Aktakuzë kundër 8 personave për Krim të Organizuar

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër shtatë të pandehurve për Krim të Organizuar, lidhur për veprat penale: “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Komunikata e Prokurorisë Speciale të Kosovës:

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurve: B.S., S.S., F.S., I.D., S.S., S.S., E.H., dhe M.E, për krim të organizuar.

Sipas aktakuzës të pandehurit pas regjistrimit të disa bizneseve të tyre, ku shumica kanë qenë fiktive, në periudhën kohore 2010-2014, pas marrëveshjeve paraprake, janë formuar si grup kriminal i strukturuar mirë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ku kanë lëshuar fatura fiktive, dokumente këto të rrejshme lidhur me tatimin, në mes të bizneseve të njëri-tjetrit dhe shumë bizneseve të tjera, në vlerë mbi 4 milion euro.

Të njëjtit jo vetëm që kanë përfituar për vete, por iu kanë mundësuar edhe mbi 100 bizneseve të tjera shmangien nga tatimi dhe tarifave të tjera të përcaktuara më ligj në shuma milionëshe.

Andaj të pandehurit, me veprimet e tyre, kanë kryer veprat penale: “Krim i Organizuar”, nga neni 274 par.2, i Kodit penal të Kosovës, lidhur me veprat penale, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”, nga neni 314, par.2, të Kodit Penal të Republikës se Kosovës dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.2, i Kodit Penal të Kosovës.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat e kryera penale dhe të dënohen sipas ligjit.

Loading...