Alimi rrëfehet para gjykatës për dhunën ndaj Selës: Sulmuesit kërkonin gjak shqiptari

Sigurimi i Kuvendit, Abudlfetah Alimi, i cili më 27 prill u prezantua si shpëtimtar i deputetit Ziadin Sela, gjatë sulmit në Parlament, por më pas u akuzua në lëndën e dytë për të enjten e përgjakshme, sot dëshmoi në Gjykatën Penale për “tentim vrasje” të deputetit Sela, njofton Portalb.mk.

“Hyra në sallën për konferenca për shtyp menjëherë pas sulmit të turmës. Atëherë në sy më ra Zoran Zaev, Ziadin Sela, Oliver Spasovski, Talat Xhaferi dhe disa deputetë tjerë. Zaev kishte gjak në kokë, ndërkaq brenda ishte kaos. Kërkohej gjak shqiptari. Këto fjalë vinin nga turma, e cila ishte shumë e dhunshme. Bashkë me një kolegë aq sa kemi mundur i kemi mbrojtur deputetët, por edhe gazetarët”, tha dëshmitari i cili theksoi se pamja ishte e tmerrshme, duke e përshkruar si në film.

Dëshmitari theksoi se ka pasur ndjenjën se është takuar me vdekjen.

“Zaevit i thoshin ti je shqiptar (me ton ofendues në gjuhën maqedonase), ti je shpirt i shitur, ndërkaq bënin thirrje edhe ndaj Talat Xhaferit dhe Ziadin Selës. Gjuanin me monitorë dhe karrige në drejtim të Selës. Njëri nga sulmuesit luante ngrohtë-ftohtë, në një moment e qetësonte turmën, ndërkaq nga ana tjetër ishte i drejtuar nga Sela”, deklaroi dëshmitari.

Ai e njohu këtë njeri dhe tha se ai ka qenë Aleksandar Janevski – Tosta.

“Njëri nga dhunuesit kishte hipur mbi karrige dhe ka pasur maskë në kokë. Ai jepte komanda se kush duhet të sulmohet. Ka pasur edhe një i cili kërkonte gjak shqiptari, ai ishte me bluzë të zezë dhe nuk kishte maskë”, deklaroi dëshmitari.

Ndryshem në Gjykatën Penale sot ka vazhduar gjykimi për të akuzuarit për përpjekje për vrasje të deputetit Ziadin Sela, që ka ndodhur më 27 prill të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë.

Në seancën e sotme pritet që të dëshmojnë tre dëshmitarë, në mesin e të cilëve është edhe deputeti i LSDM-së, Muhamed Zekiri.

Në seancën e kaluar, që ka zgjatur gjashtë orë, janë dëgjuar tre dëshmitarë – kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski dhe deputeti i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski.

Në këtë rast, të akuzuar janë Kire dhe Ceo Gjorgjievski, Oliver Oshavkovski, Sasha Cenkov, Nikollçe Dimitrievski, ALeksandar Janevski – Toshta, Andre Micov, Nikolla Vominovski, Kosta Dellov dhe Stojan Pavlevski – Kobra.

Të akuzuarit për tentim vrasje të deputetit Sela në seancat paraprake janë deklaruar si të pafajshëm. Ata përpara Gjykatës kanë thënë se e kuptojnë akuzon, por nuk ndjejnë faj dhe se atë do ta dëshmojnë në procedurën e mëtutjeshme.

Loading...