A do mund të hartohen programe politike 4 vjeçare për një muaj?

Gati se të gjitha partitë tashmë një muaj para zgjedhjeve i kanë caktuar kandidatët me të cilët do të garojnë nëpër komuna. Gjithashtu janë caktuar edhe bartësit e listave për këshilltarë. Por sa do ta kenë lehtë kandidatët që brenda një muaji të hartojnë programe që do të plotësonin nevojat e qytetarëve?

Analisti Mefail Ismaili thotë se disa nga kandidatët do të kenë më e lehtë për shkak se ata tashmë kanë programet partiake të parealizuara me të cilat kanë dalë para elektoratit rreth dy dekada, ndërsa nuk kanë realizuar asgjë, ndërsa programi parazgjedhor ka mbetur vetëm program në letër.

“Kandidatët e partive të cilat do të garojnë për herë të parë në zgjedhjet lokale do ta kenë më të vështirë se nuk ka shumë kohë, por nuk do ta kenë shumë problem pasi tashmë hallet e qytetarëve në të gjitha vendbanimet janë të qarta”, tha Ismaili.
Sipas Ismailit, retorika e kandidatëve shqiptarë për fat të keq edhe në këto zgjedhje lokale do të fokusohet në premtimet për kushte elementare për jetesë, ujësjellës, kanalizime, rrugë të asfaltuara, shkolla, salla sportive dhe kështu me radhë.
“Mendoj se programi më i mirë parazgjedhor i kandidatëve do të jetë që të ulen me qytetarët, të dëgjojnë hallet e tyre, e ta marrin seriozisht punën që ato t’i realizojnë. Të punojnë t’i nxjerrin qytetarët nga jeta si në mesjetë”, përfundoi Ismaili.
Politologu Ariton Rama thotë se fokusi i partive politike është përkushtuar më shumë në kandidatin, strukturimin partiak sesa tek hartimi i një strategjie qeverisje mbi bazën e një programi konkret për funksionalizimin komunal dhe realizimin e interesave të qytetarëve.

“Uroj që nga partitë në këtë fushatë zgjedhore të paktën në duart e votuesve të jetë skica programore me definimet e ideve, planeve dhe stili menaxhuese që premtojnë kandidatët. Në komunat tona mungojnë projektet kapitale urbanistike, kushte elementare infrastrukturore jetësore, planifikimet hapësinore dhe inovacionet të ndryshme sociale, sportive dhe kulturore”, pohoi Rama.
Ai thotë se deri tash në opinion janë hapur temat madhore nga partitë që karakterizohen si premtime të përgjithshme dhe pa sens konkret realizimi që e bëjnë të kategorizohen si premtime utopike.

“Sygjeroj që kandidatët për kryetar komuna të japin premtime reale dhe të prekshme mbi gjitha të nevojshme për qytetarët, në këtë mënyrë skeletohet një program që familjarzon votuesin dhe kandidatin pra është urrë lidhëse mes dy poleve elektorale, ku kuptohet që çdo program duhet të ketë parasysh edhe vakumin për përmbushjen e disa planeve dhe gjatë mandatimit nëse fiton zgjedhje,” shtoi më tutje Rama.

Sipas tij, është koha për programe me këmbë në tokë, programe ku pasqyron realizmin social, ujin, dritat, parkingjet,shkollën, parqet , rrugët , tokën pjellore, qendrat rinore, fushat sportive, përkujdes për personat me aftësi të kufizuara etj, pra konform buxhetit komunal dhe jo projekteve madhore duke shterrur gjithë kapitalin buxhetor komunal për kamuflim të mjerimit të mbremshëm komunal.
“Padyshim esencialiteti i këtyre zgjedhjeve nëpër takimet me qytetarët nuk duhet të jetë qaji, këngë me qifteli, ose takim me fjalime medituese , por debat të hapur dhe të drejtpërdrejt për problemet konkrete komunale që duhet të gërshetohen në programe si premtime në partitë tona ,nga ana tjetër edhe elektorati duhet të jetë me vetëdije të lart qytetare për të votuar ku si kërkesë primare do ta ketë programin, ideologjinë politike dhe në fund kandidatin”, përfundoi Rama.

Zgjedhjet lokale në Maqedoni janë caktuar për 15 tetor.

Loading...