Ahmetin sërish e bojkotuan disa funksionarë të BDI-së

Disa funksionarë të lartë të BDI-së, sërish e kanë bojkotuar kryetarin e partisë Ali Ahmeti, në takimin që ai ka realizuar në Tearcë me kryetarë të komunave dhe me ministra të kësaj partie. Si emër më i njohur që nuk ka marrë pjesë në këtë takim është kryetari i komunës së Kër;ovës, Fatmir Dehari, raporton “Lajm”. Në BDI thonë se ai është kthyer mbërëm vonë nga Zvicra dhe ky ka qenë shkaku për mosprezencën, mirëpo dihet se ai bashkë me Hazbi Likën kanë konflikt me një pjesë të kryesisë partiake, sepse para disa javëve bojkotuan edhe konventën partiake për promovimin e Shtabeve zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ndryshe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot në Komunën e Tearcës takoi kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit e qeverisë nga radhët e BDI-së, ku u interesua për dinamikën e realizimit të projekteve që kanë të bëjnë me zhvillimin rural të komunave shqiptare.

Opinioni është habitur se çka ju desht ky takim Ahmetit, duke pasë parasysh se edhe në mediume edhe në rrjetet sociale për çdo ditë publikohen dështimet e kryetarëve të komunave nga radhët e BDI-së.

Në këtë situatë edhe më i pakuptimtë ishte qëndrimi i Ahmetit, i cili tha se “BDI angazhohet për zhvillim rural që njëkohësisht zbatojmë edhe programin partiak”.

“Angazhimi ynë është që të ti përmirësojmë programet të jenë më të avancuara që të dalin më të begat në drejtim të realizimin e ideve, jetësimin e programeve dhe platformave që ne i paraqesim para qytetarëve”, tha mes tjerash në takim lideri i BDI-së Ali Ahmeti. Qëllimisht, ose pa vetëdije ai tingëllonte si i “rënë nga marsi”, sepse në asnjë moment nuk përmendi problemet në komunat shqiptare që kontrollohen nga partneri i VMRO-së, e që shquhen për ajrin më të ndotur në botë dhe Evropë, për rrugë me gropa, për mungesë të infrastrukturës dhe fabrikave, për bërlloqe që nuk grumbullohen, e kështu me radhë.

Edhe më qesharak ishte qëndrimi i shefit të Shtabit Zgjedhor të BDI-së dhe ministër i Ekonomisë, Bekim Neziri, i cili tha se zhvillimi rural mbetet një nga prioritetet e rëndësishme të BDI-së për zhvillim të barabartë ekonomik të rajoneve shqiptare. Sipas tij, BDI ka ndikuar që të rritet sasia e TVSH-së që ndahet për komunat nga 4,5 % në 6,5 %, si dhe rritjen e mjeteve financiare për zhvillim rajonal të barabartë për 100% për vitin 2016, gjë që do të ndikojë fuqishëm në zhvillimin e komunave shqiptare.

Loading...