“Edhe hulumtimet paraprake, por edhe kjo, në pjesën e arsimit dhe në pjesën e realizimit të të drejtave, vërteton se Maqedonia nuk ka evidencë të saktë për personat me nevoja të veçanta. Edhe pse realizimi i të njëjtës është në kuadër të implementimit të një mekanizmi. Presim që edhe trupi nacional kordinativ dhe Qeveria, dhe subjektet tjera relevante, të veprojnë në përgatitjen e një mekanizmi i cili do të japë një numër të saktë, sepse kjo paraqet edhe dobësi në realizimin e politikave”, kështu u deklarua sot Vaska Bajramovska Mustafa e cila sot prezantoi “Raportin e hulumtimit për përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në arsimin parashkollor” të realizuar nga zyra e Avokatit të Popullit i Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

Alarmante është gjendja se asnjëra nga komunat nuk përkrahur financiarisht lehtësimin e përfshirjes së fëmijëve me nevoja të veçanta në arsimin parashkollor.

“Për përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në çerdhe rekomandojmë përkrahje të tyre nga pushteti lokal, si qytetarë më të vegjël të tyre, dhe në këtë kontekst të gjenden mënyrat dhe mekanizmat që të ngritët vetëdija e vetëqeverisjes lokale, familjeve, prindërve dhe të tërë shoqërisë lokale për rëndësinë e arsimit parashkollor, si periudhë kyçe në zhvillimin e personalitetit te individët”, tha Barjamovska – Mustafa, me çka shtoi se duhet të vihet në pah “edhe roli i prindërve, të cilët kanë dhe ato që nuk kanë fëmijë me nevoja të veçanta, në arritjen më të madhe të përfshirjes, jo vetëm në arsimin parashkollor, por edhe në shoqëri”.

Si nga prindërit e kontaktuar nga Portalb.mk, por edhe nga Avokati i Popullit u alarmua gjendja e mungesës së një pasqyre të qartë për mjetet që ndahen në nivel shtetëror për këtë kategori të qytetarëve – gjë e cila shkakton diskriminim.

“Sa i takon ndarjes së mjeteve nga shtetit, është njëra nga kritikat më të mëdha që prindërit por edhe OJQ-të e kanë adresuar te ne. Ata presim mjete më të mëdha, dhe tregojnë për atë se disa fitojnë mjete, disa jo, kurse personat me nevoja të veçanta mund t’i realizojnë të drejtat e tyre vetëm nëse janë anëtarë të ndonjë shoqate, në të kundërtën jo”, tha Bajramovska – Mustafa.

Nga Avokati i Popullit e theksuan edhe pritjen e gjatë gjatë pranimit të fëmijëve në çerdhe dhe se nuk realizohet vëzhgim para se fëmija të përfshihet në grupin shkollor.

Raporti i Avokatit të Popullit tregoi se nga numri i përgjithshëm i fëmijëve të përfshirë në arsimin parashkollor, që arrin vlerën 37,700 fëmijë në 39 çerdhet që kanë denoncuar prezencë të fëmijëve me nevoja të veçante, 1.19 për qind e tyre janë me nevoja të veçanta. 10 për qind e çerdheve të kontaktuara nga Avokati i Popullit janë gjendur në situatë që të refuzojnë fëmijë me nevojë të veçanta. 58 për qind e çerdheve kanë deklaruar se nuk posedojnë mjete didaktike, e kurse edhe ato 43 për qind që posedojnë mjete didaktike ato i kanë siguruar ose nëpërmjet trajnimeve, ose u shërbejnë për punë individuale me fëmijë. Në 44 çerdhe nuk ka defektolog, kurse në 13 çerdhe nuk ka shërbim profesional.

Sipas përgjigjeve nga anketa, në 26 çerdhe nuk punohen plane individuale për këta fëmijë, dhe kjo është vërejtur edhe nga njëri pjesëtar i një fokus grupi të hulumtimit i cili ka thënë: “Punojmë plane sa për të treguar se kemi punuar diçka në rast se vjen ndonjë inspektor. Trajnuesit kanë rezistencë dhe nuk duan të bëjnë plane, për ata kjo është punë shtesë administrative”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

Nga Avokati rekomanduan: të respektohet rregullorja ligjore gjatë regjistrimit të fëmijëve, të sigurohet dokumentacioni komplet me të cilit definohet lloji i çrregullimit, të realizohet evidentim të fëmijëve me nevoja të veçanta, të sigurohen objekte adekuate që do të mundësojnë qasje të fëmijëve, gjatë ndërtimit të objekteve të reja të respektohen standardet për qasje të lehtë të fëmijëve dhe të përpilohet kriter i qartë për punën e defektologut.

Loading...