Mbrëmjen e së dielës në Bilbao të Spanjës u organizua ceremonia e ndarjes së çmimeve “MTV EMA”.

“MTV EMA” edhe këtë vit kishte garë të ngushtë mes yjeve botërore, të cilët ishin të nominuar në kategori të ndryshme.

Këtë vit, pjesëmarrëse në mesin e emrave të njohur të industrisë së muzikës ishin edhe dy këngëtaret shqiptare Dua Lipa dhe Bebe Rexha.

Të dy artistet ishin të nominuara në kategori të ndryshme, Dua në katër të tilla, kurse Bebe në një.

Edhe këtë vit, Dua Lipa doli nga kjo ceremoni me trofe në duar, duke fituar në kategorinë “Best Pop”, meqë rast la pas emrat e njohur të muzikës.

Në garë me Duan në këtë kategori ishin Ariana Grande, Camila Cabello, Hailee Steinfeld dhe Shawn Mendes.

Shqiptarja arriti ta marrë edhe vëmendjen e medieve botërore, jo vetëm për rrëmbimin e çmimit, por edhe për paraqitjen.

Këngëtarja në shumë prej medieve më prestigjioze botërore është listuar si artistja me veshjen më të mirë në “MTV EMA”.

Dua Lipa, edhe vitin e kaluar ka arritur të marrë një çmim shumë të rëndësishëm në këtë ngjarje.

Është fjala për çmimin “Artistja më e mirë e re”, e cila fatkeqësisht nuk kishte qenë e pranishme në atë event, pasi ishte e angazhuar në turne në Brazil.

Viti 2018 mund të quhet si viti i Dua Lipës, kjo pasi që artistja ka arritur që gjatë këtyre muajve të fitojë një numër të madh çmimesh në ngjarjet më të mëdha të muzikës.

Në shkurt të këtij viti, ajo kishte rrëmbyer çmimet “Artistja më e mirë britanike” dhe “Depërtimi i vitit”, në “Brit Awards”.

Tri ditë më parë, këngëtarja shqiptare shënoi edhe një tjetër sukses në karrierë, ajo në eventin “LOS40” në Spanjë mori tri çmime.

Dua u shpall “Artistja më e mirë botërore” dhe fitoi edhe dy çmime “Albumi më i mirë ndërkombëtar” dhe “Kënga më e mirë ndërkombëtare” me këngën “New Rules”.

Por, këto nuk janë arritjet e vetme të Duas, ajo gjatë këtij viti ka qënduar në maje të top-listave me këngët e saj, ka realizuar koncerte në vende të ndryshme të botës si dhe vazhdon çdo ditë të numërojë suksese të reja.

Rita Ora

Edhe Rita Ora do ta mbyll me shumë suksese vitin 2018. Ashtu sikurse Dua Lipa, edhe Rita ka rrëmbyer disa çmime në ngjarjet muzikore këtë vit.

Këngëtarja ka marrë çmimin “Best Dance” në “MTV Video Music Awards”, gjatë këtij viti, duke hyrë në histori si shqiptarja e parë që arrin të fitojë në këtë garë.

Ajo ishte shprehur tejet e lumtur që arrita ta marrë këtë çmim, në një nga kompeticionet më të rëndësishme në muzikë.

Këtë trofe ajo e mori me këngën “Lonely Together”, të cilën e ka në duet me DJ tashmë të ndjerë, Aviciin.

Në “Global Awards”, Rita në muajin mars rrëmbeu çmimin në kategorinë e njëjtë që Dua Lipa e fitoi të dielën në Spanjë. Është fjala për “Best Pop”, ku la pas emrat më të njohur të muzikës.

Në Hong Kong, Rita u vlerësua me çmimin “Best International Artist Award” (Artistja më e mirë ndërkombëtare) nga “Billboad Radio China”.

Bebe Rexha

Ashtu sikurse dy artistet e lartpërmendura edhe Bebe Rexha gjatë këtij viti ka arritur të fitojë çmime në eventet e njohura të muzikës.

Bebe Rexha ishte e nominuar në një kategori në “MTV EMA” gjatë këtij viti, pavarësisht asaj që nuk arriti ta marrë atë trofe , ajo pati gjithë vëmendjen me performancën madhështore që e realizoi në skenën gjigante të “MTV EMA”.

Bashkëpunimi i Bebes “Meant to Be” me grupin amerikan “Florida Georgina Line” arriti të rrëmbejë çmimin “Choice Country Song” në “Teen Choice Awards 2018”, ceremoni kjo që ishte mbajtur në Kanada.

Po ashtu, këngëtarja shqiptare ka fituar  në kategorinë ‘Bashkëpunimi më i mirë’ me këngën ‘Meant to Be’ edhe në “iHeart Radio”.

Përveç kësaj, Bebe Rexha është shpërblyer edhe në “Radio Disney Awards”  me çmimet “The Freshest Best New Artist” dhe “Best Collaboration”. Kënga me të cilën fitoi këto dy çmime ishte pikërisht “Meant to be” me Florida Georgina Line.

Me këtë projekt, Bebe Rexha vazhdon të qëndrojë në krye të tabelave muzikore, ajo ka marrë mbi 622 milionë klikime në kanalin YouTube.

Në anën tjetër, ajo vazhdon të shijojë suksesin e albumit të saj të fundit “Expecations”, ndërsa po punon pa ndalë rreth projekteve të reja.

Atëherë, me gjithë këta trofe që këngëtaret me prejardhje shqiptare që po bëjnë karrierë në botë fituan gjatë këtij viti, pa mëdyshje mund të themi se ky vit u takon Duas, Ritës e Bebes, për sukseset e arritura.

Loading...