Ahmeti takon Ambasadoren e re Britanike Galloway

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka pritur sot në takim njohës zonjën Rachel Galloway, Ambasadore e sapoemëruar e Britanisë së Madhe në Maqedoni.

Kryetari Ahmeti i ka uruar mirëseardhje Ambasadores Galloway duke shprehur gatishmërinë për vijim të marrëdhënieve të shkëlqyera me përfaqësuesit diplomatik britanik në vend.

Kryetari Ahmeti ka theksuar se ai vet dhe të gjithë pranë Bashkimit Demokratik për Integrim janë tërësisht të përkushtuar që Maqedonia të integrohet plotësisht në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Integrimi EuroAtlantik sjell paqë të qëndrueshme, marrëdhënie të mira ndëretnike, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie shoqërore.

Për ta arritur këtë synim dhe përcaktim, shumica parlamentare dhe qeveria reformuese kanë miratuar një sërë ligjesh, kanë rikthyer frymën evropiane në vend, kanë rritur kredibilitetin e institucioneve, kanë mbyllur kontestet me fqinjtë dhe kanë përmbyllur pjesën normative të Marrëveshjes së Ohrit.

Në fund, z. Ahmeti u shpreh i bindur që edhe dy sfidat para nesh, referendumi dhe ndryshimet kushtetuese, do të rrumbullakësohen me sukses në mënyrë që Maqedonia të zë vendin e merituar në NATO dhe në BE.

Loading...