Intervista

Andov: E pranoj, gabuam me shqiptarët, na mundi propoganda e Millosheviçit

sobranie, pratenicki prasanja, stojan andov  25-10-2010 rv

Stojan Andov, është ndër ata emra që ka lënë gjurmë të mëdha në skenën politikë të Maqedonisë.  I njohur si kryeparlamentari i parë pas pavarësisë, deri dhe president për disa muaj, tashmë në të tetëdhjetat e moshës, vijon të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet politike në vend.

Në një intervistë ekskluzive për tesheshi, ai pranon disa mëkate të politikës maqedonase kundrejt shqiptarëve, sidomos ato që kulmuan me konfliktin e vitit 2001….

Intervistoi: Mensur Krasniqi

Qe sa kohë jeni pjesë përbërëse e politikës, si aktor apo dhe si spektator?

Shikuar më gjërësisht, deshëm apo nuk deshëm, ne të gjithë të moshës madhore, por dhe mosha të tjera, janë pjesë e politikës,  ndonjëherë si subjekt e ndonjëherë si objekt, si aktor apo si spektator.

andov

Por besoj që pyetja juaj ka të bëjë me pjesëmarrjen time aktive në politikë. E pra, si profesionist në politikë unë  jam që nga 10 prilli i viti 1967, dita kur u zgjodha kryetar komune në Kavadarci. Atëherë ajo ishte komunë me rreth 55-60 mijë banorë, me industri jo shumë të zhvilluar, por e kishim të zhvilluar vreshtarinë. Në vitet kur e ushtroja atë funksion, i ndriçuam të gjitha rrugët e banuara në komunë, duke mos përjashtuar edhe fshatrat malore, por edhe ata vende që nuk jetonin shumë banorë. U ndërtua brana e Tikveshit me centralë elektrikë si dhe një rrjet kanalizimi prej rreth 20 mijë hektarësh. Njëkohësisht u kryen të gjitha teknologjitë e minierave, studimet ekonomike dhe përgatitjet për ndërtimin e minierës dhe shkritores së prodhimit të nikelit. Që atëherë filloi pjesëmarrja ime aktive në jetën politike, deri në vitin 2011 kur dhe definitivisht u pensionova. Kam qenë nënkryetar i qeverisë asokohe dhe anëtarë i qeverisë federale. Kam qenë edhe deputet federal, më pas edhe ambasador i ish-Jugosllavisë në Irak.

Çka ju inspironqë në një moshë 80-vjeçare të merreni me politikë, dhe pse jo zyrtarisht, duke qenë në korrent të zhvillimeve ?

Më inspiron dëshira, që me aq sa mundem të ndihmojë për qytetarët e shtetin tonë, të cilët duhet  të kenë një jetë më të mirë. Më tutje më motivon edhe lidhshmëria e mirëkuptimi me njerëz të shteteve tjera, sistemeve tjera, etnike të tjera . Këto janë motivet kryesore që më kanë inspiruar e që vijojnë të më inspirojnë për të qenë ende në ndjekje të zhvillimeve politike.

 

Keni qenë kryetari i parë i Kuvendit maqedonas pas shkëputjes nga Jugosllavia duke e drejtuar në 3 mandate rresht. Mund ta ndani me opinionin seancën më të rëndësishme që është zhvilluar sa kohë e drejtuat?

Në zgjedhjet e nëntorit të vitit 1990 u zgjodha deputet në qeverinë shumëpartiake të Republikës së Maqedonisë. Në listën e Bashkimit të Forcave për Reforma në Maqedoni (sot Partia Liberale në Maqedoni). Në seancën e parë konstituive të qeverisë shumëpartiake të mbajtur më 8 janar 1991 u zgjodha për kryetar Kuvendi.  Ashtu ndodhi dhe u bëra kryetari i parë i Kuvendit shumëpartiak të Maqedonisë. Më 19 nëntor 1994 u zgjodha për të dytën herë; dhe po ashtu me 30 nëntor të vitit 2000 u zgjodha për të tretën herë.

Në mandatin e parë seancat kryesore kanë qenë në kuadër të procesit për përforcimin e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë. Temat kryesore kanë qenë sjellja e Deklaratës për suverenitet më 25 janar 1991,  sjellja e vendimit për referendum për pavarësi më 6 gusht 1991, dhe sjellja e Kushtetutës së parë me të cilën Republika e Maqedonisë është shpallur si shtet i pavarur më 17 nëntor 1991.

Pas atentatit që iu bë presidentit Gligirov, në një periudhë të shkurtër keni ushtruar dhe funksionin e kreut të shtetit. Mos ishte ky momenti më impresionues në karrierën tënde politike?

Jo, aq më tepër që kjo ndodhi për shkak të një rrethane që pati në thelb një fatkeqësi. Për pikë kulmore në karrierën time politike llogaris mbajtjen e referendumit për pavarësi, sjelljen e Kushtetutës së parë me të cilën u shpall pavarësia e shtetit, pastaj pranimin e RM-së në Kombet e Bashkuara më 8 prill 1993, ratifikimin e Marrëveshjes së përkohëshme të nënshkruar ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë. Në fund si sukses llogaris edhe pranimin e 15 amandamenteve të Kushtetutës që u sollën më 16 tetor 2001, me të cilën vendimet kryesore nga Marrëveshja kornizë e Ohrit u bë materie kushtetuese. Në të gjitha këto ngjarje të rëndësishme si kryetar i Kuvendit kam pasur rol të rëndësishëm, andaj  me të gjithë atë që kam bërë në atë kohë, edhe sot krenohem.

Të kthehemi pak në situatën politike aktuale. A mendoni se Maqedonisë po gjendet në një krizë politike historike? Nëse po, atëherë cila është zgjidhja?

Republika e Maqedonisë me të vërtet sot po gjendet në një situatë serioze të krizës në politikë. Kjo gjendje është si rezultat i veprimit të shumë faktorëve ndërkombëtarë dhe rajonalë, por hiç më pak nga politika e gabuar që po udhëhiqet në shtetin tonë një periudhë të gjatë kohore. Sipas mendimit tim, Maqedonia ka dështuar në procesin e përmirësimit dhe përforcimit të kohezionit të brendshëm në shtet, duke patur dhe luhateje në politikën për rregullimin e marrëdhënieve të tyre me fqinjët. Tani, kriza politike është thelluar akoma më tej nga braktisja e rrugës në drejtim të integrimit të saj në strukturat euroatlantike, pikërisht pra për shkak të sjelljes së mbrapshtë të qeverisjes së Gruevskit, veçanërisht nga viti 2008 e këndej.

A i druheni faktit që Gruevski, duke dëshiruar që të shpëtojë veten, mund të nxisë dhe luftë qytetare, siç dhe po përflitet?

Patjetër që frikësohem nga një mundësi e tillë. Mirëpo Maqedonia nuk është e izoluar tërësisht nga bota. Ajo ka aleatë. Maqedonia ka nënshkruar marrëveshje strategjike për bashkëpunim me SHBA-në, ndërsa nga ana tjetër që nga prilli i vitit 2000 është përcaktuar të jetë anëtare me të drejta të plota e NATO-së dhe BE-së.

Një pjesë e përgjegjësisë për zgjedhjen e krizës në Maqedoni, sipas natyrës së zhvillimeve, mbajnë edhe aleatët tanë, por përgjegjësia kryesore sigurisht që është e brendshme.

Nga ana tjetër, pas gjitha anketave të bëra në mënyrë permanente del se 70-85 % e qytetarëve janë për integrim të shtetit në BE dhe NATO. Dhe ky është një tregues se ekzistojnë pengesa pozitive që Maqedonia t`i shmanget një lufte qytetare, pa marrë parasysh veprimeve dhe dëshirat e Gruevskit.

Cili është qëndrimi juaj për jetën multietnike të shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni, çka i bashkon dhe çka i ndan (dallon)?stojan andov

Shoqëria në Maqedoni është multietnike dhe shteti gjithashtu është multietnik. Për gjendjen e tillë të një shteti kompleks, përgjegjësi më të madhe mbajnë etnikumet më të mëdha në shtet, domethënë maqedonasit dhe shqiptarët.

Për fat të keq, në vitin 1991 nën ndikimin e regjimit të trashëguar propagandues të Millosheviqit në Serbi, ne në Maqedoni nuk arritëm të mbledhim forcë që t`i kundërvihemi asaj propagande dhe për këtë shkak bëmë disa gabime, veçanërisht ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë. Gabimi i parë ishte që nuk u dakorduam me shqiptarët se si të quhet çështja e referendumit, dhe ajo procedurë për ne maqedonasit na bën të marrim një përgjegjësi të madhe që shqiptarët e Maqedonisë nuk dolën në referendumin në vitin 1991. Kjo çoi dhe që deputetët shqiptarë në Kuvend të mos votojnë mbi Kushtetutën e parë për Maqedoninë e pavarur.

Nga kjo më pas rrodhën disa mosmarrëveshje ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve për një periudhë më të gjatë kohore, thuajse 10 vite, ku edhe krijuan terren pjellor për luftën e vitit 2001.

Fakti që ai konflikt është zgjidhur me Marrëveshjen e Ohrit dhe në rrugën parlamentare me sjelljen e 15 amandamenteve në Kushtetutë në 16 nëntor 2001, krijoi edhe kushtet për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet etniteteve, gjegjësisht ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve. Procesi i implementimit të vendimeve të Marrëveshjes kornizë të 2001-ës është në rrjedhë e sipër, dhe mund të thuhet që po përparon me sukses.

Domethënë gjendja e brendshme në këtë aspekt është e mirë. Në Maqedoni konflikte të armatosura në kushtet momentale nuk mund të ndodhin nëse pushteti është në gjendje që të kryejë funksionin e vet në kohë duke i pamundësuar qëllimet eventuale avantureske. Raste të tilla në Maqedoni janë të mundura vetëm si rezultat i pamundësisë dhe naivitetit të madh të pushtetit, ose nëse sërish edhe pushteti është i involvuar në organizimin dhe zbatimin e situatave të tilla(lufte).

Maqedonasët edhe shqiptarët duhet ta shohin ardhmërinë e tyre në krijimin e një shoqërie dinamike me standarde evropiane dhe vlera që të gjithë atyre, pa dallime fetare, racore, apo përfaqësie politike do t’ua jep kushtet dhe mundësitë e njëjta. Për këtë shkak, edhe përkundër ndryshimeve të pashmangshme në qeverinë e Maqedonisë, duhet që Maqedonia si shtet të vendos raporte të mira dhe të përhershme miqësore nën besim dhe bashkëpunim me të gjithë fqinjët e saj. /tesheshi/

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

To Top