Zv.kryeministri për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistem Politik Hazbi Lika për dy ditë radhazi mbetet i pakapshëm për mediat për të sqaruar ngecjet në realizimin e projekteve të Qeverisë, që janë në interes të shqiptarëve. Lika, gjatë prezantimit të aktivitetet të pushtetit në përvjetorit të parë të ekzekutivit, nuk ishte në mesin e anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar. Jozyrtarisht flitet se Lika në tre javët e fundit, nuk ka mbledhur ministrat nga radhët e partisë së tij për konsultime, ashtu siç ka qenë praktika e deritanishme si përfaqësuesi i parë nga radhët e BDI-së në ekzekutiv. Gjatë kërkimeve në arkiv, nuk gjendet asnjë event ku Lika shihet të ketë prerë shiritin e kuq për projekte kapitale. Madje e njëjta gjë vlen edhe për kolegët e tij shqiptar në krye të dikastereve të tjera. Javë më parë Lika vizitoi Teatrin Shqiptar, një ndër shumë premtimet me interes për shqiptarët që deri tani s’ka gjetur realizim.

Në premtimet parazgjedhore të BDI-së, ka qenë incimi i debatit gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multi-etnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike. Pas zgjedhjeve, ky premtim është heshtur. Totalisht e heshtur mbetet edhe çështja mbi zgjidhjen e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së.

Më e bujshme ka qenë çështja e ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ligji kaloi në Kuvend duke marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve dhe duke shkaktuar një situatë të tensionuar, megjithatë fuqizimi i tij mbetet pezull. Ekzekutivi por edhe shumica parlamentare ngrejnë supet kur pyeten se çfarë do të ndodhë më tej me këtë ligj dhe kur do të hyjë në fuqi.

U premtua sistemimi urgjent i mbi 1 mijë e 700 administratorëve të cilët për vite me radhë merrnin rrogë pa pasur një vend pune. Kohë më parë Qeveria nisi procedurat për sistemimin në afat prej 2 muajsh të rreth 900 prej tyre, por procesi ka stagnuar pa më shumë informacione për opinionin. Gjatë prezantimit të programit të Qeverisë së ardhshme, kreu i LSDM-së Zoran Zaev mes tjerash kishte premtuar edhe rritje e mjeteve për rajonet më pak të zhvilluara.

Do të sigurojmë zhvillim të barabartë rajonal. Kjo është nevojë e madhe e qytetarëve nga të gjithë anët e vendit të cilët akoma mundohen pa kushte elementare për jetën, gjë që është e palejueshme. Do t’i rrisim dyfish paratë për zhvillim të barabartë rajonal në të gjithë tetë regjionet planore që në vitin e parë të mandatit dhe do ta vazhdojmë atë ritëm të rritjes së mjeteve për nevojat e qytetarëve – pati deklaruar Zoran Zaev, kryeministër.

Në atë periudhë, ekspertët kishin vlerësuar se ky do të ishte një hap i mire dhe në favor të vendbanimeve shqiptare, rajone këto më pak të zhvilluara. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma.

Muaj më parë, dështoi realizimi i projektit 85 milion eurosh për ndërtimin e 8.5 kilometrave të rrugës nga Struga deri në Trebenishtë. Kjo rrugë duhej të lidhej me autostradën në ndërtim e sipër Ohër – Kërçovë, por edhe me rrugën e shpejtë nga Ohri nëpërmjet Peshtanit në Shën Naum, që duhej të kalojë nëpër Parkun Kombëtar Galiçica. Nga ana tjetër, edhe këtë vit qeverisje, nuk filloi ndërtimi i rrugës Shkup-Bllacë.

Në të shumëpërfolurën Deklaratë të përbashkët të partive shqiptare qëndronte kërkesa për formimin e një Komisioni Shtetëror për Financim i cili do të monitoronte shpërndarjen e mjeteve të buxhetit. Ky komision nuk është formuar akoma. Nga Ministria e Financave thonë se i planifikuari “Këshill fiskal” pritet të formohet në vitin 2019, të jetë i pavarur, të përbëhet nga ekspertë dhe të minotorojë punën e Ministrisë së Financave, dikaster ky që propozon ndarjen e buxhetit vjetor të shtetit.

Para formimit, Qeveria pati premtuar edhe zbardhjen e plotë të rasteve gjyqësore si ai për ngjarjet në Lagjen e Trimave në Kumanovë, Brodecin, Sopotin dhe Monstrën.

Fatlume Dervishi/ Alsat M

Loading...