Sulmuesi i Gostivarit, Ilirid Ademi, po shkëlqen në fanellën e skuadrës së tij. Gostivari i tij dje mposhti Euromilkun me rezultat 3-2, në takimin e vlefshëm të javës së 18-t në Ligën e dytë-grupi i perëndimit.

Dhe, Ademi në atë ndeshje shënoi dy gola, gola që e rikthejnë Gostivarin në krye të renditjes së bashku me Vëllazërimin me nga 31 pikë.

Pas përfundimit të ndeshjes, Ademi për Lajm u shpreh shumë i gëzuar për fitoren.
“Normal, ne si ekip jemi shumë të kënaqur nga rezultati i ndeshjes së sotme. Ishte një fitore e vështirë, por kryesorja në fund arritëm t’ia dalim me tre pikë dhe të kalojmë në vend të parë për shkak se e meritojmë”, deklaroi për Lajm, Ademi.

Ai tha se është i kënaqur edhe me dopietën e tij.

“Normal që edhe për dy golat që shënova sot jam shumë i kënaqur, sepse ndihmova ekipin tim që të dalim fitues”, theksoi ai.

Ademi shpreson të vazhdojnë me ritmin e fitoreve.

“Në vazhdim të sezonit pres që të vazhdojmë me rezultatet pozitive në mënyrë që KF Gostivari të ngjitet në Ligën e parë”, përfundoi bisedën për Lajm, Ilirid Ademi.

 

Loading...