Kryeministri Zoran Zaev, duke folur për ligjin për përdorimin e gjuhëve, mbrëm në Alsat-M, deklaroi se ligji në fjalë është më shumë meritë e tij sesa e BDI-së, dhe do të vazhdojë ta mbrojë përpara atyre që e kundërshtojnë atë. Në janar, sipas Zaevit, ligji do të kalojë edhe leximin e dytë në Kuvend.

“Besoj se si socialdemokrat, më shumë e kam mbrojtur ligjin se sa BDI-ja. BDI-ja ndoshta do të thotë se kjo nuk është e vërtetë por unë besoj në atë”, deklaroi kryeministër Zoran Zaev.

Tentojnë t’i marrin meritat, sidomos për ligjin e gjuhëve?

“Zaevit nuk mund të ja marrin meritat. Zaevi është maqedonas që lufton për bashkësitë më të vogla në numër, për barabarsinë e tyre në Maqedoni”, u përgjigj ai.

Kryetari i shoqatës së ish të burgosurve politik, Shpëtim Pollozhani për Zhurnal shprehet se ky avancim i vogël i gjuhës shqipe nuk është aspak meritë e Kryeministrit Zoran Zaev por është meritë e opozitës shqiptare.

Sipas tij igjin për Gjuhën shqipe nuk do ta sillte Zaev asnjëherë, duke e marrë parasysh unitarizmin, me të cilin merrë frymë.

“Ky avancim i vogël i Gjuhës shqipe është rezultat i presionit qe e bëri opozita shqiptare. Opozita shqiptare është meritore për këtë avancim sado i vogël që të jetë. Gjuha shqipe do të jetë gjuhë zyrtare vetëm atëherë kur një nëpunësi shteterorë, në rast se pala shqiptare do t’i drejtohej në gjuhën e vetë, nëpunësi do të ishte i detyruar t’i përgjigjet në gjuhen shqipe, që do të thotë se: nëpunesi shtetëror, ose duhet të jetë shqiptar, ose duhet ta njohë gjuhën letrare shqipe, sikurse që eshte në Belgjikë dhe Zvicër”, ka deklaruar për Zhurnal, kryetari i shoqatës së ish të burgosurve politik, Shpëtim Pollozhani.

Nga ana tjetër, politologu Xhenis Sulimani konsideron se Zaev në mënyrë shumë demokratike dhe paqësore nuk po synon vetëm elektoratin e BDI-së por edhe të partive tjera në përgjithësi.

“Kështu duke pretenduar se prej sot e tutje çdo reformë në të mirën e shoqërisë është ekskluzivisht e tij. Me ose pa vetëdije Zaev po harron se legjitimitetin e timonit qeveritar e ka “dhuratë” pikërisht nga partitë shqiptare. Për çfarëdo që do të lavdërohet në të ardhmen Zaev duhet të jetë i sinqertë deri në fund dhe të pranojë se ai është sot kryeministër falë partive politike shqiptare. Nga ana tjetër, është fakt se LSDM ia ka përgjysmuar votën BDI-së, tani në lokale kjo u vërtetua edhe më shumë, kur pa votën e LSDM-së BDI-ja do të ishte humbësja më e madhe e zgjedhjeve. Mendimi im deri në zgjedhjet e ardhshme është se LSDM do të rritë elektoratin e tij shqiptar”, ka deklaruar për Zhurnal, politologu Xhenis Sulimani.

Loading...