4 adoleshentë kërcënojnë vajzën: 1 mijë euro ose të publikojmë fotot

 Katër adoleshentë dyshohen të jenë autorë të një historie gjobëvënieje ndaj një vajze 16-vjeçare, të cilës i kishin vjedhur adresën e “Facebook”-ut, duke i marrë foto intime. Me anë të këtyre fotove, ata i bënin shantazh dhe i kishin vënë 1 mijë euro gjobë, në të kundërt e kërcënonin se do t’ia publikonin nëpër rrjetet sociale.

Policia e Tiranës ka bërë të mundur arrestimin e tre prej autorëve të dyshuar të ngjarjes dhe një i katërt është shpallur në kërkim.

Pas denoncimit që vajza kishte bërë disa ditë më parë në Policinë e kryeqytetit, ajo është instruktuar që të binte dakord me autorët dhe nëpërmjet dorëzimit të kontrolluar të parave, ata të arrestoheshin në flagrancë.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës, kur 16-vjeçarja me iniciale B.B. kishte lënë takim me personat që i bënin shantazh, në mënyrë që ajo t’u dorëzonte shumën e parave që ata kërkonin.

Takimi ishte lënë në një lokal në rrugën “Don Bosko” dhe Policia ishte vënë në dijeni për vendin dhe orarin e takimit.

Mendohej se në takim të shkonin të katërt të dyshuarit, por në fakt kanë qenë vetëm tre prej tyre, të cilët janë arrestuar në flagrancë në momentin që e dëmtuara u ka dorëzuar 1 mijë eurot që ata kërkonin.

Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se janë vënë në pranga shtetasit, K.K., 16 vjeç, B.Buci, 19 vjeç dhe F.Boca, 18 vjeç. Nga ana tjetër është shpallur në kërkim edhe bashkautori i katërt, 18- vjeçari me iniciale I.B.

SHANTAZHI

Historia e shantazhit dhe kërcënimit për 16-vjeçaren B.B. ka nisur disa muaj më parë, kur ajo mësoi se ishte ndërhyrë në adresën e saj të “Facebook”.

Disa persona nga adresa të ndryshme false i shkruanin herë pas here dhe i dërgonin me mesazh fotografi intime të saj. Këto fotografi vajza pretendon se ia kishte nisur të dashurit të saj, ndërsa autorët që i shkruanin ia kishin vjedhur në momentin që i morën adresën e “Facebook”.

Fillimisht ajo kishte bërë denoncim te Krimet Kompjuterike në Policinë e Tiranës për ndërhyrjen që ishte bërë në faqen e saj personale në rrjetin social.

Pas disa muajsh, personat që i dërgonin mesazhe fyese dhe fotografitë e saj intime nisën t’i bëjnë shantazh.

Kërcënimet nisën të bëheshin të përditshme dhe personat që e shantazhonin i vunë edhe gjobë.

Ata kërkonin prej adoleshentes shumën prej 1 mijë eurosh, në mënyrë që të mos ia publikonin fotografitë nëpër rrjetet sociale.

E frikësuar nga këta persona, të cilët ajo pretendon se nuk i njeh, 16- vjeçarja i drejtohet Policisë në datë 28 korrik, ku denoncon këta persona.

Menjëherë regjistrohet procedim penal për “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “ndërhyrje në rrjetin kompjuterik”.

Pasditen e së shtunës, oficerët e Krimeve Kundër Pronës ndërhynë në lokalin ku vajza do të takohej me autorët për të marrë paratë që kërkonin dhe bëri bënë arrestimin e tyre në flagrancë.

Loading...