi rendituar disa nga emrat e tyre. Asnjë syresh me shkollim muzikor, por, të formuar intelektualisht dhe muzikalisht ata ia dolën që të krijojnë në ato vite, repertorin më të rëndësishëm të kësaj trashëgimie. Në këtë kohë erdhën në Shqipëri edhe shumë atdhetarë nga Amerika të cilët sollën me vete shumë këngë të bukura shqip të kompozuara në kurbet si dhe mjaft vegla muzikore që i përdornin me mjeshtëri etj. Ndër të parat “këngë kombiare” së bashku me autorët e tyre përmendim:

1890: në Korçë kemi krijimin e këngëve të para kombiare nga Gjerasim Qiriazi (1858–1894) si“Dituria”, “Baballarë shqipëtare”, “Puno sa është dita se nata po afron”, “O mëmë e dashur” etj, për nevojat e shkollës shqip të djemve dhe të vajzave të krijuara në vitet 1878 dhe 1891. Në mënyrë të veçantë kënga  “O mëmë e dashur” e kënduar nga kori i shkollës së vajzave shqip në Korçë në vitin 1902 është një thirrje e hapur drejtuar bijve dhe bijave shqipëtare për t’u kujtuar për mëmën Shqipëri, të cilën“nuk e duan më dhe as kanë mall”!

O Mëmëzë e dashurë,

            Ç’na je kështu e ç’pate ti?

            Përse na je helmuarë?

            Përse na qan e na mban zi?

Se bijt e mi dhe bijatë

S’më duan më, as kanë mall,

Gjithkush kërkon të tijatë,

Më lan’ e vdes në këtë hall.

Krijimtaria e tij u botua pas vdekjes në Sofie në vitin 1902 në librin e  titulluar “Kristomaci”, me katër pjesë: vjersha, këngë dialogë dhe përralla. (gjëra të ndryshme e të vegjëtuara për këndim dhe për dobi të mësonjëtoreve shqipe).

1897:   në Rumani, poeti dhe gazetari korçar Thoma Abrami (1869-1943) krijoi këngët “Dëshirim i mëmëdheut” e njohur edhe me titullin “Dua më shumë Shqipërinë”, vjershën “Thirje mi shqipëtarët” dhe“Ushtar i ri”, të botuara në revistën “Albania” të Faik Konicës, në Bruksel.

1900:   në Sofje të Bullgarisë, kemi krijimin e këngës së shoqërisë“Dëshira”,“Që më një të Kollozhekut”nga Spiro Garo.

1905:   po në Sofje të Bullgarisë kemi krijimin e këngës “O Shqipëri”, me fjalë dhe muzikë nga Dhimitër Mole dhe në Egjipt krijimin e këngës “Unë ushtar do vete” nga Loli Logori (1871-1929).

1906:   krijimin në Amerikë nga Thanas Floqi (1884-1945) të melodisë dhe vargjeve të këngës “O trima luftëtarë” dhe nga Kol Tromara të këngës “Sa të rrojë gjithësia”.

1907:   në Rumani kemi krijimin e këngës “Për mëmëdhenë”, nga Mihal Grameno (1871-1931) kushtuar Bajo Topullit (1868-1930) dhe këngën marsh “Ejani sot o shqipëtarë”, me fjalë të Asdrenit dhe muzikë të Kiriak. Sipas Lasgush Poradecit:… Asdreni s’e ka botuar gjer më sot në asnjë vënd. Asdreni pat bërë katër strofa, nga të cilat profesori Kiriak vuri në nota vetëm njërën, duke i kënduar pastaj kori të tjerat pas së parës. Atë strofë të Asdrenit Kiriak-u e bëri me zë që të kenë anëtarët e korit një marsh patriotik për të kënduar dhe ekzekutuar midis ndërpushimeve ose në çdo rast manifestimi. Sot nuk kemi as fjalët e as muzikën e kësaj kënge.

1907:krijohet në Itali “Inno albanese-himni shqiptar”, një krijim muzikor pianistik pa fjalë, nga kompozitori italian Carlo Arnese: “Dedicato a S. A. il Principe d’ Aladro Kastrioti dall’ Unione Garibaldina di Napoli”.

1907:   krijohet në Shkodër kënga e “Shoqnisë Punëtore”.

1908:   në Rumani kemi këngën “Betimi mbi flamur” të Asdrenit mbi melodinë e Porumbescut dhe këngën “Qysh or qysh” me melodi të Dumitru Georgescu Kiriac (1866–1928), dirigjent i korit të shqiptarëve të Bukureshtit.

1908:   në Shqipëri, kemi “Këngën e konstitucionit” me muzikë të Frano Ndojës (1867-1923) dhe“Vdekja e Pirros” me fjalë të Mihal Gramenos; “Këngën e shkronjave shqipe” (kushtuar Kongresit të Manastirit-1908) me fjalë të Parashqevi Qiriazit; këngën “Të gjithë ne o djema”, me fjalë dhe muzikë nga Spiridon Ilo (1876-1950); këngën “Dragojtë e Shqipërisë”, mbi fjalët e Mihal Ballkamenit; “Himnin e djelmnisë shqiptare” me fjalë të Hilë Mosit dhe muzikë të kompozitorit italian Luigi Cirenei (1881-1947) etj. Po këtë vit, një këngë patriotike kushtuar Ismail Qemalit ka qarkulluar në Vlorë sipas informacionit të konsullit austriak Kraus, dërguar baronit fon Erental, ministër i punëve të jashtme të Austrisë. Ai shkruan se nxënësit e shkollave shqipe duhej të dilnin të radhitur në skelën e Vlorës për të përshëndetur patriotin e nderuar, duke kënduar një himn kushtuar atij.

1909:   nga Nikollë (Kolë) Rrodhe të këngës “Marsh turje në luftë” sipas melodisë së “Yankee March”-USA dhe të këngës “Zot i fuqive” (sipas melodisë së këngës amerikane “My country ‘tis of thee” e njohur si himn i USA deri në vitin 1931); këngën e shoqërisë “Vëllazëria”-Korçë me fjalë të Hil Mosit; himnin e “Bandës së Lirisë”-Korçë, fjalët Hilë Mosi dhe muzika Paskal Anibale; “Marshin e Kongresit të Elbasanit” etj.

1910: në Shqipëri kemi krijimin e këngës kombiare “Ylli i lirisë” me fjalë dhe muzikë nga Mihal Grameno; këngën “Dragojtë e Shqipërisë” me fjalë të Mihal Ballkamenit; këngën “Më thërret nderi” me autor popullin dhe këngën “Moj Shqipni e mjera Shqipni”, me vargje të Vaso Pashës dhe muzikë të Thanas Floqit.

1910:   në Egjipt kemi krijimin e këngës “Unë ushtar do vete”, me fjalë të patriotit Loni Llogorit (1871-1937) dhe në Korçë krijimin e këngës së shoqërisë “Djalëria korçare” nga Ilia Muçi regjistruar në disqe i kënduar nga Spiridon T. Ilo në vitin 1921.

1911: në Shqipëri kemi krijimin e këngës kombiare “Zani i luftës” me fjalë të Hil Mosit, e kënduar gjatë kryengritjeve të vitit 1911 në Shqipërinë e Veriut dhe këngën “Dëshmorëve të Korçës” nga Goni Katundi, kushtuar luftëtarëve të rënë në betejën e Orman-Cifligut.

1912:   menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, krijohet dhe interpretohet kënga “U ngrit flamuri”, me vargje të delegatit Murat Toptani dhe  me muzikë të delegatit tjetër Thanas Floqi; kënga“Valo-valo si të ka hije” me fjalë të Kristo Floqit mbi melodinë e “Himnit Kombëtar” dhe kënga“Kushtrimi ose Marsejeza e shqiptarëve” me fjalë të Faik Konicës mbështetur mbi melodinë e“Marsejezëz”.

1913:   krijohet në Shkodër, më 13 qershor, ditën e Shën Ndout, kënga “Porsi fleta e Ejllit t’Zotit”, me poezi të Gjergj Fishtës dhe muzikë të kompozitorit Lec Kurti .

1913:   krijohet në Berat kënga kushtuar dëshmorit Nazif Hajdari.

1913:   krijohet në SHBA nga Kol Tromara kënga “Sa të rrojë gjithësia”.

1915:   kemi këngët “Shqypenija” dhe “Erdhi koha”, pa autor, të cilat i gjejmë në botimin muzikor“Canti Albanesi”, Leipzig, 1915.

1916:   kompozohet marshi kushtuar “Aqif Pashë Elbasanit”, nga muziktari austriak Anton Cimfl.

1920:   këngën e “Kongresit të Lushnjës”, me poezi të Ferit Vokopolës dhe muzikë të këshilltarit austriak Lyboden; këngën “Vlora-Vlora”, me kompozitor Thoma Nasin (1892-1964) dhe poezi nga Ali Asllani (1884-1966); kënga “Himni i shoqërisë Vatra-USA”, fjalët Refo Çapari (1844-1944) dhe muzika nga Ajdin Asllani-Leskoviqari (1895~1976); “Himnin e Milicjes” me fjalë të Hil Mosit dhe muzikë të kompozitorit italian Luigi Cirenei (1881-1947) etj.

1921:   “Marshi i Korçës”, kompozuar nga Thoma Nassi në Korçë në korrik 1923 dhe “Kënga e shoqërisë djalëria korçare” me fjalë të Ilia Muçit etj.

Loading...