Afrim Rexhepi:Nuk besoj në rezultate brenda natës!

Intervistë me studentin e dalluar të ndërtimtarisë në Shkup, Afrim Rexhepi nga Sllupcani i Komunës së Likovës.
Kush është Afrim Rexhepi?
Rexhepi:
I lindur në fsh.Sllupcan, Kumanovë, shkollën fillore dhe të mesme kam mbaruar në vendin e lindjes, ndërsa aktualisht ndjek studimet universitare për ndërtimtari në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Shkup. Që i vogël kam mësuar të jem i përgjegjshëm ndaj obligimeve të parashtruara, sado të vogla të kishin qenë. Jam rritur në një familje në të cilën vlerësohen virtyte si ndershmëria, sinqeriteti dhe dëshira për punë të cilat cdo dit e më pak hasen.

Çfarë do të thotë për ty të jesh një nga studentët më të mirë në universitetin tënd?
Rexhepi:
Gjatë kohës së studimeve nuk është aq e rëndësishme të jesh njëri nga studentët më të mirë, sepse ajo është diçka relative, përkatësisht ajo është rezultat i efikasitetit dhe efektivitetit, sikur përgjatë semestrit ashtu edhe gjatë afateve të provimeve. Kjo është diçka që mund ta arrijë çdo student, nëse ka vullnet dhe qëllime të përcaktuara, por megjithatë gjëja më e rëndësishme është të thithet njohuri sa më shumë të jetë e mundur, për zbatimin e mëtutjeshëm të saj.

 

Çka të dallon ty nga studentët e tjerë?
Rexhepi:Në
aspektin e përgjegjësisë dhe angazhimit ndaj studimeve nuk dalloj shumë nga kolegët e tjerë, sepse të gjithë kemi përafërsisht të njëjtin qëllim, ndërsa për realizimin e saj nevojitet punë e vazhdueshme. Një nga arsyet kryesore për suksesin tim është padyshim angazhimi im absolut ndaj studimeve përgjatë këtyre katër viteve, si rrjedhojë e së cilës shumë prej aktiviteteve të tjera kam lënë pas dore, gjithmonë drejt qëllimit që profesionalisht të përparoj.

 

Cili është vizioni yt personal?
Rexhepi:
Gjëja më e rëndësishme në këtë botë për mua është familja, për atë arsye edhe vizioni im personal është i lidhur me të, respektivisht e shoh veten si njeri familjar që do të japë kontribut të madh për familjen dhe për shoqërinë në përgjithësi. Besoj në qasje të sinqertë, reale dhe të ndershme, punë të përkushtuar dhe progres të vazhdueshëm nëpërmjet zhvillimit personal dhe jo nëpërmjet mjegullimit të konkurrencës. Nuk besoj në rezultate brenda natës; vlerat materiale i dëshiroj, por kryesisht në funksion të zhvillimit të shëndetit fizik, mendor dhe shpirtëror, e pastaj për hedonizëm dhe kënaqësi. Korrektësia, ndershmëria dhe dëshira për të ndihmuar njerëzit janë shtigjet nëpër të cilat do të hapëroj drejt konkretizimit të profesionit tim, gjegjësisht pasionit tashmë.

Numëro 3 gjëra që të kanë ngelur në kujtesë nga vizita e trajnimit të çertifikuar Transmet Academy dhe të cilat do të të ndihmojnë gjatë jetës.
Rexhepi:
Më duhet të them se ndihem i privilegjuar që isha pjesë e Akademisë “Transmet Academy”, nga e cila kam përfituar njohuri dhe aftësi me të vërtetë interesante dhe të dobishme, të cilat, për fat të keq, nuk perfitohen kudo, ose mund të thuhet-në asnjë vend tjetër, dhe të cilat janë mjaft të nevojshme dhe të kërkuara nga punëdhënësit në shekullin 21. Mendoj se tërë ajo që kam përvetësuar gjatë trajnimit në fjalë do të më ngelë gjatë në kujtesë, por do t’i përmendja tre prej tyre të cilat kanë lënë gjurmë në jetën time: 1) “Teknika e 6 kapelave”-si mjet tejet i dobishëm për vlerësimin fillestartë atraktivitetit të një biznesi ose të ndonjë ideje të cfarëdoshme;2) Teknikat “Brainstorming and Brainëriting” të cilat bazohen në faktin se “mënyra më e mirë për të arritur deri në ide të mirë, është të keni shumë ide”; 3) Teknikat “Thyeni rregullat” dhe “Të menduarit lateral”. Edhe dicka tjetër me rëndësi që do të doja të theksoja janë momentet e paharrueshme të kaluara gjatë trajnimit, për të cilët meritorë janë si trajnuesit ashtu edhe pjesmarrësit tjerë të cilët ishin nga fakultete të ndryshme dhe njëkohësisht ndër studentët më të mirë të fakulteteve përkatëse.

Në 5 vitet e ardhshme, ke në plan të qëndrosh në Maqedoni apo të largohesh nga vendi?
Rexhepi:
Kohë të gjatë jam menduar në këtë drejtim, dhe cdoherë mendimet më kanë çuar drejt mundësisë që ta lëshoj Maqedoninë, dhe të shkoj jashtë vendit. Por kohët e fundit, pas shqyrtimit të këshillave nga disa profesorë dhe përfundimit të trajnimit “Transmet Academy”,mendohem që profesionalisht të perfeksionohem në vendin tim, përkatësisht “të eci me hapa të sigurtë.” Nga kjo nënkuptohet se në 5 vitet e ardhshme e shoh veten si inxhinier i angazhuar në aktivitetet ndërtimore në njërën nga firmat që janë kontraktuesit e projekteve me rëndësi madhore për shtetin./lajm

Loading...