“Al Jazeera”: droje dhe ankth për një konfrontim të mundshëm ushtarak amerikano-turk në Siri

Një milici kurde e mbështetur nga SHBA ka vendosur luftëtarë në vijën e frontit të Manbij-it të Sirisë për të luftuar ushtrinë turke, pasi Presidenti Erdogan tha se ky qytet do të jetë synimi i ardhshëm pas operacionit ndërkufitar në rajonin e Afrinit, shkruan Al Jazeera.

Manbij ndodhet rreth 100 km në lindje të Afrinit, ku Shtetet e Bashkuara kanë personel ushtarak të vendosur në luftën kundër Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit (ISIL), që do të thotë se trupat nga aleatët e NATO-s mund të ballafaqohen në fushën e betejës.

Koalicioni ushtarak amerikan që vepron në Manbij, tha se ushtarët kanë të drejtë të mbrojnë veten kundër çdo sulmi dhe nuk do të hezitonin ta bënin këtë.

“Është e qartë se ne jemi shumë të vëmendshëm ndaj asaj që po ndodh, veçanërisht në fushën e Manbij, sepse aty ndodhen forcat tona të koalicionit”, tha zëdhënësi i kolonelit Ryan Dillon për agjencinë e lajmeve Reuters. “Forcat e koalicionit që janë në atë zonë kanë një të drejtë të natyrshme për të mbrojtur veten dhe do ta bëjnë këtë nëse është e nevojshme”.

Sharfan Darwish i Këshillit Ushtarak Manbij, një njësi e milicisë siriane-kurde të YPG-së që aktualisht ndodhet nën sulm nga Turqia në Afrin, tha se forcat e tij po përgatiten të përballen me ushtarët turq.

“Ne jemi në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo sulmi. Natyrisht, koordinimi ynë me koalicionin ndërkombëtar vazhdon në lidhje me mbrojtjen e Manbij-it”, tha Darwish.

Situata intensifikuese në Sirinë veriore çoi deri te një telefonatë mes Erdogan dhe Trump të mërkurën.

Trump shprehu shqetësim rreth “retorikës destruktive dhe false” të Turqisë mbi situatën, dhe nxiti kujdes që trupat amerikane dhe turke të mos përfshiheshin në betejë.

“Ai i kërkoi Turqisë që të kufizojë veprimet e saj ushtarake dhe të shmangë viktimat civile dhe rritjen e numrit të personave të zhvendosur dhe të refugjatëve”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

“Ai i kërkoi Turqisë të ushtrojë kujdes dhe të shmangë çdo veprim që mund të rrezikojë konfliktin midis forcave turke dhe amerikane”, thuhet më tej.

Erdogan kërcënoi të mërkurën më herët për një zgjerim të ofensivës prej Afrinit në Manbij me qëllim të “pastrimit të rajonit tonë nga ky problem tërësisht”.

Turqia sheh YPG-në (të trajnuar, të armatosur dhe të mbështetur nga SHBA për të luftuar kundër ISIL-it) si një zgjatje e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka zhvilluar një kryengritje të përgjakshme dhjetëvjeçare në vend.

Erdogan tregoi se një prej qëllimeve të operacionit anti-YPG ishte të krijonte një zonë të sigurt ku disa nga më shumë se tre milionë sirianë që ikën në Turqi në luftën civile mund të ktheheshin.

“Së pari do t’i shfarosim terroristët, atëherë do ta bëjmë zonën të jetueshme. Për kë? Për 3,5 milionë mysafirët sirianë në vendin tonë”, tha Erdogan.

Qeveria e Turqisë ka hedhur poshtë “propagandën” kundër veprimeve të saj ndërkufitare. Zëdhënësi i Erdoganit, Ibrahim Kalin u ka bërë thirrje medias dhe publikut të jenë të vetëdijshëm për “lajme të rreme, shtrembëruese dhe provokative”.

Ndërkohë, raketat e hedhura nga Siria veriore goditën një xhami dhe një shtëpi të mërkurën brenda Turqisë, duke vrarë dy vetë dhe duke plagosur 11 të tjerë. Predhat u hodhën në mbrëmjen e hershme në provincën kufitare Kilis.

Një sirian dhe një turk u vranë, tha zyra e guvernatorit të Kilis, në sulmin për të cilin fajësoi milicinë e YPG-së në Siri.

Ushtria turke tha se 260 luftëtarë kurdë dhe të ISIL-it u vranë deri më tani në inkursionin pesë-ditor Afrin, një informatë kjo e kundërshtuar nga një komandant kurd që tha se numri ishte “tepër i ekzagjeruar”.

Redur Xelil, një zyrtar nga Forcat Demokratike të Sirisë të udhëhequr nga YPG, mohoi pretendimin se luftëtarët ISIL-it u përfshinë në luftën për Afrin.

 

Loading...