Afrojnë zgjedhjet e pabëra…

Nazif Zejnullahu

 

1.Hutim

Kush i frikëson politikanët? Ka diçka të pashpjeguar këtu: kur janë jashtë politikanët shqiptarë, janë më të kthjellët, më aktiv, më evropianë; kur janë brenda, në vend, duken shumë të hutuar, janë të pagjindshëm, duken krejt të prapambetur. A nuk është më mirë që sa më shpesh të dalin jashtë? Duket se kur janë këtu, në vend, i nguc ndokush dhe nuk i lë rehat…

2.Actio popularis, në Shkup

OSBE dhe Komiteti i Helsinkit i kanë kërkuar Shkupit adoptimin e institutit juridik ACTIO POPULARIS.
Nëse e kam kuptuar drejt, qëllimi i tij është të mbrojë viktimën dhe të drejtat e saj kolektive. Pra, për grupet e rrezikuara – homoseksualët, varësistët (e drogës…), njerëzit me sidë etj. – një individ a një shoqatë të ketë të drejtën e ngritjes së proceseve gjyqësore a administrative, me qëllim mbrojtjen e tyre.
Një propozim shumë aktual!
Ajo që dua të them me këtë rast është kjo: propozimi të përfshijë edhe shqiptarët e Maqedonisë, si kolektivitet!
Prej vitit 2001 ata kanë hyrë në kategorinë “me prostitucion të legalizuar” dhe “bordelosja” e tyre kalon nga LSDM tek VMRO.
Kjo e fundit bajagi si gjatë e ka çuar dhe tani, për 11 dhjetor, për brezi ka diçka të ngjeshur, diçka që mund të rrezikojë veten dhe – “prostitutën”, pra shqiptarët, frymëmarrja e të cilëve ka arritur deri në mpakje. Zërat që thonë: “duhet të fitojë LSDM” vijnë si fanitje, si diçka e dëshirueshme, por që s’mund të bëhet pa ndihmën e shqiptarëve…
Atëherë?!

  1. Pup, në Qeveri

Ministri i BDI-së, Driton Kuçi, në një takim parazgjedhor me studentët në Shkup kishte thënë se partia e tij do të kërkojë nxjerrjen me konsensus të Buxhetit që në Qeveri, që mos të ketë probleme në Parlament.
Pra, do të kërkojë diçka që ka munguar deri më tani…
Ende pa ardhur zgjedhjet, ende pa dalë fituesi, kur – pup, të njëjtën ditë doli kjo: “BDI do të marrë Ministrinë e Financave”…
Në këmbim të “konsensusit” aq shumë të proklamuar tani, gjatë fushatës, “për në qeveri”?!

4.Mos qaj, Menduh

Menduh Thaçi gati sa s’kishte qarë në një miting të partisë së tij në Çegran (Gostivar): “E meritojmë ta provojmë një mandat…Veç katër vjet kërkojmë…Këta (të BDI-së) qe 14-15 vjet që janë në pushtet…”
Vallahi, edhe unë jam me Menduhin – sikur të bëhen tok shqiptarët, qoftë edhe në orën 7 të 11 dhjetorit!

5.Liria

“Ata që nuk e pranojnë lirinë e të tjerëve, nuk e meritojnë as lirinë e tyre.” (Abraham Lincoln,  1809-1865; president i 16-të i SHBA-ve, 1861-1865)

Loading...