Kur nuk shikohet realiteti

Brenda 6 muajve për herë të dytë po bëjmë apel te ju, bashkatdhetarë të nderuar, që nëse nuk mundeni realisht të na ndihmoni, mos na i ngatërroni punët edhe ashtu të bëra lëmsh! Mos e futni në huti popullin e shkretë, që në emër të atdhedashurisë dhe shqiptarisë akoma po ju dëgjon, që ashtu ta orientoni në përcaktime dhe preferenca politike për interesa tuaja klanore dhe biznesore.

Zhvillimet politike në Maqedoni, posaçërisht në vitin e fundit, në pikëpamje të trajtimit dhe nënçmimit të dinjitetit shqiptar, kanë eskaluar tejmase dhe, për befasi, vazhdon indiferenca e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare ndaj regjimit maqedonas. Që të jetë gjendja edhe më e keqe, eklipsi i perspektivës shqiptare nuk është vetëm rezultat i raportit të shteteve tona ndaj regjimit maqedonas, por brengos edhe më shumë sjellja dhe “jarania” ndaj “elitave politike shqiptare” në vend!

Plotësisht të vetëdijshëm për debatet, dilemat dhe bile mospajtimet që mund të shkaktojë ky opinion, edhe pse në aspektin e autorit nuk është as i pari dhe as do jetë i fundit, se shumëkush e kanë trajtuar këtë temë në këtë kontekst edhe me ashpër se kaq, për çfarëdo keqkuptimi dhe nxjerrjeje nga konteksti, kërkoj falje paraprakisht!

Që prej pavarësisë së Maqedonisë shqiptarët kanë qenë të keqtrajtuar dhe bile të ranguar më keq se qytetarë të rendit dytë – vend ky i rezervuar për serbët, turqit, vllahët dhe gjithë të tjerët, përveç shqiptarëve! Për saktësi dhe mendjembajtje, duhet përmendur ndodhitë e maltretimeve shqiptare që nga Bit Pazari, Ladorishti, Reçica, Gostivari…, të gjitha këto nga viti 1992 e deri në vitin 1997. Kjo ishte periudha kur Kosova ishte nën okupim barbar serb, kurse Shqipëria e zhbërë dhe e paaftë të ruajë edhe kufijtë e saj.

Dhjetë vite më vonë, nga 2008-ta e këndej, konteksti shqiptar në regjion dhe situata me shtetet tona shqiptare (Shqipëri e Kosovë) është krejt ndryshe. Shqipëria është në NATO dhe Kosova është e pavarur. Krahas kësaj u realizua kryengritja shqiptare në Maqedoni dhe me plotë të drejtë mund të thuhet se u fitua lufta dhe u gjunjëzua regjimi, por ama gjendja e shqiptarëve shkoi vazhdimisht duke u përkeqësuar. Sopoti, Brodeci, Smilkova, Karposhi, Tanusha, Malina, Breza, Kumanova (Lagja e Trimave) e, së fundi (nëse ngel me kaq deri në botimin e këtij artikulli), Mateçi, Hotla…, janë format më barbare të trajtimit të shqiptarëve, absolutisht në të gjitha rastet me paramendime, skenime dhe montime për pretekst të trajtimit kafshor të shqiptarëve, përfshirë këtu fëmijë, gra dhe pleq! Thjesht, na e thyen dinjitetin që e krijuam me fitoren e luftës së 2001-shit. Një pjesë e madhe e këtyre skenarëve, tanimë të njohura, u dëshmuan edhe nga “bombat dhe përgjimet” e publikuara.

Edhe vendndodhja e skenarëve asokohe dallonte nga këto të sotmet – atëherë gravitonin rreth dhe afër Shqipërisë (rasti i Ladorishtit), kurse sot kryesisht gravitojnë rreth Kosovës (nga Kumanova e deri në Brezë e Malinë). Kjo strategji e laboratorëve eksperimentalë me shqiptarët krejtësisht e qëllimshme “me një udhë e dy punë”, që duke maltretuar shqiptarët e zonave afërkufitare të involvohen edhe shtetet shqiptare, sepse dikur Shqipëria ishte jofunksionale, kurse sot Kosova duhet t’u shërbejë për etiketim si burimi i jostabilitetit regjional! Sot kemi dy shtete me kompaktësi etnike territoriale dhe regjionale, me përkrahje aq të fuqishme ndërkombëtare, me gati gjysmë popullate të një gjaku e shpirti brenda shtetit “gjysmë sanduiç” (Maqedoni). Me shume të drejt studiuesi i historisë Mathieu Aref në veprën e tij (botimi parë “Plejad”, 2007), të titulluar “Shqipëria – Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen” në mënyrë konsistente, të faktuar dhe me dëshmi relevante historike konstaton se (citoj): “Asnjë shtet tjetër në Europë si Shqipëria nuk ka popull të pandashëm dhe të pashkëputshëm – me etninë e tyre, gjuhën, kulturën, zakonet dhe doket e tyre. Ata jetojnë në të njëjtin vend stërgjyshor qysh nga kohët parahistorike”, edhe pse jo brenda kufijve të saj. Megjithatë, Tirana dhe Prishtina, dy kryeqendra administrative të të njëjtës tokë, sot akoma po qëndrojnë me një indiferencë të pakuptueshme rreth të gjitha zhvillimeve antishqiptare mu në zemrën e kësaj kompaktësie territoriale! Krejt kjo në emër të parimit për “mospërzierje” ne punët e brendshme të një vendi. Pse dhe si mund të shpjegohet gjithë kjo indiferencë?

I vetëdijshëm se duhet ta respektojmë parimin e mospërzierjes në punët e brendshme të një vendi, së paku, sikur të mos ishin përzier edhe atje ku nuk duhet! Aq më pak nuk i ka hije Tiranës zyrtare, po pse jo edhe Prishtinës, me arsyetimin e parimit të së drejtës ndërkombëtare të qëndrojnë aq indiferentë ndaj zhvillimeve në Maqedoni, ku mbi 1/3 e popullatës është pjesë e një gjaku, shpirti dhe materie gjithashtu. Të gjithë “promovohemi” si një të tërë, jashtë kufijve administrativë shtetërorë kur bëhet fjalë për tregun “e përbashkët” për prodhime e shërbime (edhe turistike), përkrahje eurovizioni ose për kombëtaren tonë të përbashkët. Tash për tash i lumtë kësaj të fundit për emocionet dhe kënaqësinë që na bënë duke qenë shqiptarë.

Ndjehemi jo mirë kur, për shembull, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, me rastin e vizitës pas vërshimeve në zonën e Sharrit dhe Tetovës, në rolin e një fqinji “të kujdesshëm” deklaroi se nuk “na takon neve të vlerësojmë” lidershipin tuaj në vend, duke iu përgjigjur kontekstit të mjerimit të shqiptarëve në këtë anë të kufirit. Për çudi, sikur ky ministër të ketë rënë nga Marsi dhe të ketë harruar për këto 20 vite se sa herë janë përzier dhe kanë tollovitur shumë procese, që nga përçarjet e thella në subjektet politike të asaj kohe, bile duke krijuar edhe “blloqe” politike “të dëshiruara” dhe “të ndaluara”! Ata shkuan aq larg sa që dikë e shpallnin “atdhetar” (që sot u dolën tradhtarë të dëshmuar dhe të vetëdeklaruar) dhe dikë “tradhtar e puthadorë” të sllavëve, që sot po kërkohen gjithnjë e më shumë! Në këtë frymë edhe i ndjeri Presidenti Rugova u shpall i padëshirueshëm nga elitat konjunkturale të kohës nga Tirana zyrtare. Shërbimet “respektive” sekrete u lëshuan në likuidime dhe “gjuajtje shtrigash”, ashtu që një pjese të viktimave ose të martirëve akoma sot e kësaj dite nuk ua gjejmë dot varret e tyre! Të mos i shtojmë këtu përzierjet dhe “jaranitë” fisnore e klanore të lidershipit kombëtar (që nga Tirana, Prishtina e Tetova). Ata disa herë i kanë ndryshuar orbitat dhe “vëllazëritë”, varësisht nga interesat dhe jaranitë! Filani me fistekun nëpër biznese, transaksione, partneritete, bile edhe dasma e plazhe private në kurriz të popullatës ose publikut! Që të jetë e keqja më e madhe, edhe shumë mediume gjithandej “shesin” hapësirat e tyre promovuese për maskarenj, që neve na torturojnë si popull gjithëkëndej. Shumë “analistë” demagogë përtej kufijve tanë po na “vlerësojnë” frutat e “elitave” tona politike, shkruajnë analiza dhe opinione të porositura dhe shpesh me çmime marramendëse dhe vlera të parapaguara. Siç duket, “tregu” jonë akoma i pastrukturuar dhe jofunksional po i pranon të gjitha këto pseudovlera kombëtare. Çfarë “përzierje” janë këto lloje? Pse këtu nuk e respektoni parimin e mospërzierjes në punët e brendshme? Kush ua jep të drejtën “ta privatizoni” interesin publik? Mos vallë nëpër këto ndeje debatoni për Abetaren e përbashkët kombëtare, historinë shqiptare apo unifikimin e përbashkët gjuhësor?! Për çfarë sistemi vlerash po debatoni dhe krijoni, për çfarë universitetesh e spitalesh po kuvendoni?

Brenda 6 muajve për herë të dytë po bëjmë apel te ju, bashkatdhetarë të nderuar, që nëse nuk mundeni realisht të na ndihmoni, mos na i ngatërroni punët edhe ashtu të bëra lëmsh! Mos e futni në huti popullin e shkretë, që në emër të atdhedashurisë dhe shqiptarisë akoma po ju dëgjon, që ashtu ta orientoni në përcaktime dhe preferenca politike për interesa tuaja klanore dhe biznesore. Haptazi nëpër kuluaret e trojeve shqiptare në Maqedoni po flitet për “logloringun” (sistemin e blerjes së preferencave/votave) që po tregtoni ju me vizitat dhe takimet “vëllazërore” që neve në realitet na rezultojnë më shumë djallëzore! Në funksion të gjithë kësaj rrëmuje, mjegullie dhe ngatërrese të krijuar kemi një lutje vëllazërore – së paku na lini rehat nja 6 muaj (deri në prillin e ardhshëm). Pushoni së suportuari dhe legjitimuari këto struktura që na bënë rrëmujë me gjithçka!

Ju shumë mirë e dini, por nëse jo, ne po jua kujtojmë se a thua vallë sa herë që do të përlyhen këta “tanët” këndej, do të vijnë “të shpërlahen” andej?! Dhe, ju të dashura elita politika, të të gjitha krahëve (me disa përjashtime shumë të vogla), po i pranoni, legjitimoni dhe faktorizoni. A thua nuk u shkon në mëndje pse aq shumë preferojnë t’ju takojnë? A thua nuk e dini pse janë në gjendje që aq shtrenjtë ta paguajnë një pjesëmarrje në emisione andej? Kuptohet me gazetarë dhe tema të porositura. Sepse, këtu s’kanë lënë fytyrë për t’u paraqitur. Madje, edhe ato pak mundësi që i kanë pasur, pas të vërtetave në “bombat” e Zevit i zbehën aq sa shpërtheu edhe slogani “gjithmonë BDI”! Shpërtheu edhe partia e jarania, bile me Gjeneralin që i udhëhoqi në dy luftëra. Pas dhjetërave funksioneve që i barti atje, po ata vetë e shpallën tradhtar dhe bashkëpunëtor të UDB-së. Tani të kapur në panik organizojnë shfaqje promovimi si “forcë fituese”!

Janë shumë të mëdha nevojat tona për koordinim, bashkërenditje, unifikim dhe bashkëveprim. Për vepra dhe punë të mbara kemi shumë nevojë për sinergjinë kombëtare. Por, përderisa nuk arrini të na ndihmoni, mos na pengoni! Jua dimë shumë për nder të na respektoni dhe mbroni, por jo si deri më tani. Pa u thelluar në esencë, çdokush nga ju andej do të thoshte se “ju vetë i votoni dhe legjitimoni”. Shumë e vërtetë, por ju na impononi, sepse po i afirmoni ata. Ju i keni shërbimet respektive sekrete, që mund të vijnë te të gjitha informacionet e papublikuara në “bombat e Zaevit”. Ju keni përfaqësitë diplomatike këndej dhe mund të vini në informacione burimore. A e dëgjuat nga përgjimet si komunikojnë mes vete sllavët dhe në emër të interesit shtetëror. Ata vazhdojnë t’i mbajnë të burgosur shqiptarët e “Sopotit”, edhe pse vetë konstatojnë se s’ka dëshmi për fajësi. Më shumë se një dekadë këto viktima kalben në burgjet sllave krejtësisht të pafajshëm. Këto dhe shumë raste tjera duhet të jenë në bazën e të dhënave të shërbimeve tuaja, që ashtu ta mësoni se deri ku ka “rënë pazari”! Shkëmbimet e informacioneve të tilla janë pjesë e marrëveshjeve reciproke për çështje të sigurisë dhe stabilitetit në regjion. Interesohuni pak se çfarë është biseduar me Zaevin në Izrael!

Shkurt dhe për fund: problemi qëndron te interesat ditore individuale të “elitave” tona pa fije turpi! Gjërat janë të tejdukshme deri në atë masë sa duket banale përpjekja për t’u kamufluar. “Elitat” tona në Maqedoni janë aq të djallëzuara, saqë s’mund ta luajnë më rolin e të pafajshmit. Ato duken qartë si e zeza mbi të bardhën dhe atyre duhet thënë troç: “Shporruni përgjithmonë!”. Ndoshta nuk kemi garanci për alternativat politike, por kemi dëshmi të mjaftueshme se strukturat aktuale duhet të shkojnë në histori të turpëruar, ashtu siç e kanë merituar.

 

Loading...