A munden maqedonasit të formojnë kombin e Maaqedonisë?

Ismail Ganiu

Nëse maqedonasit dëshirojnë të formojnë kombin maqedonas, siç ka bërë Amerika, atëherë duhet të ndryshojnë qasjen dhe sjelljen e tyre me të gjithë bashkpopujt tjerë që jetojnë në Maqedoni.
Nuk mundet që popujt tjerë, si shqiptarët, të llogariten si popuj të rendit të dytë dhe të paguajnë çdo gjë njësoj, e kur të vijë koha për të shfrytëzuar benefitet e këtij shteti të mos i kenë të drejtat e njëjta. Maqedonasit duan çdo gjë që ekziston në Maqedoni ta përvetësojnë si pronë, apo të drejtë vetëm të tyre, kurse nga ana tjetër, çdo gjë që duhet të kontribuohet për këtë shtet të marrin pjesë të gjithë të barabartë. Vallë a ka menduar dikush se gjer më tani çdo gjë në Maqedoni quhej vetëm maqedone? Përveç ushtrisë që emërtohet si ARM, çdo gjë tjetër përvetësohet si “makedonska”, pa e shpjeguar mirë nëse mbiemri përvetësor “makedonska” u përket të gjithëve, apo vetëm kombit maqedon. Me këtë, ata formonin kombin maqedon dhe jo popullin maqedon. Aludimi se në shume institucione, apo edhe detyra nuk janë të privilegjuar të marrin dhe pranojnë detyra edhe të tjerët, eliminon mendimin se ata ose nuk janë të besueshëm, ose nuk janë të denjë për ta kryer një detyrë të atij përcaktimi shtetëror, duke menduar se vetëm maqedonasit mund të jenë ata që duhet të udhëheqin dhe vetëm atyre u takojnë detyra të kësaj natyre. Vallë pse Amerika dhe amerikanët e zgjodhën një Barak Obama, apo një njeri me ngjyrë që t’i udhëheqë për shumë vite, kurse edhe shume detyra dhe poste te rëndësishme shtetërore udhëqin njerëz si Obama, etj? A nuk mendojnë maqedonasit se pse në shumë institucione shtetërore nuk ka udhëheqës të tjerë, por vetëm maqedonas? Ose dhe në ka, janë pastrues ose në detyra të parëndësishme shtetërore!
Le të behet një analizë dhe të shohim se sa të tjerë ka të angazhuar në poste në shume institucione, ku ata mendojnë se u takojnë vetëm maqedonaseve dhe jo të tjerëve! Mirë, ata të tjerët nëse nuk kanë besimin apo privilegjin që të udhëheqin, atëherë pse u deshka që të paguajnë çdo gjë njësoj për shtetin, i cili nuk u takon edhe atyre? Nëse popujt tjerë që jetojnë në këtë shtet nuk paskan arritur të jenë të shkolluar apo edhe të përsosur, a nuk janë vet maqedonasit fajtorë që nuk kanë investuar qe ata të arrijnë vlerat dhe kualifikimet e kërkuara apo të duhura, sepse janë mu ata që vendosin dhe kanë vendosur për çdo gjë në këtë shtet si shumicë? Dhe fundja, mos valle me qellim është bërë kjo, që të tjerët të mos kenë kuadro të duhura të përgatitura nga vetë shteti për interesat dhe nevojat e tij dhe ne mungesë të tyre të emërojnë vetëm maqedonas? Nuk dua të aludoj në padrejtësitë që u bëhen ca grupacioneve apo edhe qarqeve popullore, por nëse të njëjtit nuk u besojnë këtyre shërbimeve qeveritare apo shtetërore, si mund të kërkohet lojaliteti i plotë i tyre për
shtetin, shoqerinë, apo edhe në të gjitha sferat e jetës në Maqedoni? Pra njëherë duhet të krijohet besimi i fortë se të gjithë jemi të barabartë në këtë shtet dhe pastaj të kërkohet edhe lojalitet i plotë për të gjitha gjërat që u takojnë banorëve në këtë shtet.
Nuk ka shtet ne bote qe nuk ka probleme, por ato janë të lloj-llojshme. Maqedonia gati 20 vite e harroi veten duke menduar se e zgjodhi problemin me referencën BJRM. Mirëpo, ja qe paraqiten nevoja dhe kërkesa të ndryshme ne jetën dhe zhvillimin e çdo individi, e lëre më shteti, i cili duhet te ketë marrëdhënie të mira me të gjithë ata që ka nevojë të shkëmbejë mallra, lëvizje të lire të njerëzve dhe prodhimeve qofshin për import apo edhe eksport. Mu këtu qëndron edhe poenta se pse një shtet duhet të ketë marrëdhënie të mira në rend të parë brenda vetë shtetit, me fqinjët po edhe më larg. Dhe së fundmi, nëse nuk dinë shume gjëra se si duhet të udhëhiqen, duhet të mësojë nga të tjerët- nga ata që me të vërtetë kanë pasur problem të asaj natyre, ose që i kane tejkaluar ato me lehtësi. Ka edhe shumë gjëra kontestuese, apo që kërkojnë zgjidhe institucionale – qofshin ato njerëzore, ose të sferave të ndryshme, mirëpo duhet një qasje me më seriozitet dhe me një çiltërsi dhe dashamirësi më të qartë, për t’i zgjidhë ato problemë, duke i hjekur një nga një nga rendi i ditës dhe të vendosen aty ku duhet njëherë e përgjithmonë, për të mos u kthyer përsëri në pyetje dhe probleme të njëjta. Pra të mos e zgjas- edhe pse ka shumë gjëra që nuk u përmendën, po e shpreh edhe një mendim se edhe shtetet ballkanike kanë problemet e tyre, e sidomos fqinjët tanë. Edhe ata kanë nevojë për ndihmë dhe duhet të kërkojnë ndihme nga ata që i kanë tejkaluar këto probleme.
Pra, shqiptarët duhet të mësojnë të mbajnë shtet, kosovarët të dinë të formojnë shtet, maqedonasit të duan shtet dhe shoqëri multietnike dhe të jenë fqinj të mirë.

Loading...