Sot e 30 vjet më parë, pikërisht më 29 gusht të vitit 1988 në Kumanovë, mijëra shqiptarë ngritën fortë zërin e protestës, kundër padrejtësive që bënte pushteti komunist jugosllav i kohës. Mosdurimi shpërtheu mu para ish-Komitetit Komunal të Kumanovës, duke u shndërruar në një demonstratë të fuqishme gjithëpopullore në mbrojtje të shkollave të mesme në gjuhën shqipe, të cilat ishin mbyllur dhunshëm.
Epilogu i asaj demonstrate ishte i rëndë: mbi 300 të burgosur, qindra e qindra të tjerë të rrahur e të maltretuar, shumë profesorë e punëtorët të diferencuar nga puna, katër gjenerata nxënësish e humbën mundësinë e shkollimit në gjuhën amtare!
Për të freskuar pak memorien me ato zhvillime dramatike, sot në Kumanovë u mbajt një Akademi përkujtimore, organizuar nga Shoqëria LËVIZJA, Shoqata e të Burgosurve e të Përndjekurve Politik Shqiptarë, dhe Shoqata e Historianëve Shqiptarë.
Shoqëria LËVIZJA ndau mirënjohje për të gjithë të burgosurit – pjesëmarrës në atë demonstratë!
Respekt dhe mirënjohje të thellë për të gjithë ata që rrezikuan jetën dhe familjet e tyre në mbrojtje të gjuhës dhe shkollës shqipe.
Respekt për të gjithë të burgosurit dhe pjesëmarrësit në demonstratën e 29 gushtit të vitit 1988 në Kumanovë, e cila do të mbetet një datë e paharruar në historinë tonë kombëtare!/Sevdail Demiri

Loading...