A po shkon Maqedonia drejt humnerës? Flet nga SHBA-ja Arianit Hoxha, kreu i Ligës së Diasporës shqiptare

ArianitArianit Hoxha është një shqiptar i Maqedonisë në krye të LDSHM-së (Ligës së Diasporës shqiptare për Maqedoninë), në SHBA. Dhe si çdo shqiptar i atyre anëve, edhe ai po rron këto kohë më shqetësimin e madh të krizës politike që po kalon Maqedonia, krizë që ndër të tjera ka në fokus dhe fatin e shqiptarëve në këtë shtet. Në një intervistë dhënë për tesheshi.com, ai flet shkoqur duke adresuar kritika të forta ndaj dy partive shqiptare, ku njëra prej tyre, BDI, aleate në bashkëqeverisje me Gruevskin, është për të përgjegjëse kryesore në këtë krizë. Ai druan se nëse kriza maqedonase nuk merr një kahje për mirë, ky shtet rrezikon humnerën….

Bisedoi: Artlind Reçi

Si e vlerëson situatën post–marrëveshjes në mes komunitetit ndërkombtar dhe 4 partive kryesore në Maqedoni? A ka diçka që ju ngacmon, për mirë a jo për mirë në gjithë këtë zhvillim?

Mendoj se marrëveshja ka dinamikë konkrete të implementimit. Nga deklaratat që japin partitë politike e shoh se kur do fillojë implementimi i kësaj marrëveshje, e nëse përsëri nuk është nën diktatin e ndërkombëtarëve do krijohet krizë e re politike. Më vjen keq që kjo krizë nuk u shfrytëzua siç duhet prej ne shqiptarëve, që para të huajve të tregojmë se edhe çështja e shqiptarëve në Maqedoni të zgjidhej me dinamikë konkrete njëherë e përgjithmonë dhe këtu kanë faj të dyja partitë shqiptare që ishin pjesë e negociatave. E mira e kësaj marrëveshjeje është se të katër partitë pranuan se kemi prokurori dhe gjyqësor të politizuar, pasi pranuan prokuror special.

Unë mendoj se në këtë marrëveshje, puna e parë që duhet të implementohet është çështja e prokurorise speciale e cila do jetë epilog për të ashtuquajtura “bomba” të opozitës. Në rast se në zgjedhje shkohet pa epilog dhe pa dënim për krimet që janë bërë, pavarsisht nga kush, atëherë Maqedonia do hyjë në udhëkryq që nuk do mund ta nxjerrin as ndërkombëtarët; dhe kjo krizë e re ja do sjellë ose shkatërrimin e shtetit ose fuqizimin e diktaturës politike.

Ndërkohë opozita shqiptare nuk arriti dot të unifikohej dhe pas ndërhyrjes së faktorit përtejoqeanik….

Edhe përkundër gjithë angazhimeve që janë bërë edhe nga intelektualë të vendit edhe përmes shoqatave në diasporë, e veçanërisht përmes LDSHM-së në SHBA, përsëri e them haptaz se mosunifikimi nuk është për çështje parimore por thjesht për kapriço personale të disa prej udhëheqësve të këtyre partive të reja. Të gjithë këta pajtohen se çështja e shqiptarëve në Maqedoni ka ngecur, të gjithë vlersojnë se BDI dhe PDSH kanë dështuar në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, të gjithë vlerësojnë se ka ardhur koha për një marrëveshje të re mes komunitetit shqiptar dhe maqedonas pas dështimit të Marrëveshjes së Ohrit, të gjithë i dënojnë politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve, mirëpo kërkush nga këto parti nuk duan ta ulin veten në nivel të barabartë si partnerë për të rrëzuar këtë të keqe që quhet BDI dhe PDSH; çdokush në vetvete kërkon që të marrë bajrakun dhe kjo do t`i kushtojë duke i lënë ato parti të mbyllura në vetvete, që do funksionojnë vetëm si parti lokale në qytetet nga ku i kanë kryetarët dhe në zgjedhjet e ardhshme do pësojnë fatin partive të tjera që po për të njëjtat arsye u zhdukën nga skena politike.

Dua një vlerësim tuajin për punën e BDI-së gjatë negociatave dhe motos se tyre për integrim në BE dhe NATO….

Ne po shohim kohën e fundit se sa më shumë situata komike të na servojnë nga BDI-ja, aq më shumë pasoja tragjike ka për shqiptarët e Maqedonisë. Roli i BDI-së në këto negociata tregoi se ata janë të pajtuar me këtë nënçmim që Gruevski u bën shqiptarëve. Një parti e cila thirret në emër të popullit shqiptar, ndërsa aty ku duhet, si në rastin e negociatave për dalje nga kriza, nuk ngre asnjë çështje që do ishte në favor të shqiptarëve. Përralla e BDI-së se sakrifikojnë gjithçka vetëm për integrim në BE dhe NATO i ka dalë boja qëmoti. Ata janë në kundërshtim me vetveten sepse të kërkosh integrim në BE dhe NATO, ndërsa në negociata të mbash anën e VMRO-DPMNE-së, është hipokrizi. Të kërkosh integrim ne BE dhe NATO dhe të partizosh administratën publike, të politizosh gjykata, të mbushësh burgjet me njerëz të pafajshëm të dënuar politikisht, të jesh bashkautor në qeverisje që shkon drejt diktaturës, mendoj se është dyfytyrësi. Me politikanë të korruptuar, me institucione të kriminalizuara, Maqedonia asnjëherë nuk mund të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së, ndërsa për këta politikanë të korruptuar dhe këto institucione të kriminalizuara, përgjegjsia është e barabartë e atyre që qeverisin me shtetin dhe atë jo me pak se 7 vitet e fundit, pra përgjegjsia është e VMRO-së dhe BDI-së.

Po për PDSH-në, ç`opinion keni?

Në këto rrethana politike të krijuara PDSH ka mundur të bëjë diferencën gjatë këtyre viteve, mirëpo ajo çka u dëgjua edhe në të ashtuquajtura bomba të LSDM-së edhe nga veprimet politike të kësaj partie, unë mendoj edhe kjo parti do ketë fatin e PPD-së. Nuk them se do zhduket nga skena politike por do ketë përfaqësim minor; mirëpo përsëri do jetë faktor politik parlamentar në Maqedoni. PDSH e paguan çmimin e asaj që nuk ka patur asnjëherë kontinuitet në veprimin e tyre politik.

Konkretisht cilat janë angazhimet e juaja me diasporën shqiptare në Amerikë?

Nocioni diasporë është shumë i zgjeruar dhe unë mund të flas vetëm në atë pjesë ku unë jam angazhuar. Angazhimi im si përfaqësues i organizatës të quajtur LDSHM ka qënë në drejtim të ngritjes të interesimit të diasporës shqiptare për situatën me të cilën ballafaqohen shqiptarët në Maqedoni, dhe ky angazhim nuk është që tani por edhe kur kam qënë politikisht aktiv në vitin 2011 para se të themelohej LDSHM. Kam qenë në kontakt të vazhdueshëm më peronalitete që më vonë themeluan LDSHM. LDSHM është e themeluar në Chicago të SHBA-ve dhe funksionon si organizatë partnere e Ligës Shqiptaro-Amerikane të udhëhequr nga ish-kongresmeni Joe Dioguardi. Angazhimi i LDSHM-së është ekskluzivisht për çështjen e shqiptarëve në Maqedoni. Janë nisur disa iniciativa në SHBA për të sensibilizuar çështjen e shqiptarëve në Maqedoni përmes disa kongresmenëve miq të shqiptarëve dhe të z.Joe Dioguardi. LDSHM përmes Ligës shqiptaro-amerikane është duke punuar në inicimin e një rezolute në Kongresin amerikan për të dhënë vlersimin e politikës zyrtare të SHBA-ve se çështja e shqiptarëve në Maqedoni ka ngecje dhe duhet ndryshuar qasja e zgjidhjes të problemve dhe se shqiptarët duhet të jenë të barabartë në Maqedoni.

A besoni në një marrëveshje historike shqiptaro-maqedone dhe pse elementi ose çështjet shqiptare nuk dalin në horizont?

Marrëveshjet bëhen me partnerë të sinqertë, të barabartë në tavolinë dhe pa hipoteka kërcënuese. Nëse ne shqiptarët në Maqedoni do arrijmë të etablojmë subjekte politike dhe politikanë që nuk do kenë hipoteka tek shërbimet sekrete apo te partitë maqedone, jam i bindur që vetë maqedonasit do jenë të interesuar të bëjnë marrëveshje historike, sepse ata janë të vetëdijshëm se Maqedonia pa shqiptarët nuk mund të egzitojë. Çështja e shqiptarëve në Maqedoni zgjidhjet përmes federalizimit institucional dhe kjo herët ose vonë do të ndodhë.

Si e shihni shoqërinë tonë multikulturore dhe multietnike, a do të mbijetojë ky shtet me këto politika?

Shoqëri multietnike ka SHBA, ka Belgjika, tani Franca, Gjermania etj. Nëse shteti kujdeset në mënyrë të barabartë pët të gjithë qytetarët atëherë edhe qytetarët kujdesen për shtetin. Te ne në Maqedoni kemi paradokse. Shqiptarët janë të cilësuar si kategori numerike, si 20% ndërsa përmes taksave, tatimeve dhe shpenzimeve që pagojmë bashkë me mërgimtarët shqiptarë, buxhetin e shtetit e mbushim mbi 50%. Përderisa në SHBA gjuha spanjolle u bë zyrtare në gjithë shtetin, në Kanada gjuha frënge është gjuhë zyrtare poashtu për gjithë shtetin, ne këtu në Maqedoni nuk e përdorim dot aty ku shqiptarët janë ndër 20%.

Ju tregoj me numër jo me përqindje që mbi 10 mijë shqiptarë në Manastir nuk e përdorin dot shqipen si gjuhë zyrtare, mbi 5000 banorë në Resnjë dhe mbi 7000 mijë në Veles nuk e përdorin dot gjuhën shqipe, dhe tani e parashtroj unë pyetjen a është kjo shoqëria multietnike? Prandaj vlerësoj se me këto politika dhe me këtë mentalitet politik që ka ky shtet mund të them se Maqedonia po shkon drejt humnerës.

Ndërkohë, edhe në planin ekonomik e financiar, ndërkombëtarët kanë dhënë paralajmërimë të frikshme për Maqedoninë. Thua të ketë fatin e Greqisë?

Atë që Greqia e pësoi sot është si pasojë e politikave të gabuara para 7-8 viteve, që jo vetëm nuk e prandaluan këtë situatë por i fshehën bilancet dhe vazhduan me shpenzimet joproduktive dhe me investime të pakthyshme. Maqedonia në 3 vitet e fundit me politikat e saj ekonomike po shkon me vetëdije drejt falimentimit. Realisht, nëse nuk do ishte mërgata e cila vjen gjatë verës dhe harxhon para kesh, Maqedonia mund të falimentonte shumë shpejt. 1/4 e buxhetit mbushet pikërisht nga këto të ardhura dhe këtë nuk e them unë por e kanë vlerësuar ekspertë ekonomikë. Për dallim nga Greqia mendoj se Maqedonia mund ta pësojë akoma më keq. Sepse Greqia si anëtare e BE-së prapë ka shpresë se do shpëtojë nga këto situata, ndërsa Maqedonia do mbetet në mëshirë vullnetit të shteteve më të fuqishme ekonomike, të cilat në këto rrethana me këto politika shtetërore nuk besoj se do kenë zemërgeërësi për të ndihmuar Maqedoninë.

A besoni në konceptin ‘qytetar të shtetit’ ose në shtete të pastra etnike?

Besoj që çdo individ ka të drejtën të jetojë në një shtet si i barabartë dhe vetëm si i barabartë duke i gëzuar të gjitha të drejtat për tu arsimuar, folur dhe shprehur në gjuhën që flet, për të mbajtur traditat dhe zakonet kulturore që ka trashëguar nga të parët dhe për të jetuar qetë dhe pa brenga. Duke respektuar kombin dhe duke kultivuar vlerat kombëtare. Besoj se kjo është koncepti që do dëshironin të gjithë për shtetin ku jetojnë. /tesheshi.com/

Loading...