Kulturë

Ambasadori rumun promovon librin e poetes shqiptare në Shkup

amba

Viorel STANILA, Ambasadori i Rumanisë në Republikën së Maqedonisë

Nuk e di si ndihet poetja Delvina Kërluku në volumin e shtatë të poezive, por falë talentit të saj ne kemi një fundvit më të pasur me kuptime dhe përjetime.

Në rradhë të parë sepse, ky libër, “Deja e vjeshtës”, rrezaton një ndjenjë poezie aq të fuqishme, sa të zapton me forcën e saj.

Në rradhë të dytë, sepse siguria me të cilën Delvina Kërluku zotëron mjetet teknike, nxjer në pah një poete të pjekur, e cila ka me poezinë një marrëdhënie të thellë dhe të përhershme:

 

„Qirinjtë prisnin një dore t’i ndezë,

E një zë të sinqertë

Për bekim dashurie të lutet.” (Dyshim, f. 7)

 

Në të njëjtën poemë, e cila çel volumin, heshtjet japin motivin e përsëritur i cili përcakton nga ana semantike vendet në të cilat teksti hapet drejt humnerës së vetmisë, të natës, të hijes, për të rishfaqur dyshimin, me gjithë tensionin e tij.

Këngën tënd këndoj, është një interpretim në çelsin e epikës arkaike shqiptare të Këngës së Këngëve, në të cilën subjektiviteti i kthehet vetvetes, në vënd që të projektohet mbi objektin e adhurimit të tij:

 

Unë vetëm këngën tënd këndoj,

Por, thonë, këngët e natës, vaje janë. […]

Vaji dhe Kënga e vetmisë sime

Shtëpi o qeli që mban peshën e lotëve. (f. 9)

 

Ky sfond i projektimit mitik karakterizon, gjithashtu, të gjithë volumin: koha (nata, agimi, stinët, orët, dita etj.) është e përhershme; hapësirat (dhoma, shtëpia, zemra, Pazari i Vjetër, qielli, qyteti etj.) janë veçse mbështjellje të se njëjtit kozmos të përqendruar në subjektivitet; ritualet (dasma2, lufta, falja) ribëjnë shënjtërinë e nje skenari arhetipal (te modelit origjinar). Në këtë mënyrë, malli, ndarjet e shpirtrave ose të të trupave, kthehen në drama universale:

 

Aroma ngjitej në krah dhe si fllad vallëzonte

Degët e pemëve i luhaste era e ikjes së furishme

U ndamë në muzgun e natës së Nëntorit

Shiu, vjeshta pëshpërit në zërin tonë drithërues… (Ndarja me aromë pemësh, f. 23)

 

Nga ana tjetër, aftësia e poetes për të shkelur rregullat e gjuhës i përngjan forcës së alkimistit për shndërimin e lëndave nga njëra në tjetrën:

 

Ky avull i vjeshtës, kjo mjegull lotësh

Kjo aromë e këndshme e kujtimeve. (Avull vjeshte – Mjegull lotësh, f. 14)

Për më tepër, „kujtimet”, së bashku me „lotët”, me „heshtjet” dhe me „vetminë” janë fjalët kyçe të këtij volumi. Në përfundim të leximit, kuptojmë se poetja ka marrë sipër gjithë këto barrë të mosplotësimeve tona shpirtërore dhe i ka sublimuar nëpërmjet artit të saj:

 

„Më shumë se dashuri, ne pimë lotët e syve tanë.” (f. 79)

Është një gjest sakrifice që karakterizon çdo natyre poetike te lartësuar, të cilin ne, lexuesit, mund ta shpërblejmë vetëm nëpërmjet leximit, në mënyrë të tillë që sakrifica të mos shkojë dem.

 

 

1 Delvina Kërluku, Deja e vjeshtës (Poezi), Shkup, 2017, 123 f.

2 Aromë dashurie, f. 13.

 

To Top