Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se projektbuxheti për vitin 2019, është joreal dhe ka për qëllim të joshë kategori të caktuara përmes transfereve apo programeve sociale në funksion të zgjedhjeve parlamentare që do të duhet të realizohen në pranverën e vitit të ardhshëm, eventualisht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Por, ministri i Financave të Maqedonisë, Dragan Tevdovski, duke arsyetuar buxhetin e shtetit për vitin 2019 , ka thënë se ai është zhvillimor, në bazë të së cilit janë paraparë edhe më shumë investime kapitale. Tevdovski ka thënë se në bazë të buxhetit, është paraparë që të rriten pagat e administratorëve për 5 për qind.

Visar Ademi njohës i çështjeve ekonomike, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se buxheti i Maqedonisë është buxheti më social në historinë e saj, që nga pavarësia e shtetit për faktin, siç është shprehur ai, se ’36 për qind e buxhetit peshon në transferet dhe programet sociale. Kjo, sipas tij, tregon se buxheti nuk ka komponentë zhvillimore’.

“Nëse e kemi parasysh se vitin e ardhshëm në Maqedoni do të mbahen zgjedhjet presidenciale, ndërsa vendi mund të përballet me zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe me këtë agjendë të ngjeshur ndërkombëtare, mendoj se ekonomia duhet të presë edhe pak. Në një vend ku ke mungesë të stabilitetit institucional dhe tërë kohen je në udhëkryq se a do të ekzistojë ose jo shteti, sektori privat është i pari ai që bëhet i ndjeshëm sa i përket investimeve, të mos flasim për kompanitë e huaja”.

“Pra, është e çuditshme në një situatë të këtillë se si planifikohet rritje ekonomike prej 3.2 për qind për të mbushur arkën e shtetit, mos të them se është pamundur. Mendoj se pushteti do të fokusohet në paketa sociale, sepse ata e dinë më së miri se do të ketë zgjedhje në Maqedoni dhe në zgjedhje do të duhet të blihen grupet e interesit dhe si të tillë këtu janë personat që kanë nevojë për asistencë sociale , janë pensionistët dhe janë studentët. Në një situatë të këtillë, nuk shoh rritje ekonomike, sepse këtë nuk na e mundëson modeli ekonomik në këtë formë siç është projektuar buxheti i shtetit”, ka vlerësuar Ademi.

Loading...