Kapaciteti i tij politik është i dobët, madje më i dobët se aftësia për të aktruar liderin e kombit

Rudi Berisha
Në çdo paraqitje mundohet të aktrojë liderin e madh. Mirëpo kapaciteti i tij politik është i dobët, madje më i dobët se aftësia për të aktruar liderin e kombit. Ky është Ali Ahmeti, njeriu i cili deshi të bëhet lider i shqiptarëve të Maqedonisë. Në fakt edhe shqiptarët e vendit fqinj e pranuan Ahmetin si lider.
Mirëpo kapaciteti i tij nuk tejkalonte kapacitetin e “komandantëve” në lojërat luftarake të fëmijëve nëpër mëhalla. Prandaj kur u përball me sfidat që kanë peshë kombëtare, ai preferoi që më parë të bëhet mashë e maqedonasve, se sa t’u dalë në ballë kërkesave legjitime të shqiptarëve. (Për pak përfitime kuptohet).
Në vend se të bëhet lider që e preferojnë shqiptarët, ai u bë politikan të cilin e preferojnë maqedonasit ta prezantojnë para ndërkombëtarëve si “lider kukull” të shqiptarëve. Për shkak të gatishmërisë së madhe për të hequr dorë nga të gjitha kërkesat legjitime të shqiptarëve, ai është i preferuar edhe nga maqedonasit e djathtë edhe nga të majtët.
Namin e komandantit të U:K-së në vend se ta shfrytëzojë për arritjen e barazisë së merituar të shqiptarëve, e shfrytëzon në drejtim të kundërt: Për të parandaluar çdo nismë serioze shqiptare.
Ai me kompanjonët e vetë, janë masha përmes të cilës maqedonasit arrijnë të përçajnë çdo nismë serioze shqiptare në Maqedoni, qoftë në rrafshin politik, qoftë në rrafshin qytetar ose intelektual. Vegjëlia e tij politike dhe intelektuale është shkaku që një milion shqiptarët e Maqedonisë, sot nuk kanë peshën e 100 mijë serbëve të Kosovës.
Ai është politikani të cilin më së shumti e kanë toleruar shqiptarët. Asnjë politikani tjetër nuk i kanë dhënë aq shumë raste. Mirëpo çdo herë besimin e shqiptarëve e ka keqpërdorë për të dobësuar pozitën e tyre.
Me këtë sjellje ua mbushi kupën votuesve shqiptarë, të cilët ia dhanë dënimin e merituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Dhe tani nga një lider i paramenduar është bë “gomë rezervë” e Talat Xhaferrit për të siguruar kuorumin e nevojshëm për funksionimin e Parlamentit. Shpresa e tij për mbijetesë në skenën politike nuk është më vota shqiptare, por përkrahja nga subjektet maqedonase.
Ky ëhstë realiteti i sotëm i tij. Kjo është pozita e tij sot në skenën politike. Mirëpo kjo nuk është pozita në të cilën e deshën Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë. Kjo është pozita në të cilën ai e solli vetveten. Atë që e lypi, atë e gjeti. Vijnë zgjedhjet tjera dhe do e pësojë edhe më keq.

Loading...