Hap siparin në Prishtinë Edicioni i XXXV i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Edicioni i XXXV i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka hapur tiparin dje në ambientet e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Gjuhëtarë dhe njerëz të letrave do të referojnë gjatë ditëve të këtij seminari për çështje të ndjeshme të letrave shqipe. I pranishëm në ceremoninë e hapjes së seminarit ishte dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, ministra, ambasadorë, akademikë dhe seminaristë. Drejtori i Seminarit prof.asoc.Dr. Rrahman Paçarizi tha se “ seminari nuk është institucion i izoluar i albanologjisë, por institucion që  krahas promovimit të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare,  synon ta ndërlidhë albanologjinë me shkencën dhe letërsinë botërore”. “Studimet kontrastive e ndihmojnë albanologjinë. Injorimi i tendencës për përfshirjen e albanologjisë në shkencën dhe letërsinë botërore shpejt mund ta shndërrojë Seminarin në një institucion lokal të dijes që sillet rreth vetvetes”, tha Paçarizi.

Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, tha se të flasësh për historikun e Seminarit është të sikur të flasësh për jetën e Fakultetit të Filologjisë në veçanti dhe të UP-së në përgjithësi.

“Një rrugëtim i vështirë, me shumë peripeci, por gjithnjë në kërkim të ngritjes dhe avancimit të dijes, në kërkim të forcimit të bashkëpunimit ndërakademik dhe në kërkim të promovimit të vlerave tona në botë, një tubim i lartë shkencor dhe kulturor që ka arritur të shndërrohet në një institucion të rëndësishëm ndërkombëtar dhe me impakt të lartë në avancimin e shkencës dhe të kulturës, në zbërthimin e gërshetimit të gjuhëve e të kulturave të ndryshme me shqipen dhe në avancimin e studimeve gjuhësore, letrare dhe kulturore të shqipes në shumë qendra botërore universitare”, tha Rugova.

Ndërsa Rektori i UP-së, Marjan Dema u shpreh se  “Ky organizim shkencor  synon të promovojë gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe është dëshmi e gjallë që këto institucione kanë potencial për prodhim të dijes dhe shkencës. Kam disa arsye pse e konsideroj këtë institucion të rëndësishëm për këtë eveniment shkencor për institucionet tona. Seminari  Ndërkombëtar  për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare i cili tani është në edicionin e 35-të me radhë në të cilin kanë kaluar studiues të letërsisë dhe gjuhës shqipe”.

Kryeministri Isa Mustafa, e cilësoi Seminarin si një prej ngjarjeve e cila e përfaqëson më së miri identitetin dhe kulturën shqiptare.

“Seminari pa asnjë dyshim tanimë është një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kulturës shqiptare ku bashkohen njerëz të gjuhës shqipe, të letërsisë dhe kulturës dhe për disa ditë ata këmbejnë kulturën e tyre, dhe mësojnë gjithnjë duke avancuar edhe më tutje dijet albanologjike”, tha Mustafa.

Loading...