Kuvendi i Republikës së Kosovës ka kohë që nuk po mundet t’i shtyjë projektligjet përpara për shkak të mungesës së kuorumit, dhe si i tillë ka mbetur në një pozicion të palakmueshëm. Ndërsa presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mund të provokojë zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare në vend.

Kështu kanë vlerësuar për Telegrafin analistët duke komentuar situatën politike në vend.

Analisti Ramush Tahiri, ka thënë se këtë vit do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare në Kosovë.

Tahiri tha se një iniciativë të tillë e ka marr opozita, konkretisht Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe si e tillë kjo iniciativë nuk duhet të dështoj.
“Mendoj që këtë vit do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi një iniciativë të tillë e ka marr opozita LDK-ja. Dhe në këtë mënyrë zgjedhje të reja do të ketë këtë viti pasi iniciativa nuk bën t’i dështoj… Qeveria ka kohë që nuk po i bën në Kuvend numrat për shtyrjen e projektligjeve…Kuvendi ka mbetur me një pozicion të palakmueshëm sepse varet nga votat e Listës serbe. Dhe në këtë bazë nevojiten zgjedhje të reja në vend”, ka thënë Tahiri, për Telegrafin.

Ndërsa, analisti Imer Mushkolaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se presidenti i vendit Hashim Thaçi mund të provokoj zgjedhje të reja parlamentare.

Mushkolaj tha se presidenti Thaçi do ta dërgoj vendin në zgjedhje të parakohshme nëpërmjet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me ndikimin që ka aty.

Sipas tij, nëse kjo ndodh atëherë Thaçi, mund të shfrytëzoj vakuumin institucional për të çuar idenë e tij për arritjen e marrëveshjes me Serbinë.

“Presidenti Thaçi mund të provokojë zgjedhje të reja. Po qe se nuk e merr mbështetjen nga Kuvendi, Thaçi do ta çojë vendin në zgjedhje, natyrisht nëpërmjet ndikimit të madh që ka në PDK, rrjedhimisht edhe në koalicionin qeveritar. Po qe se Gjykata Kushtetuese, i jep përgjigje pozitive Thaçit në pyetjen rreth marrëveshjeve ndërkombëtare, atëherë Thaçi mund ta shfrytëzojë vakuumin institucional deri në formimin e qeverisë së re për të çuar përpara idenë e tij dhe për të arritur marrëveshjen me Serbinë”, theksoi Mushkolaj.

I ndarë në tri grupe të deputetëve, Kuvendi i Kosovës, po rrezikon seriozisht funksionimin. Bllokada e vendimmarrjes në Kuvend ka nisur që nga fillimi i mandatit të kësaj legjislature. Por, kohët e fundit, ndasitë duket se kanë paralizuar tej mase organin më të lartë ligjvënës në Kosovë.

Partitë në pushtet, llogaritur ato shqiptare dhe pakicave joserbe, përbëjnë një grup prej 49 deputetësh, që nuk paraqet shumicën. Ky fakt, vlerësohet se paraqet një precedent, pasi që koalicioni qeverisës nuk përbën shumicën në Kuvend.

Partitë opozitare, në anën tjetër, numërojnë 56 deputetë, që po ashtu nuk paraqet shumicën për ta sfiduar qeverinë.

Kurse në mes, qëndron grupi prej 10 deputetësh i Listës Serbe, i cili në Kuvend rreshtohet si opozitë më vete dhe voton vetëm ato ligje e vendime që i sheh se janë në interesin edhe të komunitetit serb.

Ndërkohë, pesë deputetë janë pa grup parlamentar.

Nisur nga kjo gjendje, as pushteti dhe as opozita nuk mund të funksionojnë qoftë pa një marrëveshje mes vete apo pa marrëveshje me Listën Serbe.

Loading...