Kulturë

50 burra, gra e fëmijë arbëreshë do të shpalosin kulturën 500 vjeçare, në 550 vjetorin e fitores së Skënderbeut

ARBRESH

Arbëreshët e Kalabrisë për dy ditë do të shpalosin traditën e kamotshme të trashëguar brez pas prezi, më tepër se 500 vjet, aktivitete këto që do të mbahen në Vendvarrimin e Heroit, në kështjellat e Lezhës, Krujës, Shkodrës, Kepit të Rodonit, Muzeun Arkeologjik dhe në Amfiteatrin e Durrësit.

Lëvizja ‘Foleja Kombëtare Shqiptare’ në bashkëpunim me Shoqatën ‘La Svolta’, me Bashkitë e Lezhës, Krujës, Shkodrës, Durrësit dhe me dy Komuna arbëreshe në Kalabri, do të përkujtojnë 550-vjetorin e betejës së fundit me fitore të ushtrisë arbërore të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti në Krujë, më 24 prill 1467, pas një rrethimi të tejzgjatur nga pushtuesi osman, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje e rëndësishme mbarëkombëtare do të mbahet në datat, 22 – 24 prill 2017 me dëshirën që ‘Vallja e Fitores’ të bëhet traditë e përvitshme në Shqipëri. Aktivitetet do te zhvillohen në Vendvarrimin e Heroit, në kështjellat e Lezhës, Krujës, Shkodrës, Kepit të Rodonit, Muzeun Arkeologjik dhe në Amfiteatrin e Durrësit, thuhet në njoftim.

Sipas këtij programi: Do të vijnë 50 vetë (burra, djem, gra, vasha e fëmijë) të pajisur me veshje tradicionale. Në pasditen e dt. 22, grupi do të shkojë në Krujë, ku nga shtatorja e Gjergj Kastriotit, përmes Pazarit e deri brenda në Kështjellë, arbëreshët do të shpalosin traditën e kamotshme të trashëguar nga brezi në brez për më tepër se 500 vite, të betejës për jetë a vdekje të ushtrive osmane-arbërore, ku nga më i moshuari e deri te më i mituri, do të ndalin vajtimin e do të shijojnë gëzimin e fitores.

Ditën e dytë, grupi do të bëjë homazhe te Mauzoleu (vendvarrimi) i Gjergj Kastriotit në Lezhë, datë që përkon me ditëlindjen e Gjergjit, më 23 prill 1405 dhe ditën e martesës së tij me Donikën, më 23 prill 1451. Pasdite, grupi do të vizitojë Kështjellën ‘Rozafa’ në Shkodër, ku do të shpalosen traditat arbërore edhe atje. Ditën e tretë, në paraditen e dt. 24, grupi do të vizitojë kështjellat; në Lezhë e në Kepin e Rodonit. Kurse, pasdite, grupi do të vizitojë Muzeun Arkeologjik dhe në fund, Amfiteatrin e Durrësit.

To Top