A do të dënohet Arbër Ademi për tenderin 5 milionë euro, apo do t’ia ruajë shteti rastin në “fiokë”?

Arsim Zyberi

Jo vetëm ne si juristë, por edhe laikët e kanë të qartë se me tenderin e ndarë në katër sy prej 5.3 milionë eurove, ministri Arbër Ademi ka bë vepër të rëndë penale. Edhe po të kishte qenë shuma 5.3 milionë denarë, një ministër nuk do të guxonte të ndajë tenderin në katër sy, e lëre më kur bëhet fjalë për 5 milionë euro.
Pas këtij tenderi, ai jo vetëm që nuk është i denjë të bartë postin ministror, por edhe duhet të japë përgjegjësi penale.
Për këtë arsye, dilema e vetme që mbretëron tani është nëse ministri do të merret në përgjegjësi për këtë keqpërdorim të rëndë të pozitës zyrtare, apo ndoshta do të vazhdojë praktika e deritanishme e autoriteteve për t’i futur në “fiokë” veprat penale të funksionarëve shqiptarë, që më pas t’i kenë nën komandë?
Nëse vazhdon kjo praktikë mbrapshtë, atëherë nuk është çudi që Arbër Ademi, jo vetëm të mos japë përgjegjësi, por edhe të avancohet në pozitë si Bujar Osmani.
Këtu tani jemi në test ne si opinion shqiptar. Ne nuk duhet të lejojmë diëka të tillë!
Edhe nëse qeveria e re eventualisht dëshiron të vazhdojë me avazin e vjetër, për t’i amnistuar funksionarët shqiptarë (por duke ua ruajtur dosjet në “fioka”), ne duhet të bëjmë presion që ministri të japë përgjegjësi. Po të mos ishte shqiptar, ai do të dënohej menjëherë, por si shqiptar mund të “kursehet” dhe të vendoset në përdorim.
Është gabim i madh nëse këtë tekst e shikojmë si një tekst ku kërkohet të dënohet një shqiptar. Thjeshtë është një tekst ku kërkohet përgjegjësi nga një funksionar, për të cilin është paraqitur dyshim i qartë se ka bë vepër penale.
Dallimi është shumë i madh. Sepse armiqtë tanë mund të na dëmtojnë shumë më tepër përmes një shqiptari me vepër penale që ka pozitë ministrore, se sa në mënyrë direkte. Armiqtë tanë shumë më tepër mund të na dëmtojnë me një “mashë” shqiptare, se sa me duart e tyre.
Përfundimisht duhet të ndryshojë qasja jonë ndaj politikanëve dhe funksionarëve që kryejnë vepra penale. Duhet të lëshojmë mentalitetin “boll na kanë vjedhë shkijet, le të na vjedhin pak edhe tont”. Sepse “tont” me vjedh një euro për veti, dhjetë euro duhet të na i vjedhin për me ua dhënë “shkijeve”. I vjedhin prej nesh, nuk i vjedhin prej tjerëve. Me këtë logjikë ne nuk shpëtojmë nga vjedhja prej “shkijeve”, por vetëm se dhjetëfishohet kjo vjedhje.

Prandaj të keqen brenda nesh duhet ta luftojmë vetë, nuk duhet të presim të na e luftojnë tjerët. Të tjerët vetëm mund ta ndihmojnë dhe ta kultivojnë të keqen brenda nesh, por ta luftojnë assesi.
Nëse pyetni se si mund ta kultivojnë armiqtë tanë këtë të keqe brenda nesh?, përgjigja është: Shumë lehtë! Një drejtor shqiptar që bën vepër penale e bëjnë zv/ministër. Zëvendës ministrin e bëjn ministër. Ministrin e bëjnë zëvendës kryeministër, ose kryetar Parlamenti. Zëvendës kryeministrin ose kryetarin e Parlamentit mund ta bëjnë edhe president shteti. Nuk është aspak çudi të ndodhë edhe kjo.
Mirëpo deri sa ia kanë dosjen dhe incizimet në “fiokë”, ai nuk është president, por vetëm një kukull në duart e armiqve tanë. Asgjë më tepër! Nuk ka kurrfarë hajri prej tij për shqiptarët!

Loading...