Rajon-Botë

85-vjeçari i dhuron mbesës veshkën e tij

85

Mustafa Unlu është një 85 vjeçar nga qyteti turk Karaman, por mosha nuk e ka penguar të bëjë një vepër humane për të shpëtuar jetën e mbesës së tij 17 vjeçare të cilës ia ka dhuruar veshkën e tij, shkruan Anadolu Agency (AA).
Pas divorcit të prindërve të saj, që në moshë shumë të re Ayshe Unlu jeton me gjyshin e saj.
Kur ka mbushur 14 vjet, asaj i është diagnostifikuar dështimi kronik i njërës veshkë, për çka Ayshe mbeti e shtrirë në spitalin e Mersinit për dy vjet të tëra, por pas dështimit të plotë të dy veshkave, ajo filloi trajtimin në dializë.
Transplanti i veshkave ka qenë një mënyrë që ajo të mund të jetojë pa dializë një jetë normale, por në pamundësi që kjo të bëhet menjëherë, Ayshja është vendosur në një listë të pritjes.
Por, gjyshi i saj Mustafa nuk donte që mbesa e tij të priste në listë, dhe shprehu dëshirën dhe gatishmërinë e tij për ti dhuruar mbesës njërën veshkë. Pas të gjitha kontrolleve të kryera, u konstatua se veshka është e përshtatshme për Ayshen pas çka është kryer transplanti.
Pas operacionit të kryer me sukses, Ayshe për AA tha se ndjehet shumë e lumtur dhe se është shumë falënderuese për gjyshin e saj.
“Gjyshi tha se ishte i gatshëm ta dhuroj veshkën nëse do të ishte e përshtatshme. Shkuam në spital, kryem kontrollet dhe gjithçka doli pozitive. Tani të dy jemi të shëndetshëm. Unë jam gjallë dhe mirë dhe falënderoj gjyshin tim të cilin e dua shumë”, tha Ayshe Unlu.
Gjyshi i saj, Mustafa Unlu tha se nuk kishte hezituar fare lidhur me dhurimin e veshkës.
“Jo vetëm një veshkë, jam gati të jap jetën për mbesën time. Falënderoj Perëndinë që të dy jemi shëndosh e mirë. Zoti u ndihmoftë të gjithë të sëmurëve. Spitali ku u bë transplantimi nuk kërkoi para nga ne, e bënë falas. I falënderoj të gjithë”, tha Unlu.

To Top