Njëzet e dy libra të korrigjuar për vitin shkollor 2018/2019 do të dorëzojë Ministria e Arsimit dhe Shkencës nëpër shkollat. Për herë të parë nga ky vit shkollor të gjithë librat të cilat MASH-i i siguron falas për nxënësit njëkohësisht do të jenë në shitje të lirë edhe atë me çmimin e njëjtë me të cilin i blen Ministria.

Këto janë një pjesë e aktiviteteve konkrete të cilat i ndërmori MASH-i për sigurimin e arsimit sa më të mirë dhe më cilësor për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme të nxënësve, ndërsa të cilat sot në pres-konferencën për media i prezantoi ministri i këtij dikasteri Arbër Ademi.

Ai theksoi se të gjithë nxënësit nga klasa e parë, e dytë dhe e tretë do të kenë komplete të reja të librave çdo vit shkollor.

“Në vijim është procesi i përgatitjes së 31 librave të rinj për arsim profesional. Nga ky vit për herë të parë zbatohet gjuha italiane si gjuhë e dytë e huaj”, potencon Ademi.

Drejtoresha e shërbimit pedagogjik Vanja Veleva tha se duke iu referuar ndryshimeve në Ligjin për librat e shkollave fillore dhe të mesme të iniciuara nga Qeveria, ndërsa janë miratuar nga Kuvendi, janë mundësuar intervenime në më shumë se 30 për qind nga përmbajtja e librave.

“Procesi gjithëpërfshirës filloi me zbatimin e anketës nëpër shkolla përmes së cilës morëm sinjalin fillestar për nevojat konkrete të ndryshimeve në përmbajtjet e librave të caktuara. Detyra jonë primare, të gjithë së bashku të kontribuojnë për arsimin cilësor, është dhe do të jetë prioritet i kësaj Qeverie dhe të MASH-it”, shtoi Veleva.

Loading...