Gjatë qëndrimit zyrtar në Ankara kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka habitur shumë përkrahës të LSDM-së, duke i dhënë përkrahje të hapur luftës së Turqisë kundër FETO-s. Pas takimit me kryeministrin turk, Jilldirim, Zaev shumë qartë e ka apostrofuar këtë organizatë si “organizatë terroriste” duke premtuar bashkëpunim të plotë të Maqedonisë me Turqinë.

Shumë opinionistë që e përkrahin LSDM-në publikisht shprehin qëndrime anti-Erdogan, kurse te disa prej tyre nuk mungojnë as simpatitë e hapura për FETO-n.

Veç kësaj, si subjekt i afërt me FETO-n në Maqedoni shpeshherë në tekste mediale është përmendur edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partneri i kryesor i koalicionit i LSDM-së së Zaevit. Kjo parti përmendet si përkrahëse kryesore e kolegjeve “Jahja Kemal” dhe disa organizatave joqeveritare në Maqedoni, që Turqia i konsideron si strehimore të ‘terroristave”. Për këtë arsye parashtrohet pyetja nëse radhitja e Zaevit përkrah burrështetasve që luftojnë kundër Organizatës Terroriste Feto, do të ftohë raportet e tij me BDI-në dhe kryetarin e saj Ali Ahmeti?

Mendoj se kjo nuk do të ndodhë. Nuk do të ketë ndonjë ftohje të raporteve LSDM-BDI, ose Zoran Zaev-Ali Ahmeti. Ajo që do pritet të ndodhë është një pastrim i strukturave pro-FETO në BDI, deri në përjashtimin e plotë nga partia. Kryetari i BDI-së, si çdo herë në kësi situata, do të vendoset në anën e më të fortit. Tani e tutje në Maqedoni si duket kundërshtarët e FETO-s do të jenë shumë më të fortë se përkrahësit e tyre. /Ayhan Hatipi

Loading...