Nisur nga praktika e deritanishme e krerëve shtetëror maqedonas në ikje, të cilët në përmbyllje të karierës politike dhe të gjindur përpara konsumimit të plotë politik, si për rastësi, të gjithë ndjekin rrugën e njëjtë të krijimit të alibisë, duke improvizuar “fajtorin”. Në ditët e fundit të politikës së tyre, shpesh-herë kanë apostrofuar se janë “viktimë politike” e shqiptarëve (e keqja e domosdoshme sipas tyre), por jo-rrallë herë thonë që janë viktimë politike edhe e pjesëtarëve të komunitetit ndërkombëtar apo të disa shteteve të Perëndimit (që për fat të keq na qenkan “miq” të shqiptarëve, sipas tyre).

Si zakonisht emëruesi i përbashkët i akuzave që ju drejtojnë janë, citoj: “shkelja e sovranitetit të RM”, “ndërhyrje armiqësore nga forca të jashtme”, “shtete të caktuara që nuk ia duan të mirën vendit”. Ajo që nuk e thonë, por vetëm se sorrollaten është dyshimi për bashkëveprim politik të ndërkombëtarëve me shqiptarët. Kompleks ky që na transmetohet përmes megafonëve partiak pothuajse një dekadë të plotë. Ky kompleks inferioriteti i politikës maqedonase, s’meriton analizë të mëtejshme përshkak të paqëndrueshmërisë logjike. Analogji duhet të bëhet mes mirënjohjes apo mos mirënjohjes, që elita politike maqedonase ka ndaj faktorit ndërkombëtar.

Ku qëndron absurditeti i këtij reagimit të çoroditir (në ikje)? Mentaliteti neo komunist-lindor (i përcjellur nga të zgjedhurit e popullit) dhe shpirti hileqar i të njëjtëve, dëshirojnë që të abuzojnë jo vetëm buxhetin qëndror të taksapaguesve vendas (përfshirë taksapaguesit shqiptar), por të abuzojnë edhe me mjetet financiare që i përfitojnë nga donatorë të huaj, e që janë mjete financiare të taksapaguesve të huaj. Kjo sjellje kriminogjene, në aspektin politik mund të ndodh që të amnistohet për një kohë të caktuar nga ana e qytetarëve të RM-së, aq sa të mbushet kupa dhe të pëlcasë mos-durimi, por nga ana e shteteve donatore dhe politikës së jashtme të tyre, nuk ka as gjasa teorike të ndodhë kjo!

Fjalorin e drejpërdrejt, rrallë herë jodiplomatik të ndërkombëtarëve, nuk duhet keqkuptuar dhe as nxjerur nga konteksti gjoja “agresion” apo “shkelje” të sovranitetit të RM-së. Logjika e shëndosh e kupton që është një kërkesë për llogaridhënie ndaj investimit të tyre (të shtrenjtë), për progres politiko-ekonomik. Prandaj, tentimi për të satanizuar miqtë e vërtetë perëndimor, atje ku “Ne” shqiptarët dhe “Ju” maqedonasit, kemi në emigracion afërsisht gjysmën e popullsisë së këtejshme, të cilët kanë rigjetur shpresën dhe ngrohtësinë e munguar institucionale në vendlindje, është vetëm një kampanjë për të fshehur kleptomaninë dhe mentalitetin eksploatues, neo komunist-lindor.

Prandaj, tërheqja sa më parë nga kjo kampanjë e ndyrë do të jetë më e favorshme për perspektivën e të gjithë vendit. Ju nuk mund të flitni për Ne, Jo në emrin tonë, Jo në emrin tim. Shqiptarët poashtu kërkojnë llogaridhënie dhe pozicionim të qartë drejt integrimit euro-atlantik.

Loading...