Koha e pushimeve nëpër institucionet e arsimit të lartë ka shkaktuar jo pak telashe për studentët, të cilët nuk arrijnë të sigurojnë vërtetimet dhe dokumente të ngjashme që lëshohen nga ana e fakulteteve. Nëpër universitetet ku ata studiojnë, jo rrallë herë ndodh që të gjithë të punësuarit në shërbimet e çështjeve studentore të marrin lejet e pushimeve dhe me këtë të mbyllin zyrat ku studentët duhet të marrin vërtetimet, shkruan gazeta KOHA.

Moskordinimi në caktimin e datave të pushimit vjetor, për të punësuarit në shërbimet e çështjeve studentore, ka vënë në pikëpyetje konkurrimin e studentëve për vendosjen nëpër konvikte për vitin akademik 2018/2019. Për studentët që nuk do të jenë viti i parë, afati i dorëzimit të dokumenteve përfundon më 17 gusht 2018, kështu që dyert e mbyllura për disa ditë në zyrat e shërbimeve studentore kanë shkaktuar panik te studentët. Mirëpo, që të mos ndodh “e keqja”, është vënë në lëvizje edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila u kujton universiteteve se duhet të jenë në shërbim të detyrës. Përmes një letër-qarkore, të nënshkruar nga ministri Arbër Ademi, gjashtë universiteteve publike në vend u kërkohet që ti pajisin studentët me dokumentacionet që u nevojiten atyre për konkurrim.

“Ju lutemi që t’ju dilni në ndihmë studentëve duke iu dhënë në kohë dokumentet e nevojshme për konkurrim, që të mund t’i paraqesin të njëjtat brenda afatit të caktuar kohor për vendosje nëpër shtëpitë e studentëve”, përcjell KOHA letër-qarkoren drejtuar Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup, Universitetit “Klimenti i Ohrit” në Manastir, Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Universitetit “Apostol Pavle” në Ohër, Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip dhe Universitetit të Tetovës.

Në lëtërqarkoren e cila mban datën 1 gusht, MASH ua bën me dije universiteteve në fjalë se afati i dorëzimit të dokumenteve për pranim në konviktet shtetërore dhe objektet tjera për vendosjen e studentëve përfundon në datën 17 gusht të këtij viti. Me Konkursin që ka shpallur MASH për këtë qëllim, në dispozicion të studentëve do të jenë5496 vende, prej të cilave 1103 për studentët e vitit të parë dhe 4393 vende për studentët e viteve II, III, IV, V, VI dhe absolventët. Konvikti me kapacitetin më të madh të vendeve (980 gjithsej) është “Pellagonia” në Shkup, ndërsa me më pak vend (52 gjithsej) është konvikti privat “Logos” në Shtip. (koha.mk)

Loading...