Martesa e hershme nën moshën madhore që dikur ishin shumë të theksuar në shoqërinë kosovare, edhe pse në numër më të vogël ende janë të pranishme, ku partnerët të cilët hynë në këto martesa kryesisht janë gjinisë femërore.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë Kosovar për Statistika, vetëm në vitin 2014 në tërë vendin janë realizuar gjithsej 95 martesa, ku bashkëshortet kanë qenë të moshës 16 dhe 17 vjeçare, ndërsa nuk është realizuar asnjë martesë kur meshkujt i kanë takuar kësaj moshe.

Se femrat janë më të prekura nga martesat e hershme tregoi edhe Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, e cila deklaroi se numri i këtyre martesave ka filluar të rritet.

“Kjo e drejtë është dhënë për të evidentuar abuzime të ndryshme dhe është lejuar nga konventa të ndryshme ndërkombëtare që t’iu lejohet një martesë e ndryshme. Kjo në Kosovë veç është përdor në maksimum në disa vende të caktuara siç është regjioni i Prizrenit me shumë, nga fshatrat e lartë. E kemi një trend të numrave diku 74 femra në vitin 2010 kanë kërkuar që të martohen në këtë moshë dhe ky trend vetëm ka shkuar në rritje diku 84 femra kanë kërkuar që të martohen. Këtu diku është numri i të miturave që martohen në vit”, tha Demolli, raporton Kosovapress.

Ajo tha se këto martesa janë problematike dhe duhet të monitorohen ose të evidentohen dhe të ketë një mbikëqyrje më të madhe nga institucionet vendore. Demolli konsideron se ky kujdes institucional duhet të jetë më i madh, pasi që një 16 vjeçare nëse hynë në martesë dhe krijon familje mund të ketë probleme të mëdha sepse ende nuk e din se çka është familja.

Në anën tjetër, drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku tregoi se për t’u realizuar një martesë kur njëri bashkëshort është nën moshën 18 vjeçare , duhet që të bëhet një amnezi sociale me disa raporte mjekësore në mënyrë që të lejohet një martesë e tillë.

Mujku theksoi se në Komunën e Prishtinës për dy vitet e fundit janë realizuar vetëm 5 martesa të tilla. Por sipas tij, numri i madh i martesave të tilla është te komuniteti rom, i cili lë hapësirë për të dyshuar se ky numër është real .

“Ne shume shpesh ballafaqohemi me rastet sidomos te komuniteti rom se vajzat po hynë në martesë në moshën 13, 14 dhe 15 vjeçare. Shpesh kemi ardhur në kontradiktë me këto raste për shkak se është një problem që i paraprinë kësaj dukurie, konkretisht regjistrimet e më vonshme. Pasi një pjesë dërmuese e tyre nuk është regjistruar me kohë dhe në momentin e regjistrimit ata japin një ditëlindje të më vonshme dhe atëherë defakto i kanë 20 ose 21 vjeç dhe dejuro paraqiten 15 ose 16 vjeçar. Kjo është një situatë që shpesh duhet ta analizojmë dhe të shohim pse po ndodh kjo”, potencoi Mujku.

Mujku gjithashtu tregoi se këto martesa në shumicën e rasteve lidhen për shkak të interesit ekonomik, që janë të paragjykuara dhe të rrezikuara që të dështojnë dhe përballen me shumë probleme të natyrave të ndryshme të cilat fillojnë pas 4 ose 5 vjet martesë.

“Në disa raste këto martesa të cilat realizohen para moshës 18 vjeçare janë të lidhura ngushtë me aspektin interesit ekonomik, pra për rregullimin e dokumentacionit. Kemi raste kur ndoshta një më i moshuar gjendet jashtë vendit dhe me qëllim të rregullimit të dokumentacionit, ata krijojnë lidhje martesore, pra martesa të interesit”, tha ai.

Sipas raporteve të UNICEF-it, martesa e fëmijëve përfaqëson ndoshta formën më të përhapur të abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve, veçanërisht të vajzave.

Kurse në një raport të Fondit për Popullsi i Kombeve të Bashkuara- UNFPA, në Kosovë thuhet se regjistrimi i menjëhershëm i martesave të hershme është shumë i rrallë pasi që kremtimi me familje dhe shokë si dëshmitarë zakonisht është e mjaftueshme të konsiderohet si “martesë” dhe të martuarit zgjedhin të presin moshën 18 vjeçare për regjistrimin e kësaj martese.

Sociologu Shaip Hasni vlerëson se mentaliteti është arsyeja kryesore që shtyn në lidhjen e një martese të hershme.

“Tradicionalisht dikur edhe sot kemi sa të doni tek shoqëritë primitive, tek shoqëritë ku vetëdija shoqërore ka ngecur dhe për shkak të shumë komponentëve të tjerë duke filluar që nga bindjet deri tek tradicionale dikur ishin bindje që fëmijët në moshat e hershme i fejonin, i martonin e cila aspak jo vetëm që nuk ishte në rregull por me ligje, me standarde, me nivele dhe me civilizime shoqërore është një çështje e pakapshme dhe e patolerueshme”, tha Hasani.

Ndërsa, qytetarët vlerësojnë se për të lidhur një martesë mosha më e përshtatshme është mbi 25 vjet vjeçar, pasi sipas tyre deri atëherë njeriu ka fituar më shuam eksperiencë jetësore dhe është më i përgatitur për një hap të tillë.

18 vjeçarja Sona Thaçi mendon se mosha ideale për martesë është 25 vjeç për disa arsye.

“Tash e kryen shkollën, punësohesh, vetëdijesohesh, janë disa sene shumë më ndryshe se sa në moshën 18 vjeçare nuk mundesh me mendu shume sene”, u shpreh Sona.

Rexhep Ajazi, 67 vejçar vlerëson se martesat e hershme janë të ndikuara nga mentaliteti, ndërsa në ditët e sotme martesa duhet të lidhet pasi të arrihet një pjekuri.

“Për atëherë ka qenë ashtu mentaliteti, koha . Janë imponuar martesat mandej ai mentaliteti patriarkal dhe konservativ ta martoj djalin sa më herët, t’ia bi një nuse ka qenë atëherë e kohës e mirë. Ndërkaq për kohën e sotit duhet me kry fakultetin, me hy në punë, me siguru një farë ekzistence, një pjekuri si njeri, si bashkëshort i ardhëm”, tha qytetari Ajazi.

Loading...