Partizani i Tiranës ka komunikuar dje mbylljen e bashkëpunimit me sulmuesin Besart Abdurrahimi. 28-vjeçari iu bashkua “demave” në janarin e këtij viti, ku falë eksperiencës së tij pritej shumë.
Sulmuesi u aktivizua në 11 ndeshje në kampionat, ku shënoi 2 gola. Nëpërmjet postimit në faqen zyrtare, Partizani tregon se marrëveshja është ndërprerë me mirëkuptim dhe lojtari do të jetë i lirë.
Ja njoftimi: “Klubi njofton mbylljen e bashkëpunimit me Besart Abdurrahimin. Sulmuesi 28-vjeçar dhe drejtuesit kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim marrëveshjen mes tyre, duke i dhënë mundësi lojtarit të jetë i lirë. Abdurrahimi ishte pjesë e skuadrës nga fillimi i këtij viti dhe me fanellën e kuqe regjistroi 11 ndeshje duke realizuar edhe dy gola. Klubi i uron njëkohësisht Besart Abdurrahimit suksese në karrierën e tij sportive”.

Sulmuesi u “ftoh” me të kuqtë pas përfundimit të Ligës së Europës, ku ndaj Mariborit luajti si zëvendësues, pasi u tha se kishte pësuar një lëndim në fazën përgatitore në Ohër. Në dallim nga të tjerët, është thënë se Abdurrahimi ka pasur dëshirë vetë të largohet, duke e motivuar me arsye familjare. Përveç lëndimit në gju, që mendohej se mund të operohej, mësohet se lojtari kishte babanë të sëmurë dhe gruan shtatzënë, ndaj kishte kërkuar që të ishte pranë familjes në Zagreb.

Loading...