Derisa mjetet e buxhetit dhe gjitha investimet e huaja i dërgojnë në komunat maqedonase, zyrtarët e BDI-së nuk lëshojnë asnjë rast për t’u krrekosur me të arriturat e biznesmenëve privat shqiptarë,për të arriturat e të cilëve jo që nuk kanë asnjë meritë, por ndoshta janë vetëm pengesë.

Një krrekosje e tillë në nivelin më të lartë është shënuar sot në Kamjan të komunës së Bogovinës, ku kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, sot ( e mërkurë, 11.11.2015) ka marrë pjesë në hapjen e thertores “Nuro Kompani” në fshatin Kamjan- Komuna e Bogovinës.

Në hapjen e kësaj thertore kanë marrë pjesë edhe ministri i Ekonomisë dhe Shef i shtabit zgjedhor, Bekim Neziri, sekretari i përgjithshëm i BDI-së dhe ministër i Arsimit, Abdilaqim Ademi, ministri i ekologjisë Nurhan Izairi, sekretari shtetëror në ministrin e Bujqësisë, Besir Jashari si dhe funksionarë tjerë.

Ata jo vetëm që nuk janë turpëruar nga kamjanasit prej faktit që rajonet shqiptare anashkalohen nga projektet buxhetore dhe investimet e huaja, por kanë folur edhe fjalë të mëdha para tyre. Lexoni me vëmeendje çka ka thënë partneri më besnik i Gruevskit:

“Është kënaqësi kur promovon kapitalizëm materializim të ideve dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Modernizimi i kësaj kompanie është me standarde evropiane dhe njëherë i uroj punë të mbarë dhe suksese në punë. Kjo kompani dhe të gjitha projektet e këtilla e kanë përkrahjen e institucioneve të vendit, dhe ne shpresojmë që edhe më tutje të kapitalizohen vepra të tilla”, tha kryetari Ahmeti.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme një delegacion i Qeverisë ka marrë pjesë në hapjen e njësisë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë në Komunën e Bogovinës dhe kanë vizituar kompaninë “Hit 73”.

Loading...