30 ditë paraburgim për deputeten Kadaj-Bujupi. Eskalon situata, protestuesit djegin vetura zyrtare (Foto + Video)

Protestuesit dëmtojnë përmendoren e Presidentit Rugova

(E plotësuar) – Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për deputeten Donika Kadaj Bujupi, të cilës iu shqiptua 30 ditë paraburgim, situata në shesh ka eskaluar.

Në drejtim të Qeverisë janë hedhur gurë, ndërsa drejt protestuesve është hedhur sërish gaz lotsjellës.

Policia po largon protestuesit. Në rrugët e Prishtinës ka numër të madh të policisë speciale, të cilët tash kanë larguar protestuesit deri tek Rektorati i UP-së.

Një pjesë e Policisë është pozicionuar pranë Fakultetit Juridik, ku ka formuar kordon. Rruga Agim Ramadani deri tek Sllovenia Sporti është e bllokuar për qarkullim.

Protestuesit i kanë venë flaken një veture në oborrin e UP’së.

Gjykata Themelore vendos: 30 ditë paraburgim për deputeten Kadaj-Bujupi

Gjykata Themelore i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e arrestuar në mëngjesin e sotëm nga Policia e Kosovës.

Seanca në Gjykatën Themelore ka zgjatur disa orë, por në fund është aprovuar kërkesa e Prokurorisë për masën e paraburgimit ndaj deputetes Donika Kadaj-Bujupi.

Ja çfarë thuhet në njoftimin e Gjykatës:

Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda sot mbajti seancën dëgjimore,me rastin e vendosjes sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tani të pandehurës Donika Kadaj-Bujupaj për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 375 par.2 lidhur me nenin 31 të KPK, dhe veprën penale: përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 375 par.1 të KPK dhe vendosi që ndaj të njëjtës të caktoi paraburgimin në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji llogaritur nga data e ndalimit përkatësisht nga data 18.11.2015.

​Protestuesit të qetë para Qeverisë, po presin vendimin e Gjykatës për Donikën

Aktualisht protestuesit e partive opozitare po qëndrojnë të qetë para Qeverisë. Ata po presin vendimin e Gjykatës për deputeten Donika Kadaj-Bujupi.

Prokuroria ka kërkuar 30 ditë paraburgim për Deputeten Kadaj –Bujupi për shkak të veprimeve të saj në Kuvendin e Kosovës.

Vonohet vendimi për Donikën, gazetarët nxirren nga objekti i Gjykatës

Gazetarët e interesuar që po presin në Pallatin e Drejtësisë që të bëhet publik vendimi për deputeten Donika Kadaj-Bujupi, e arrestuar mëngjesin e sotëm, janë larguar nga ky objekt me arsyetimin se në ora 16:00 ka përfunduar orari i punës në Gjykatën Themelore.

Brenda janë lejuar vetëm zyrtarë të AAK’së dhe mbrojtja e Kadaj-Bujupi.

Vendimi për deputeten e Kuvendit të Kosovës e cila për tri seanca rresht gjuajti gaz lotsjellës gjatë kohës sa mbaheshin seancat parlamentare pritet të merret për pak minuta.

Protestuesit dëmtojnë përmendoren e Presidentit Rugova

Eskalimi i protestës se sotme qe është duke u zhvilluar në sheshin Ibrahim Rugova, ka bërë që protestuesit nuk kanë kursyer edhe përmendoren e ish presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

Në fotot e publikuara nga një qytetare shihet se si i është dëmtuar ajo.

Zyrtare: Katër policë të lënduar, 13 persona të arrestuar

Policia e Kosovës bënë të ditur se janë lënduar katër policë deri më tani, janë arrestuar 13 persona dhe është konfiskuar një qante e mbushur me koktej molotovi.
Përmes një njoftimi thonë se si pasojë e dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, numri i zyrtarëve policorë të lënduar deri më tani (14:15) ka arritur në katër (4) zyrtar policor të lënduar.

Njësitet policore deri tani (14:15) kanë arrestuar trembëdhjetë (13) protestues të dhunshëm, si dhe kanë konfiskuar në vendngjarje një (1) çantë të dyshuar të mbushur me mjete të dyshuara si koktej molotovi.

Po ashtu si pasojë e hedhjes së mjeteve të ndryshme nga ana e protestuesve janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në prona publike, duke përfshirë edhe uniforma dhe pajisje policore.

Sipas tyre, gjithsej deri më tani kanë qenë 150 protestues.

Policia e Kosovës të gjitha veprimet policore lidhur me situatën e krijuar gjatë protestës dhe pas saj po i ndërmerr në konsultim dhe bashkëpunim me prokurorin kompetent.

Protesuesit mblidhen para Qeverise

Policia nuk po arrin dot t’i shpërndajë protestuesit. Ata kanë filluar sërish të mblidhen para Qeverisë së Kosovës. Protestuesit po kërkojnë lirimin e Donika Kadaj Bujupit.

Një përfaqësues i protestuesve ka deklaruar se një polic i Njësisë Speciale është dorëzuar duke hedhur mburojën e tij. Nga kjo deklaratë protestuesit kanë nisur duartrokitjet.

Për momentin, protestuesit gjenden para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës bashkë me prijësit e tyre Ramush Haradinajn dhe Visar Imerin, ndërsa oborri i ndërtesës është mbushur me policë nga Njësia Speciale. Protestuesit po brohorasin “Mos i mbroni hajnat”, “Poshtë Zajednica”, etj.

Disa deputet të opozitës bashkë me mbështetes te tyre jane duke protestuar para kuvendit ne mbeshtetje te Donika Kadajt.

Protestuesit po demolojnë dhe po thyejnë veturat dhe gjithçka po gjejnë para në rrugën ku ndodhet restorant “Pisha”, duke provuar ti afrohen institucioneve, ku policia është barrikaduar.

Tashmë protestuesit kanë arritur në oborrin e Fakultetit Filologjik duke ikur kështu gazit lotsjellës që ka gjuajtur policia.

Këta të fundit në këto momente kanë arritur ta arrestojnë edhe një protestues.

Dy grupet e protestuesve të AAK-së dhe Vetëvendosjes, janë duke dalur në rrugën “Agim Ramadani” dhe në ballë të tyre gjendet edhe Ramush Haradinaj kreu i AAK-së dhe ai i Vetëvendosjes Visar Ymeri.

Policia ia ka dal që ti largojë protestuesit nga sheshi Nëna Terezë, dhe po ashtu edhe nga rektorati, duke i dërguar në drejtim të oborrit të Bibliotekës Kombëtare, dhe po ju hedh gaz lotsjellës, sipas një plani operativ të gjerë të policisë, e cila po mbështetet me njësi nga e tërë Kosova.

Policia tashmë ka fillaur ti ndjek protestuesit me makina të blinduara nga dy drejtime ndërkohë që po vazhdon hedhja e gazit.

Një numër shumë i madh i policëve janë barrikaduar tek “Sheshi Zahir Pajaziti” dhe kanë mbyllur rrugën për qarkullim, ndërsa po përleshen me gazlotsjellës me protestuesit e grumbulluar tek Rektorati! Edhe protestuesit po vazhdojnë të hedhin gurë në drejtim të policisë.

Liderët e partive opozitare bashkë me protestuesit janë nisur në drejtim të policisë. Protestusit kanë hedhur në këto momente gaz lotsjellës në drejtim të policisë dhe gazetarëve.








Dy protestues të arrestuar

Policia ka arrestuar dy protestues në sheshin Zahir Pajaziti. Situata ka eskaluar dhe protestuesit janë duke u shpërndarë me gaz lotsjellës. Një pjesë e tyre janë shpërnda rrugës për te Radio Kosovë, ndërsa pjesë tjetër kah Ministria e Arsimit.

Polica shpërndan protestuesit deri te Grandi

Policia ka arritur t’i shpërndajë protestuesit deri te hoteli “Grand”.

Policia këtë e ka bërë nëpërmjet gazit lotsjellës dhe autoblindave.

Raportohet se tashmë nuk shihen shumë protestues, por më shumë ka qytetarë të zakonshëm.

Është duke u sulmuar ndërtesa e Qeverisë dhe vetë forcat policore që janë duke u munduar të mbrojnë institucionin.

Gazë lotsjellës, shishe me ngjyrë dhe gurë po hidhen në drejtim të policëve, me qëllim që protestuesit të arrijnë të thyejnë kordonin e sigurisë për të depërtuar në ndërtesë.






Fillojnë përleshjet protestues –polici

Protestuesit kanë filluar të gjuajnë shishe me ngjyrë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë, ndërkohë janë thyer disa xhama të kësaj ndërtese.

Nol Nushi ka thënë se menjëherë duhet të lirohet deputetja Donika Kadaj-Bujupi.

Protestuesit fillojnë të gjuajnë me gurë dhe ngjyrë Policinë e Kosovës të cilët kanë barrikaduar hyrjen në Kuvend.

Ata po hedhin edhe gaz lotsjellës në drejtim të policisë.





Proteston edhe Albin Kurti

Gazetari i “Bota sot” i pranishëm në protestën e organizuar nga opozita njofton se Albin Kurti i është bashkuar protestës. Ende nuk dihet si do të reagoj policia, ndërkohë protestuesit kanë filluar ti thyejnë gjamat e objektit qeveritar.

Protesta e qetë, me brohoritje

Aktivistët e opozitës aktualisht po brohorasin “Zajednica nuk kalon”, “Isa Hasha Esat Pasha”, “Duam Shtet me sovranitet”, etj.

Fatmir Limaj ka dalë në sheshin “Skënderbeu” për t’iu bashkuar Ramush Haradinajt dhe Visar Ymerit, të cilët bashkë me disa aktivistë të këtyre partive kanë dalë në protestë pas arrestimit të deputetes Donika Kadaj-Bujupi.


Fatmir Limaj ka dalë në sheshin “Skënderbeu” për t’iu bashkuar Ramush Haradinajt dhe Visar Ymerit, të cilët bashkë me disa aktivistë të këtyre partive kanë dalë në protestë pas arrestimit të deputetes Donika Kadaj-Bujupi.

Deputetëve dhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët janë mbledhur te objekti i Qeverisë së Kosovës tashmë iu kanë bashkangjitur edhe ata të AAK-së.

Numri i mbështetësve të cilët po kërkojnë lirimin e deputetes Donika Kadaj – Bujupi dhe ndaljen e ndjekjes së deputetëve tjerë, po rritet kohë pas kohe.



Njësia Speciale vendoset para objektit të Qeverisë

Njësia speciale e Policisë së Kosovës është vendosur para objektit të Qeverisë. Ndërkohë, aktivistët e VV’së e të AAK’së tashmë gjenden në sheshin Skenderbeu, përpara objektit të Qeverisë.

Aktualisht situata është e qetë.

Ky organizim është bërë pas arrestimit të Donika Kadaj Bujupit, dhe bastisjes së shtëpive të Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut.


Loading...