Ajax kthehet në “shtëpi”, përmbysje e çmendur në Kroaci, kualifikohet edhe AEK

Pas një pritje katërvjeçare, Ajax, katër herë fitues i Champions League, do të kthehet të luajë në fazën me grupe të kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube.

Holandezët kanë eliminuar në raundin “play off” Dinamon e Kievit me rezultatin e përgjithshëm 3-1. Një rezultat ky që ka ardhur në takimin e parë të luajtur para një jave në Holandë, ndërsa ndeshja e kthimit, e luajtur mbrëmjen e sotme në Ukrainë, është mbyllur në barazim pa gola.

Rezultati befasues i mbrëmjes së sotme ka ardhur në Kroaci, ku Young Boys ka befasuar Dinamon e Zagrebit dhe ka siguruar një kualifikim historik në epokën e Champions League. Zviceranët kanë fituar me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Ndeshja e parë është mbyllur në barazim 1-1, ndërsa e dyta ka qenë më emocionuese.

Vendasit kanë kaluar në avantazh pas vetëm shtatë minutash lojë me Hajrovic, por miqtë kanë përmbysur gjithçka në harkun e dy minutave në pjesën e dytë. Hoarau ka barazuar rezultatin me një penallti në të 64-ën dhe i ka dhuruar kualifikimin të tijve dy minuta më pas.

Ndeshja e tretë ka qenë ajo e luajtur në Greqi mes AEK-ut dhe MOL Vidit. Vendasit janë kualifikuar në fazën me grupe të Champions me rezultatin e përgjithshëm 3-2. AEK ka fituar ndeshjen e parë, e luajtur në Hungari, me shifrat 2-1, ndërsa kanë barazuar 1-1 në atë të kthimit.

Mantalos ka kaluar në avantazh vendasit me një penallti në minutën e 48-të, por miqtë janë kundërpërgjigjur me Nego në të 57-ën. Minutat e fundit kanë qenë drithëruese për grekët, të cilët kanë luajtur me 10 lojtarë nga minuta e 81-të pas kartonit të kuq të marrë nga Alef. Pavarësisht superioritetit numerik, MOL Vidi nuk ka arritur të shënojë golin që do të kishte çuar ndeshjen në kohën shtesë.

Shorti i fazës me grupe do të hidhet të enjten në Monako.

Loading...