Home Lajme Maqedoni Angjushev refuzoi, Zaev sqarohet për çështjen e “Feroinvestit” (VIDEO)

Angjushev refuzoi, Zaev sqarohet për çështjen e “Feroinvestit” (VIDEO)

Përskaj refuzimit të zëvendëskryeministri Ekonomik, Koço Angjushev që të përgjigjet se a do të largohet nga udhëheqësia e “Feroinvestit” për shkak të mundësisë së konfliktit të interesit, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev u sqarua për rastin duke bërë thirrje te gazetarët që ta ndjekin procedurën e tenderimit të secilës ndërmarrje, sepse krahas dispozitave ligjore duhet të merren parasysh edhe përcaktimet etike e morale, raporton Portalb.mk.

“Unë nuk jam këtu që të flas për ndërmarrjet, sepse ajo ka sektorin e menaxhimit të saj, drejtorë ekzekutiv të cilët mund të raportojnë për kompaninë e caktuar. Ju mund të lajmëroheni në kompaninë në fjalë dhe të kuptoni gjithçka çfarë ka të bëjë me të”, tha Angjushev.

Ndërkohë që për ndërmarrjen “Feroinvest”, themelues i të cilës është Angjushev,nuk refuzoi të përgjigjet kryeministri Zaev, i cili bëri thirrje që procedura e marrjes së tenderit të kësaj ndërmarrje por edhe të ndërmarrjeve të tjera, krahas respektimit të dispozitave ligjore duhet të shikohet edhe në aspekt të respektimit të vlerave etike.

“E rëndësishme është përfshirja e Angjushevit në Qeveri por e rëndësishme është se ndërmarrjet të vazhdojnë të funksionojnë dhe të punësuarit të marrin rrogë. Është temë aktuale dhe unë ju rekomandoj që ta ndjekni procesin. Ekzistojnë ligje të cilat besoj se nuk do të shkelen, por kjo nuk mjafton. Pjesa etike është e rëndësishme po ashtu. Nuk mund të lejojmë që individët të cilët vijnë nga ndërmarrjet të jenë shkaktar të dëmtohen ndërmarrjet e tyre. Por kjo nuk është shkas që të lejohet diçka joetike. Duhet gjithçka të jetë transparente deri në fund”, tha Zaev

Çështja e “Feroinvest” u bë aktuale që kur dolën lajmet se ndërmarrja e zëvendëskryeministrit Koço Angjushev, ka marrë tender në vlerë prej 2.6 milion euro në ELEM-in shtetëror. Sipas dokumenteve që u shfaqën në media, bëhet fjalë për vendim për prokurimin e shiritave transportues të gomës, për Kombinatin TEC “Manastiri”, për prokurimin e të cilit është formuar konsorcium nga “Feroinvest” dhe “Ozerband” nga Turqia, që duhet të lidhin një marrëveshje me vlerë mbi 140 milionë denarë.

Nga ELEM-i i Maqedonisë mohojnë se është nënshkruar kontrata. Ata shpjegojnë se për këtë tender deri tani janë organizuar dy ankande, por ato janë anuluar pas ankesave nga pjesëmarrësit e tjerë në ankand. Kjo do të thotë se javën e ardhshme do të ketë një ankand të ri për këtë tender.

Loading...