Gjendja në kulturë është dëshpëruese. Do të na duhen përpjekje mbinjerëzore që të nisemi rrugës së rikuperimit dhe përparimit. Është detektuar potencial fantastik mes nesh, bazë e diturisë, shkathtësi, ide dhe infrastrukturë të cilat me organizim të mirë dhe mbështetje do të mund të japin rezultat, sado që ajo të duket e vështirë.

Me këto fjalë të ministrit të Kulturës, Robert Allagjozovski sot në Muzeun e artit bashkëkohor filloi prezantimi publik i Projekt-strategjisë për zhvillim kulturor të Republikës së Maqedonisë 2018-2020 dhe Projekt-planit të aksionit për vitin 2018.

Këto dy dokumente strategjike, siç theksoi Allagjozovski, janë bazë solide e cila duhet t’u përgjigjet pyetjeve se si të përballemi me borxhet nga e kaluara, me “Shkupin 2014” dhe shpenzimin megaloman, korruptues dhe joproduktiv, si të mbështetet skena e pavarur e cila me vite ishte margjinalizuar dhe lënë pas dore, si pasuria jonë e dallueshmërive të bëhet produkt eksportues në korniza botërore, e jo mjet për ndarje.

Sipas ministrit, nga Projekt-strategjia dhe Plani i aksionit do të dalin politikat në kulturë për pesë vitet në vijim. Ai i porositi të gjithë pjesëmarrësit që në krijimin e propozimeve, ideve dhe zgjidhjeve ta ruajnë entuziazmin dhe të mbeten të përkushtuar sepse vetëm ashtu, potencoi, do të realizohen ndryshimet thelbësore.

“Edhe përkundër vlerave të shkatërruara shoqërore, institucioneve, arsimit, ndarjeve në shumë baza, mundësi modeste ekonomike dhe borxhe, besoj se jemi të vetëdijshëm për rrugën e vështirë para nesh, Angazhimet tona janë të qarta: kulturë ndaj të gjithëve – kulturë për të gjithë, në çdo pjesë të Maqedonisë, për të gjithë qytetarët njëjtë”, nënvizoi Allagjozovski.

Sllavica Inxheva nga Fondacioni “Shoqëri e hapur Maqedoni” u ndërlidh se  tre muajt e kaluar derisa zgjatnin debatet publike për krijimin e Projekt-strategjisë dhe Planit të aksionit, janë kohë shumë e shkurtër për t’u korrigjuar dëmi që është bërë në kulturë.

Në prezantimin publik në Muzeun e artit bashkëkohor marrin pjesë përfaqësues të organizatave qytetare “JADRO” dhe “KULT – Tranzen” të cilët i organizuan takimet gjatë periudhës së kaluar dhe kontribuan për konsolidim të dokumenteve të propozuara strategjike.

Pritet që këshilltari i posaçëm për kulturë, Zllatko Teodosievski t’i prezantojë poentat kyçe të projekt-strategjisë, pas çka do të pasojë diskutimi.

Siç informoi ministri Allagjozovski, për periudhë prej tre muajve u realizuan 15 takime dhe debate me qindra përfaqësues dhe punëtorë në sferën e kulturës nga e mbarë Maqedonia.

Loading...