Baki Aliu
Rezultatet e anketës që u realizua nga MCMS për referendumin, gjithsesi që paraqesin lajmin e ditës. Ky lajm është edhe më pozitiv për opinionin shqiptar, duke pasur parasysh se shqiptarët edhe një herë do të jenë vendimtarë për varrosjen e politikave të gabuara, siç realizoheshin në kohën e qeverisë VMRO-BDI.
Sado që këto anketa deri tani nuk kanë dhënë rezultate të sakta për disponimin politik të shqiptarëve, në këtë rast mendoj se nuk ka vend për ndonjë dyshim ndaj rezultateve, duke marrë parasysh se ato nuk kanë të bëjnë me rejtingun politik të partive, që edhe ngushton diapazonin e motiveve për manipulim eventual.
Këto rezultate tregojnë se edhe 30-35 për qind e votuesve shqiptarë që votuan për BDI-në, tani janë vetëdijësuar se politikat e gabuara që i ka udhëhequr 10 vite me radhë katërshja Nikolla Gruevski, Sasho Mijallkov, Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi e çojnë Maqedoninë në drejtim të gabuar. Shumica dërmuese e këtij korpusi të votuesve të BDI-së, i janë bashkangjitur euforisë shqiptare prej 90 për qindve, që e sheh Maqedoninë të integruar në BE e NATO, e jo afër Rusisë, Kinës e Indisë, siç flitej se kishte për qëllim qeveria VMRO-BDI. Anketa tregon se shqiptarët e liruar nga presioni afatgjatë i qeverisë VMRO-BDI, janë në gjendje të sjellin një sukses jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për mbarë rajonin. Kjo tregon se as bashkëpunimi i fshehtë mes Reçicës dhe kabinetit të Ivanovit nuk mund ta parandalojë realizimin e qëllimit aq shumë të pritur nga shqiptarët për integrim në familjen e madhe euroatlantike. Rezultatet e kësaj ankete do të detyrojnë që edhe vetë bartësit dhe përkrahësit më të flaktë shqiptarë të qeverisjes gati 10 vjeçare VMRO-BDI do të dalin publikisht e të mbështesin referendumin, me shpresë së në atë mënyrë do të shpëtojnë pak a shumë nga dënimi që i pret.
Rezultatet janë mjaft të qarta dhe tregojnë se edhe vetë votuesit e BDI-së po ia kthejnë shpinën politikave të gabuara të Gruevskit, Ahmetit, Mijallkovit dhe Xhaferit. Një referendum i suksesshëm që do të sjellë integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, i jep fund çdo shprese për rikthim të Gruevskit kryeministër, e Mijallkovit drejtor të policisë sekrete, ëndërr të cilën ende e ëndërrojnë disa bashkëpunëtorë të tyre të afërt në BDI.

Loading...