Kosovë-Shqipëri

Anëtarët e KQZ Kërkojnë Publikim të Shpejtë të Rezultateve

KQZ-foto-KALLXO-e1505228193370

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, dhe anëtarët e Komisionit të KQZ-së kanë kërkuar nga Sekretariati i KQZ-së që mos të përsëritet më vonesa e shpalljeve të rezultateve ashtu siç ka ndodhur herëve të fundit.

Daka ka thënë se kanë pasur probleme me shpalljen e rezultateve natën e zgjedhjeve dhe ka kërkuar që të ndërmirren masa që kjo mos të përsëritet më.

“E dimë që kemi pasë problem me operatorin a janë ndërmarrë masa që këtë herë mos të na ndodh kjo dhe që publiku t’i ketë rezultatet sepse përfundimi i gjitha zgjedhjeve janë rezultatet edhe gjithë puna e mirë shkon dëm dhe kot në qoftë se nuk i kemi rezultatet në kohë reale”, tha Daka.

Kurse, Sami Hamiti, anëtar i KQZ-së nga LDK tha se ky institucion ka dalë “qesharak” nga vonesa e rezultateve pasi të gjitha mediat kanë dalë me rezultate e KQZ-ja jo.

“Kemi tri raste që po dështon operatori ose po dështojmë ne si KQZ. Ka dështu paraqitja e rezultateve në zgjedhje nacionale. Pse po na ndodhë që mos me pasë rezultate? Njësoj ka ndodh me 22 tetor. Procesi gjithë ditën ka qenë në rregull me më së paku probleme e në mbrëmje gjitha portalet e TV i qesin rezultatet e KQZ s’ka rezultate”, u shpreh Hamit.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror  Zgjedhjeve, Enis Halimi, tha se për këtë problematikë ka takim gjatë ditës me operatorin.

“Sot e kemi një takim në ora dy me operatorin përkatës dhe aty do t’i diskutojmë të gjitha”, tha Halimi.

Halimi ka raportuar gjatë mbledhjes së KQZ-së ku ka thënë se lista përfundimtare e votuesve për raundin e dytë për kryetar të komunave janë shtypur, janë kontrolluar dhe paketuar të gjitha këto lista të votuesve dhe poashtu është shtypur lista përfundimtare e votuesve për komunën e Parteshit ku do të bëhet rivotimi.

“Nga jashtë Kosovës në raundin e dytë do të mund të votojnë 6 mijë e 847 votues të cilët do të votojnë në komunat ku mbahet raundi i dytë”, tha ai.

E në këtë pikë u lidh anëtari i KQZ-së nga PDK, Betim Gjoshi, i cili tha se KQZ-ja nuk është njoftuar zyrtarisht dhe janë mbajtur të mbyllura disa raste ku janë shfaqur njerëz që janë regjistruar jashtë vendit dhe që jetojnë në Kosovë.

“Ndoshta je në dijeni që në dy parë zgjedhje të paktën votimi i personave nëpër institucione jashtë Kosovës ka shku huq.  Po na sillni raporte të mira, por si operacion ka dështu gjitha vota të këtij shërbimi janë shpall të pavlefshme. I kemi mashtru edhe qytetarët e Kosovës”, tha ai duke kërkuar nga Halimi që të tregojë për masat që do t’i ndërmarrin që mos të përsëritet më e njëjta situatë.

Edhe Adnan Rrustemi nga VV tha se ka raste të konfirmuara për këtë rast që, sipas tij, është shqetësues dhe duhet menjëherë të njoftohet policia e prokuroria e shtetit që të hetojnë këto raste.

“Aplikacionet që kanë ardh nga Mali i Zi për regjistrues si votues jashtë vendit janë regjistru njerëz që janë shtetas të Kosovës që jetojnë në Kosovë dhe asnjëherë s’kanë qenë jashtë. U bo dëmi i dyfishët është keqpërdor e drejta e tyre dhe ja kemi pamundësuar të drejtën e tyre për votim”, tha Rrustemi duke e quajtur këtë krim të organizuar.

E Halimi u përgjigj se kanë informacione por që, sipas tij, me një proces të tillë të madh mund të ketë edhe lëshime të paqëllimshme.

“Ka mundësi të jetë përvjedhë ndonjë lëshim i tillë. Ne tash në këtë raund kemi marrë masa konkrete duke bërë identifikimin e gjithë votuesve që janë nëpër këto institucione. Tash nuk do të lejojë që një lëshim i tillë të na përvidhet prapë”, tha ai.

Në mbledhje të KQZ-së gjithashtu u diskutua dhe u miratua Plani për Ditën e Zgjedhjeve 19 nëntor 2017 dhe Këshilli i Vendvotimit për komunën e Parteshit.

Më herët, në këtë mbledhje, KQZ vendosi për rinumërimin e 440 kutive të votimit për asambletë komunale.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

To Top