Aksion policor, arrestohet një shqiptar i dyshuar si “xhihadist”

Në kuadër të masave Antiterror një shqiptar 20 vjeç u ndalua dje në Katania të Italisë, bashkë me një sirian dhe dy shtetas nga Malta, pasi mbanin dokumente false. Për shkak se i riu shqiptar do të udhëtonte drejt Maltës me gjeneralitete të ndryshuara, ekspertët e Antiterrorit e kanë cilësuar si person me rrezikshmëri potenciale, për kryerjen e akteve terroriste. Nga ana tjetër mësohet se të paktën 2 shtetasve nga vendet arabe u është mohuar hyrja në kufijtë shqiptarë, për shkak se ishin në listën e shërbimeve të huaja sekrete si të dyshuar për lidhje me terrorizmin. Më tej, lista e personave me prirje radikale është shpërndarë në të gjitha pikat kufitare dhe mësohet se këtyre shqiptarëve nuk u lejohet dalja nga kufijtë.

Shqiptari në Itali

Në zonën e Palermos, policia italiane ka kryer disa kontrolle të imtësishme, nga ku rezultoi se 20-vjeçari nga Republika e Shqipërisë, i quajtur Erol Hasanaj, mbante dokumente false dhe do të udhëtonte drejt Maltës. Hasanaj nuk justifikoi arsyen e vizitës atje dhe për më tepër u paraqit me gjeneralitete të rreme. Bashkë me Hasanajn, për të cilin mediat italiane thonë se kishte dijeni nga Elektronika, u arrestuan edhe dy shtetas nga Malta, 35 dhe 28 vjeç, të cilët gjithashtu do të udhëtonin drejt vendit të tyre dhe mbanin dokumente false. Në këtë aksion u arrestua edhe një i mitur sirian që do të udhëtonte drejt Mançesterit të Anglisë. Momentalisht, akuza që rëndon për ta është “falsifikimi i dokumenteve”, por Antiterrori italian i ka përfshirë në listën e personave që përbëjnë rrezikshmëri për akte të dhunshme. Më herët në kufirin e Italisë me Francën është ndaluar një tjetër shqiptar, me një armë të ftohtë, i cili më pas u procedua penalisht në gjendje të lirë. Kontrollet e shtuara në Palermo erdhën pas ndalimit të dy tunizianëve, të cilëve iu gjetën sende si ato që përdoren për të bërë bomba dhe 10 mijë euro kesh.

Kufijtë

Nga burime të sigurta pranë Policisë së Shtetit, mësohet për gazetën “Shqip” se nga 15 nëntori e deri dje, në kufijtë shqiptarë janë kthyer mbrapsht dy persona nga vendet arabe, emrat e të cilëve ndodheshin si të dyshuar në kompjuterët e kontrollorëve kufitarë. Burimet nuk saktësojnë shtetësinë e tyre dhe as pikat kufitare ku nuk janë lejuar të hyjnë, por sigurojnë se kontrollet do të vijojnë, në kuadër të shtimit të masave të sigurisë në të gjithë territorin. Disa persona mbahen nën vëzhgim prej disa javësh në Shqipëri, si pjesë e masave antiterror dhe lista me emrat e tyre është shpërndarë për Agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ata të Antiterrorit pranë Policisë së Shtetit. Lidhjet e këtij grupimi personash me besim radikal, vijnë nga Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, por gjithsesi nuk bëhet e ditur sesa është numri i tyre personave. Nga sinjalet e deritanishme mësohet se ata përbëjnë rrezik potencial për sulme terroriste në Shqipëri. Agjentët e shërbimit inteligjent kanë shtuar masat e vëzhgimit për këtë grup personash, të cilët dyshohet se kanë lidhje me individë të caktuar dhe organizata bamirëse me seli në Bosnjë dhe Kosovë. Këto organizata  dyshohet se kanë hapur degë të tyre edhe në Shkodër e Tiranë, pikërisht në zonën e Kamzës. Lidhjet e tyre shtrihen edhe me besimtarë myslimanë rezidentë në qytetet e Kavajës, Cërrikut, Pogradecit, Elbasanit dhe Librazhdit. Këta individë mësohet se janë edhe frekuentues të rregullt të xhamive, të cilat nuk janë nën juridiksionin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Policia ka shtuar masat e sigurisë edhe në pikat e kalimit kufitar të zonave ku mendohet se operojnë këta individë. Policia thotë se pikat e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, Muriqanit, Morinës së Kukësit dhe Kapshticës janë zonat ku është intensifikuar vëzhgimi. Në këto pika janë angazhuar edhe agjentë të SHISH-it, të cilët në bazë të informacioneve operative, kanë arritur të listojnë disa emra të personave me rrezikshmëri ose prirje radikale. Këta individë nuk lejohen të dalin nga territori shqiptar dhe personat që janë pjesë e listës së dyshimeve dhe që jetojnë jashtë vendit, nuk lejohet të hyjnë brenda kufijve shqiptarë.

 

Loading...