Tre ditë pas incidentit me gazetarët ku zv/kryeministri Koço Angjushev duke hedhur stilolapsin akuzoi gazetarët se e kanë tepruar, sot doli me qëndrim se është keqkuptuar. Në pyetjen nëse do të kërkojë falje për rastin në fjalë, ai tha se sinqerisht ndjen keqardhje që është keqkuptuar, por drejtpërdrejtë nuk u kërkoi falje gazetarëve për veprimin e tij.

Në përfundim të konferencës, unë nga lartë e lëshova stilolapsin në tavolinën më të afërt dhe sinqerisht ndjej keqardhje nëse dikush këtë e ka kuptuar ndryshe. Nuk ishte qëllimi që të kuptohet kështu, e as që kam vepruar në këtë mënyrë. Gazetarët çdoherë kanë qenë të mirëseardhur edhe në kabinetin tim. Unë asnjëherë nuk kam refuzuar të marr pjesë ndonjë emision, nuk kam refuzuar t’u përgjigjem pyetjeve të gazetarëve, ju lutem gjykoni sipas veprimeve. Unë sinqerisht u përgjigja se si ka qenë veprimi, por ju lutem gjykoni edhe sipas rezultateve. Shumë ju lutem të gjykoni sipas rezultateve”- pohoi Koço Angjushev, zëvendës kryeministër.

Në brifingun e fundit kur Angjushev me pamje dhe me stilolaps në tabelë gazetarëve ua sqaronte lëshimet dhe problemet me ndërtimin e autostradës Kërçovë – Ohër, pas mbarimit të prezantimit në mënyrë nonshalante e hodhi stilolapsin drejt gazetarëve duke thënë se kështu punohet në mënyrë transparente, duke treguar të gjitha detajet. Më pas dukshëm i shqetësuar filloi me ton të lartë t’u drejtohet gazetarëve.

“Unë kam ndërtuar elektrana, kam ndërtuar fabrika, di si ta zgjidh edhe këtë problem, por di edhe si të punoj në mënyrë transparente. E tepruat, e tepruat, emisioni i fundit i 360 Gradë nuk ishte korrekt”, reagoi Angjushev.

Një ditë më pas kryeministri Zaev dënoi sjelljen e Angjushevit dhe tha se pret që zv/kryeministri të kërkojë falje. Kjo nuk është hera e parë Angjushev verbalisht të konfrontohet dhe të ofendojë ekipet e gazetarëve. Përveç gazetarëve, ndaj sjelljes së tij është ankuar edhe Sllagjana Taseva nga Transparencë Internacionale.

Loading...