ALEANCA PËR SHQIPTARËT DO TA MBËSHTESË REFERENDUMIN

Aleanca për Shqiptarët do ta mbështesë referendumin që do të mbahet më 30 shtator, por kërkon që faktori politik shqiptarë dhe maqedonas të nënshkruajnë marrëveshje brendashtetërore që të arrihet barazia etnike dhe në kuadër të ndryshimeve kushtetuese të futet gjuha shqipe si zyrtare. Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela pjesëtarët e BDI-së i ka quajtur “kukulla” dhe i ka kritikuar për mospërfshirje të gjuhës shqipe në marrëveshjen me Greqinë.

Në Kuvendin Qendor të Aleancës për Shqiptarët që u mbajt sot në Shkup është nënshkruar një deklaratë në të cilën thuhet se kjo parti do të mbështes referendumin me qëllim që Maqedonia të anëtarësohet në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Kuvendi Qendror i ASH-së ka nënshkruar një deklaratë e cila do t’ju shpërndahet mediave dhe opinionit. Do të dalë një non-peper që do t’ju drejtohet forcave vendosëse aleate, popujve që kanë jetuar, dhe që jetojnë dhe që do të vazhdojnë të jetojnë në Republikën e Maqedonisë. Vendimi i Kuvendit Qendror të ASH-së është se do të mbështes referendumin për anëtarësim të vendit në NATO dhe BE”, deklaroi lideri i ASH-së, Ziadin Sela.

Lideri Sela ka përsëritur vërejtjet e tija për marrëveshjen me Greqinë, duke i quajtur aktorët shqiptar të përpilimit të saj si “kukulla”.

Sela ka thënë se meqë gjuha shqipe nuk ishte pjesë e marrëveshjes me Greqinë, partia e tij do të insistojë që ajo të zyrtarizohet në kuadër të ndryshimeve kushtetuese që duhet të ndodhin në Maqedoni pas shpalljes së marrëveshje së ratifikuar me Greqinë në Gazetën Zyrtare.

Loading...