Analisti serb: Ramush Haradinaj po përgatitet për mbrojtjen e Kosovës me luftë, e jo me ‘pampersa’

Janë dy momentet më të rëndësishme në gjithë këtë, në shikim të parë, shfaqje politike të rrahur kaherë: prishja e marrëveshjeve ekzistuese paqësore dhe krijimi i rrethanave për caktimin e rinj të kufijve

Boris Varga

Diskursi i ri publik nëpër media për ndarjen e Kosovës është vështirë të merret seriozisht, duke e pasur parasysh faktin se e gjithë kjo, deri më tani, ka qenë vetëm pjesë e përpjekjeve pothuajse të padobishme të presionit nga Beogradi zyrtar mbi rrjedhën e negociatave në Bruksel.
Rolin e “policit të keq” në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës e ka pasur ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, me propozimet e tija metaforike, por tejet të qarta për “kufijtë e qëndrueshëm” në mes të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.
Nga fundi i korrikut, për kufijtë është shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe shoviniste edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Pa e futur në hesap saktësinë e tezës për ndarjen e Kosovës, përsëritja e retorikës politike për hartimin e vijave të reja etnike do të ketë pasoja më pak të favorshme për paqen dhe stabilitetin në rajon, sidomos në Bosnjë-Hercegovinë.
Frikësimi i BE-së me “Serbinë e madhe”
Duke e komentuar letrën e hapur të peshkopit të Rashkës dhe të Prizrenit, Teodosije, për largimin e serbëve nga Kosova dhe shitjen e pronave të tyre shkaku i raporteve pothuajse të përditshme mediale lidhur me ndarjen e Kosovës, Vuçiqi u shpreh në mënyrë arrogante dhe kërcënuese se për aq sa nuk do të ketë kufij me shqiptarët, populli serb duhet të përgatitet që brenda 40 vjetësh ta mbrojë Vranjën.
Sepse e ashtuquajtura demografi është arma më e fortë e shqiptarëve.
Për mbrojtje po përgatitet edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, por jo me “pampersa”. Për të, ideja e ndarjes së Kosovës apo e shkëmbimit të territoreve me Serbinë nënkupton luftë.
Republika Serbe dhe retorika separatiste e kryetarit të saj, Milorad Dodik, përbëjnë një tjetër mjet presioni mbi negociatat në Bruksel. Po frikësohet jo vetëm BE-ja, por i gjithë rajoni me luftërat dhe ringjalljen e “Serbisë së Madhe”, të paktën të atyre të mbeturave që kanë ngelur prej saj që prej të nëntëdhjetave.
Dodiku, i cili i ka hyrë me të madhe fushatës parazgjedhore, konsideron se “zgjidhja e statusit të Kosovës nuk duhet të ndahet prej çështjes së zgjidhjes së statusit të Republikës Serbe”. Për të “korniza përfundimtare” është bashkimi i Republikës Serbe me Serbinë dhe “me pjesët që mund t’i kontrollojnë në të ardhmen, siç është veriu i Kosovës, me gjithë fuqizimin e forcave të popullatës serbe në Mal të Zi, të cilat do të duhej t’i përafronin Serbinë dhe Malin e Zi”.
Miqësia hipokrite me Rusinë
Janë dy, momentet më të rëndësishme në gjithë këtë, në shikim të parë, shfaqje politike të rrahur kaherë: prishja e marrëveshjeve ekzistuese paqësore dhe krijimi i rrethanave për caktimin e rinj të kufijve.
Marrëveshja e Daytonit dhe ajo e Kumanovës janë nënshkruar pas intervenimeve ushtarake të NATO-s dhe paraqesin simbol unik, para së gjithash të pranisë amerikane në Ballkanin Perëndimor.
Është Rusia ajo së cilës i konvenojnë më së shumti mosmarrëveshjet dhe vënia në pikëpyetje e rezultatit të ndërhyrjes amerikane në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Qëllimi i Moskës është frenimi i zgjerimit të mëtutjeshëm të NATO-s nga lindja, si dhe pamundësimi i zgjerimit të modelit, të zbatuar në Ballkan, të pranisë amerikane në hapësirat e ish-Bashkimit Sovjetik – në Ukrainë dhe Gjeorgji.
Gjendja është shumë më serioze sesa që mund të duket nëpërmjet ekraneve të vogla televizive dhe rrjeteve sociale. Rusët kanë planifikuar trazira në Mal të Zi, si dhe pengimin e përmbylljes përfundimtare të negociatave greko-maqedonase rreth emrit të Maqedonisë.
Miqësia hipokrite Greqi-Rusi përfundoi me dëbimin e dy diplomatëve rusë dhe me ndalimin e hyrjes në vend të dy të tjerëve shkaku i tentimit për ta penguar marrëveshjen me Maqedoninë. Skandali i ndriçoi pjesërisht lidhjet e diplomatëve dhe biznesmenëve rusë me djathtistët grekë, të Kishës ortodokse dhe organizimit të protestave masive, ndërsa aksioni u ndërmor simbolikisht para vetë fillimit të samitit të NATO-s në korrik.
Maqedonasit janë prandaj një hap më afër NATO-s dhe një hap më larg ndarjes.
Ani pse Ministria e Jashtme ruse i ka demantuar raportimet e së përditshmes së Kosovës, gazeta “Ekspres” se Donald Trumpi gjatë kohës së samitit në Helsinki me presidentin rus, Vladimir Putin, është pajtuar me propozimin që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës në këmbim të shkëmbimit të territoreve, një mënyrë e tillë e thellimit të krizës po u konvenon rusëve, sepse kësisoj do të pakësohej presioni mbi Moskën.
Rusia po e luan lojën e durimit: po e pret tolerimin e aneksimit të Krimesë dhe heqjen dorë prej sanksioneve në këmbim të zgjidhjes bashkërisht të konfliktit në lindje të Ukrainës.
Zgjimi i identiteteve të së shkuarës
I dyti moment që do të mundë të kishte pasoja më të gjera dramatike është, siç e quan gazetari dhe analisti politik Mirnes Kovaç, zgjimi sistematik i identitetit grabitqar te serbët e Bosnjës, të cilin Dodiku qëllimisht po e ushqen me anë të politikave të vazhdueshme të mohimit të krimeve më të rënda dhe gjenocidit.
Shpalosja prej anës së Dodikut, në “Sputnikun” rus, e hipotezës së konfliktit të ri ushtarak në Bosnjë, se kush do të luftonte kundër kujt dhe kush si do të kalonte në këtë konflikt hipotetik, Kovaçit ia rikujton fillimin e të nëntëdhjetave kur polemika të ngjashme në Kuvendin e Republikës së BH-së nxiste Radovan Karaxhiqi.
Muhabeti rreth ndarjes së Kosovës është i rrezikshëm, pavarësisht asaj nëse është vetëm një manovër kërcënuese e Vuçiqit, apo, megjithatë, një ndërmarrje reale që me anë të mbështetjes së Rusisë të sigurohet për këtë ide edhe miratimi i Donald Trumpit kaotik.
Mos të mashtrohemi, ndarja e Kosovës në “veriun serb” dhe “jugun shqiptar” ka ekzistuar gjithë kohën dhe është një ankth nate për Prishtinën.
Kjo ndarje është një prej arsyeve pse po zvarritet formimi i Bashkësisë së komunave serbe. Kur flasin për “tradhtimin e interesave serbe në Kosovë”, nacionalistët serbë para së gjithash mendojnë në krijimin e veriut nën kontrollin e plotë të autoriteteve kosovare. Për këtë arsye, Beogradi zyrtar ua la veriun e Mitrovicës strukturave kriminale serbe, e jo Prishtinës.
Negociatat e tensionuara dhe një mori marrëveshjesh
Se veriun e ka më të rëndësishëm sesa të gjitha enklavat e tjera serbe, Vuçiqi e ka treguar gjatë ditëve të fundit me deklaratat e tija për rënien drastike të numrit të shtëpive serbe në jug të Ibrit dhe duke thënë për një mori vende serbe se “aty më nuk ka mbetur kush”.
Peshkopi i Rashkës dhe i Prizrenit, Teodosije, në letrën e tij të lartpërmendur është tejet i drejtpërdrejtë kur e kritikon parimin e kufijve territorialë dhe krijimin e territoreve të reja kompakte etnike, i cili edhe qe shkas i vdekjes së të pafajshmëve gjatë luftërave të të nëntëdhjetave dhe i cili paraqet kërcënim të vazhdueshëm për rajonin.
Ndonëse ndarja dhe shkëmbimi territorial i veriut të Kosovës me jugun e Serbisë mund të mos ndodhë kurrë, ka shumë të ngjarë që dekadat e tëra të negociatave tejet të tensionuara dhe marrëveshjet e arritura t’i nxisin përfaqësuesit e pakicave që t’i braktisin mjediset e tyre të përziera. Për kufijtë e rinj territorialë, bazuar në parimin e etnisë në Bosnjë, nuk ëndërron vetëm Dodiku. Planet për entitetin e tretë kurrë nuk kanë reshtur së qenit aktuale.
Homogjenizimi etnik me anë të ngritjes së vetëdijes për bashkimin e të gjitha tokave serbe do të krijojë në terren një realitet të ri politik. Sipas të gjitha gjasave, ky realitet do të jenë politikat nacionaliste, me anë të të cilave marrëveshjet aktuale ekzistuese të paqes nga vitet nëntëdhjetë, të arritura me ndihmën e Perëndimit, do të bëheshin krejtësisht të paqëndrueshme.
(Boris Varga është gazetar, publicist dhe analist i pavarur nga Beogradi. Vështrimi është botuar në portalin “Al-Jazeera”).

Loading...