Ahmeti nuk mund të flasë në emër të shqiptarëve, ai shpëtoi falë votave të Lube Boshkovskit

Xhevdet Hajredini
Asnjë liderë partie më nuk ka të drejtë të flet në emër të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë.
Këtë të drejtë nuk e ka veçanërisht lideri i BDI-së, i cili është shkaktari kryesor për gjendjen në të cilën u gjetën shqiptarët pas zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe lokale. Në zgjedhjet parlamentare një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve votuan për LSDM-në e Zaevit, kurse për BDI-në e Ali Ahmetit votuan vetëm afër 1/3 e tyre. Po të mos ishin votat e partisë së Zaevit dhe Lube Boshkovskit në zgjedhjet lokale, BDI-ja nuk do të fitonte më tepër se një ose 2 komuna.
Prandaj, se si do të votojnë shqiptarët në referendumin e ardhshëm për emrin e shtetit, sa ka të drejtë Ali Ahmeti, po aq të drejtë ta parasheh ka edhe Zoran Zaevi, sikurse edhe liderët tjerë të partive shqiptare, të cilët janë afër me numrin e votuesve shqiptarë.
Maqedonia edhe pas referendumit të suksesshëm të zgjidhjes përfundimtare të emrit, pranimit në NATO dhe fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, do të ballafaqohet me nevojën e domosdoshme që t’i pastrojë nga pjesëmarrja në pushtet, të gjithë ata të cilët gjatë gjithë kohës, derisa ishin në koalicion me VMRO-në, morën pjesë aktive në robërimin e shtetit, në përhapjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ata të cilët i shërbyen Nikolla Gruevskit ta meritojë mbështetjen direkte të Rusisë së Putinit, për kryetar gjykatash, gjykatës dhe prokurorë vendosën militant dhe injorantë partiakë.
Shpresën se do të shpëtojnë nga përgjegjësia dhe se do të vazhdojnë pjesëmarrjen në pushtet ta shfrytëzojnë si me VMRO-në, krerët e BDI-së e bazojnë në vonesën e reformave të nevojshme të cilat Zaevi për shkak të angazhimit të tij në zgjidhjen e kontestit për emrin, nuk pat kohë të ndërmerr hapa konkret.
Për këtë shkak mbeten në të njëjtat poste, ose edhe u avancuan, bashkëpunëtorët, zëvendësit, ndihmësit e Jankullovskës, Çavkovit, Mijallkovit etj.
Vazhdojnë të shpresojnë, dhe të flasim në emër të të gjithë shqiptarëve, se do të shpëtojnë nga përgjegjësia ligjore me ndihmën e gjykatësve të cilët kanë kaluar nëpërmjet “tefterëve” të kryetarëve të degëve të partisë, t’i shpëtojë gjykatësi i Gjykatës civile në Shkup, i cili kohë më parë e shpall fajtor dëshmitarin e Gjykatës së Nju-Jorkut në procesin kundër “Maxhar Telekomit”, i përmendi me emër dhe mbiemër funksionarët e Maqedonisë të cilët kanë marrë ryshfet me miliona dollarë.
Dy nga këta funksionarë ia falën këtij dëshmitari shumën prej mbi 5 milionë denarë, të cilën, me padinë për shpifje, ia kërkuan si kompensim për dhimbjen shpirtërore që e pësuan nga kjo shpifje, edhe pse “UDBashi” i dikurshëm këtë prej tyre as që e kërkoi .

I njëjti gjykatës (N. Rrustemi) ka shpallur pa kurrfarë baze fajtor edhe Gazetën “Lajm”, për gjoja shpifje kundër kryetarit të BDI’së, duke i dënuar me 10 mijë euro. Se bëhet fjalë për vendim gjyqësor pa fakte, dëshmoi Gjykata e Apelit, e cila e shfuqizoi këtë vendim dhe e ktheu në rigjykim në shkallë të parë. Për dallim prej Bogoevskit, Gazetës “Lajm” Ahmeti nuk ia ka falur kërkesën për kompensim 25 mijë euro edhe pse rasti i Gazetës “Lajm”, është përmendur në Raportin vjetor të State Departamentit Amerikan, në pjesën ku flitet për presionin ndaj mediumeve.
Është e pamundur Zaevi të besoj se reformat në Drejtësi, e cila pas dorëheqjes së papritur të ministrt të BDI-së, mbet në gjysmë, do realizohet pa u dëbuar nga puna (fjala dëbua për këtë rast më duket më adekuate, pasi që vet nuk jam jurist), gjykatësit të cilët me votën e tyre e refuzojnë propozimin e prokurores speciale t’i shqiptohet masa mbrojtëse nga arratisja personit i cili më ndodhet në arrati, ose të anulohet vendimi për paraburgim me qëllim që dy të dyshuarit tjerë për krime të rënda, me dokumente të rrejshme, të arratisen jashtë shtetit.
Në qoftë se udhëheqësit e Shqipërisë dhe Kosovës, duan me të vërtetë t’ju ndihmojnë shqiptarëve të Maqedonisë, atëherë, do të ishte më mirë “mbështetje serioze t’i japin” jo Ali Ahmetit dhe Teuta Arifit, por, prokurores special, Fatime Fetait.
Është e pamundur Fatimja ta gabojë adresën e Ali Ahmetit i cili ndodhet nën hetime, kur dihet se kjo adresë është bërë shumë mirë e njohur dhe e rrezikshme edhe për banorët që jetojnë aty afër.
Nuk e arsyeton kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z.Edi Rama, në rast se nuk e dinë se qytetarëve të Tetovës më shumë iu mungon uji i pijshëm dhe ajri i pastër, se sa për kryetare ta kenë një “prijëse të proceseve progresive dhe partnere të dëshmuar të perëndimit dhe Shqipërisë”.
Do të ishte më e dobishme për Shqipërinë dhe shqiptarët e Maqedonisë që Ilir Meta dhe Edi Rama, t’i lexojnë kërkesat që duhet t’i plotësojë Shqipëria të cilat i përmban Rezoluta e Bundestagut të Gjermanisë që u aprovua këto ditë, se sa të humbim kohë t’i bindin shqiptarët e Maqedonisë, se meritat për Marrëveshjen mes Greqisë dhe Maqedonisë nuk ju takon Zaevit, Ciprasit, Nimicit, Kociasit, Dimitrovit, BE-së dhe SHBA-ve, por Ali Ahmetit.
Në fund dua ta theksojnë edhe njëherë se “lideri ynë” i cili vazhdon të mos e kuptoj se nuk ka mbulesë të flasë ne emër të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë, kurse, 16 vjet nuk flet atje ku nga populli është i paguar të flasë, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Loading...