Loja për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe BE nuk ka humbur. Përkundrazi, tani ka filluar. Parlamenti duhet ti jap goditjen e fundit dhe ta mbyllë pozitivisht vullnetin e mbi 600 mijë votuesve që u shprehën për anëtarësim në këto dy institicione ndërkombëtare. Kështu në emisionin Rruga Drejt në Alsat-M ka thënë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, sipas të cilit, ka pasur parti politike shqiptare, duke aluduar tek Aleanca për Shqiptarët, që nuk janë angazhuar seriozisht për suksesin e referendumit të 30 shtatorit.
“Jam kundër qëndrimeve që thonë se referendumi dështoi. Janë mbi 600 mijë vota për anëtarësim në NATO dhe fillim të bisedimeve me BE. Loja për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe BE nuk ka humbur. Përkundrazi, tani ka filluar. Parlamenti duhet ti jap goditjen e fundit dhe ta mbyllë pozitivisht vullnetin e mbi 600 mijë votuesve që u shprehën për anëtarësim në këto dy institucione ndërkombëtare”, tha Ademi, transmeton gazeta KOHA.

Ai është shprehur se Qeveria ditën e hënën, kur e miratoi nevojën për ndryshime kushtetuese dhe të njëjtën e dorëzua në Parlament, ka respektuar të gjitha procedurat dhe dispozitat ligjore në këtë drejtim.
“Më lejoni të konstatoj se bëhet fjalë për vendim në pajtim me të gjitha dispozitat ligjore. Përpjekjet e zotit Ali Ahmeti dhe BDI janë që të kemi proces të mbyllur brenda Parlamentit.
Është tejet inkurajues debati që po zhvillohet në Parlament. Unë gjykoj që çdo deputet duhet të vlerësojë sipas bindjes petsonale – nëse do të futemi dhe mbërthehemi nga pasiguria apo izolimi, apo hapja drejt të ardhmes eurointegruese”, ka thënë Ademi
Duke pasur edhe një element kushtetues, ka vijuar më tej Ademi, secili deputet ka mandat të lirë dhe atë mandat ia ka borxh vetëm elektoratit të tij dhe jo partisë.
“Prandaj shpresoj se do ketë deputet që mendojnë për të ardhmen e ndritur të vendit”, tha ministri i Arsimit.
Ademi ka shtuar se, i madh e i vogël e dinë tashmë se strategjia e BDI-së dhe liderit Ali Ahmeti është anëtarësimi në NATO dhe BE dhe në momentet kyçe, askush nga BDI nuk dëshiron që për pikë politike, të hap çështje tjera që kanë të bëjë me Kushtetutën e shtetit.
“Bashkimi Demokratik për Integrim është parti serioze e përgjegjshme me përcaktime të qarta programore dhe politike dhe i mbështesim këto ndryshime kushtetuese, pa e ngarkuar situatën edhe më shumë me kërkesa tjera. Anëtarësimi në NATO dhe në BE është qëllimi i qytetarëve të vendit dhe kjo është edhe synimi ynë”, tha Ademi, sipas të cilit, për momentin, shumë më me rëndësi është miratimi i ndryshimeve kushtetuese që sjell NATO-n sesa agjenda tjera politike të brendshme.
“Relacionet gjeostrategjike janë në radhë të parë në këto momente. Agjendën nuk duhet ta ngarkojmë me tendenca të komplikuara kur situata është e komplikuar. Ne duhet ti inkurajojmë deputetët të votojnë ndryshimet kushtetuese, sepse kjo hap rrugën drejt të ardhmes të ndritur”, tha Ademi, duke përsëritur se është optimist në sigurimin e dy të tretave të votave për ndryshimet kushtetuese. (koha.mk)

Loading...