Ademi kundërshton idenë e Mickovskit për gjimnazin në Tetovë

Pas kërkesës së kreut të VMRO-së Hristijan Mickovski, që paratë e parapara për fushatën e referendumit, të dedikohen për ndërtimin e objektit shtesë të gjimnazit të Tetovës, “Kiril Pejçinoq”, ka reaguar sot Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Arbër Ademi. Ai në prononcimin e tij për Alsat, tha se mjetet për ndërtimin e gjimnazit janë të ndara tanimë dhe nuk janë të nevojshme mjete shtesë.

Ajo që mund të them dhe të siguroj mbarë opinionin është se Ministria e Arsimit dhe Shkencës në përputhje me planin vjetor për furnizime publike, për vitin 2018, ka paraparë dhe rezervuar mjete në vlerë prej 31 milion denarësh, për përmirësimin e kushteve hapsinore, infrastrukturore, dedikuar për shkollën e mesme “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me pushtetin lokal, komunën e Tetovës për realizimin e këtij projekti”- u shpreh Arbër Ademi, ministër i Arsimit.

Përndryshe, ditë më parë, Mickoski u kërkoi deputetëtve të partisë së tij që paratë që u takojnë për fushatën e referendumit nëse konfirmojnë pjesëmarrjen, t’i donojnë për një objekt të ri për gjimnazin.

Do të propozoj që grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, nëse ekziston mundësi që pjesa e mjeteve të cilat janë dedikuar për VMRN-DPMNE-në të ridedikohen dhe të njëjtat të donohen për t‘u ndërtuar objekt i ri në përbërjen e objektit të madh të Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë. Nëse ekziston pengesë juridike për këtë, VMRO-ja do të heqë dorë nga pjesa e mjeteve dhe publikisht do të kërkojmë që të njejtat para te kthehen në buxhet, dhe do të kërkojmë që Qeveria t’i investojë mu në këtë shkollë të Tetovës”- theksoi Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Deri tani disa herë është premtuar ndërtimi i pjesës shtesë të objektit të gjimnazit “Kiril Pejqinoviq” në Tetovë, nga disa udhëheqës të dikasterit të Arsimit. Deri më tani, nuk ka pasur as edhe projekt konkret, e jo më të ndahen mjete për ndërtimin e tij.

Loading...